Legalizimet, Berisha: 80% do paguhet me letra me vlerë
TIRANE- Në mbledhjen e sotme, qeveria merr një vendim për letrat me vlerë në procesin e legalizimeve. Sipas këtij vendimi qytetarët do të kompensojnë objektet duke paguar 80 % të vlerës përmes letrave me vlerë. Kryeministri Berisha ka deklaruar se në këtë mënyrë hapet tregu më i fuqishëm i vendit dhe përmbushet detyrimi i qeverisë për 1 milion shqiptarë.
"Kam qënë President i vendit kur kam miratuar dhe urdhëruar emetimin e letrave me vlerë për qytetarët shqiptarë, ndaj ato nuk mund të injorohen" deklaroi Berisha.
Berisha bëri të ditur se i gjithë procesi i legalizimit, përveç taksës së infrastrukturës, që është taksë e qeverisjes vendore, do të kalojë përmes letrave me vlerë.
Kryeministri sqaroi se nga ky proces do të përfitojnë edhe qytetarët që kanë paguar 100% të vlerës së objektit të legalizuar.
"Qeveria do t'u rimbursojë 80% të vlerës që ata do të detyrohen ta paguajnë me letra me vlerë. Me këtë proces ne shkojmë drejt shlyerjes së detyrimit që kemi ndaj më shumë se 1 milion shqiptarëve", theksoi Kryeministri.
Qeveria vendosi edhe legalizimin e 7000 ndërtesave dhe objekteve. (e.n/BalkanWeb)