Rama: Krujën e shkatërroi korrupsioni
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ishte dje me vullnetarët e Fushëkrujës. Në një takim masiv të zhvilluar me të rinjtë, të cilët i janë përgjigjur apelit për të qenë lajmëtarë të ndryshimit në qytetin e tyre dhe zonat përreth, Rama është ndalur te problematika kryesore e zonës që është shkatërrimi i vlerave natyrore të saj. Kreu i PS nënvizoi se as pushtuesit ndër vite nuk kanë shkatërruar vlerat e kësaj zone. “Ata që u përpoqën që ta pushtonin këtë territor 500 vjet më parë, mbahen mend si zjarrvënësit rreth e rrotull Krujës, por sot vetëm në 4 vjet, ata që qeverisin do të mbahen mend si kafshuesit e pamëshirshëm të zonës rreth Krujës”, tha Rama. Sipas tij, shkatërrimi natyror ka ardhur si pasojë e korrupsionit galopant të kësaj maxhorance.