E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveri shqiptare: NATO firmosi kapitullimin e "Sadamit" të Ballkanit

Qeveria shqiptare përmes një deklarate të bublikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave ka përkujtuar 13 vjetorin e fillimit të ofensivës ajrore të NATO-s mbi ish-Jugosllavinë, në mbrojtje të popullit të Kosovës.

Duke e konsideruar si kapitullimin dhe marrjen fund të regjimit kolonial serb në Kosovë, Qeveria shqiptare ka shprehur edhe një herë mirënjohjen më të thellë ndaj Presidentit të SHBA-ve Bill Clinton, që udhëhoqi Aleancën në betejën për çlirimin e Kosovës, udhëheqësit politikë të asaj kohe, forcave ushtarake të NATO-s, për rolin e tyre vendimtar në çlirimin e Kosovës.
 

“Sot është 13 vjetori i fillimit të ofensivës ajrore të Aleancës së Atlantikut të Veriut, në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Kosovë nga barbaritë e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçit.
Kjo ditë shënon shndërrimin e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Kosovë, në çështje madhore të aleancës së kombeve të lira, Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Këto sulme, të kombinuara me qëndresën heroike të luftëtarëve të lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në terren, bënë që, në një afat kohor relativisht të shkurtër, “Sadami” i Ballkanit të firmosë kapitullimin dhe të marrë fund regjimi i tij kolonial në Kosovë.
Kjo ofensivë historike për lirinë e shqiptarëve, por edhe të Ballkanit në tërësi, shënon gjithashtu dimensionin e ri në misionin e Aleancës së Lirisë, më e fuqishmja e të gjitha kohërave, në mbrojtje të lirive dhe të drejtave njerëzore.
Qeveria shqiptare shpreh edhe një herë mirënjohjen më të thellë ndaj Presidentit të SHBA-ve Bill Clinton, që udhëhoqi Aleancën në betejën për çlirimin e Kosovës, udhëheqësit politikë të asaj kohe, forcave ushtarake të NATO-s, për rolin e tyre vendimtar në çlirimin e Kosovës.
Sot është ditë në të cilën Shqipëria përshëndet popullin e Kosovës dhe udhëheqjen e saj që, në një hark kohor të shkurtër, e shndërruan Kosovën e pavarur në faktor paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi në rajon”thuhet në deklaratë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›