Legalistët: Homoseksualizmi është mallkim dhe fatkeqësi
Partia Lëvizja e Legalitetit vazhdon ti qëndrojë qasjes kundër homoseksualizmit duke e quajtur atë si mallkim. Një ditë pas deklaratës së kreut të saj, Ekrem Spahia se është gati ti kapë në hu, homoseksualët të cilët kërkojnë të mbajnë një paradë në Tiranë, PLL ka lëshuar një komunikatë për mediat ku çdo devijim seksual konsiderohet si ves, fatkeqësi ose mallkim.
Përtej natyrës jo-formale dhe vërtetësisë së citimit që gazeta i ka bërë zotni Spahiut, Partia Lëvizja e Legalitetit shpreh publikisht qëndrimin e saj se është kundër çdo aktiviteti që promovon antivlera, cenon moralin shoqëror dhe fyen ndjenjat e kombit. Çdo manifestim i LGBT-ve hyn në këtë përcaktim, thuhet në reagimin e PLL-së.
Kjo parti zotohet se është e vendosur për ti prerë rrugën këtij fenomeni me pasoja dekadente dhe shkatërruese për individin, vlerat tradicionale, shenjtërinë e familjes, moralin e shëndoshë dhe përcaktimin hyjnor.
* * *
Zv.Ministri Spahia: Hu gay-ve. AP: Stop gjuhës së urrejtjes LGBT: Të shkarkohet
Deklarata e Ekrem Spahisë, botuar në “Gazetën Shqiptare”, ku sulmon ashpër mbajtjen e një parade gej në kryeqytet ka sjellë reagim nga komuniteti LGBT dhe Avokati i Popullit. LGBT i ka kërkuar kryeministrit të vendit dhe ministrit të Mbrojtjes shkarkimin e Spahisë pasi sipas tyre deklarata e tij përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës. Ndërkohë Komisionerja për Mbrojtjen ndaj Diskriminimit, Irma Baraku ka bërë me dije se ka nisur hetimin ndaj zv.ministrit të Mbrojtjes mbi këtë deklaratë. Komuniti LGBT kishte lajmëruar mbajtjen e një aktiviteti me 17 maj në Tiranë.

Simboli i homoseksualëve
LGBT: Shkeli Kushtetutën, të shkarkohet
Deklarata në fjalë përbën një shkelje të rëndë të Kushtetutës së Shqipërisë që e ndalon në mënyrë kategorike nxitjen e urrejtjes përmes shtypit të shkruar. Gjithashtu kërcënimet e hapura për të dhunuar individë të caktuar në Republikën e Shqipërisë përbëjnë edhe vepër penale. Të ndodhur para një fakti të tillë, ne i kërkojmë kryeministrit z. Sali Berisha dhe ministrit të Mbrojtjes z. Arben Imami që të shkarkojnë urgjentisht Ekrem Spahinë nga posti i lartë që ai mban, thuhet në një deklaratë të LGTB-së.

Avokati i Popullit Igli Totozani
AP: Po nxitet urrejtje dhe dhunë
Avokati i Popullit e ka cilësuar deklaratën nxitje të dhunës dhe urrejtjes. Igli Totozani, i kërkon zyrtarit të lartë të shtetit të kërkojë ndjesë publike për deklaratën fyese.
Avokati i Popullit i kërkon këtij zyrtari të lartë të qeverisë shqiptare të deklarohet menjëherë mbi vërtetësinë e këtij citimi dhe të kërkojë në mënyrë urgjente ndjesë publike nëse kjo deklaratë fyese dhe denigruese është qoftë edhe pjesërisht e vërtetë”.

Zv.ministri i Mbrojtjes Ekrem Spahia
Deklarata e Spahisë
Ne jemi parti konservatore shqiptare, vlerësojmë trashëgiminë shqiptare si vlera të rëndësishme për një komb. Unë skam ndonjë koment tjetër, vetëm ti kap në hu ato. Hu është fjalë dialektore, por besoj se kuptohet, ose thënë ndryshe shkop gome. / Gazmira Ndoja