E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anëtarët e PD në KZAZ: 57 votat në kutitë e gabuara do i çojmë në KQZ

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 16-05-2011 10:31

Tiranë- Pas shpalljes së fitores nga ana e Edi Ramës me 10 vota plus dhe deklaratës për të pritur rezultatin e KQZ-së, nga ana e Lulzim Bashës, duket se vëmendja e të gjithë opinionit publik është zhvendosur në kutitë e votimit për kandidatë minibashkie, të cilat pritet të shndërrohen në “mollën e sherrit” mes dy partive politike. Sipas të dhënave të ardhura nga disa KZAZ të Tiranës, rezulton se në kutitë e votimit për kryetarë minibashkie janë gjetur deri më tani 57 fletë votimi, të cilat i përkasin garës për kryetar të Bashkisë së Tiranës, fletë të hedhura gabimisht në ato kuti. Përfaqësuesit e Partisë Demokratike pranë këtyre KZAZ-ve kërkojnë që këto fletë të cilësohen si të kontestuara dhe t’i dërgohen më pas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të vendosur në lidhje me fatin e tyre. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Partisë Socialiste shprehen se kjo është një prej manovrave të PD-së, për të ndryshuar rezultatin e Tiranës e sipas tyre, këto fletë votimi duhet të shpallen të pavlefshme. Sipas të dhënave zyrtare, mësohet se deri në këtë pikë të procesit fletët e hedhura gabim në kutitë për kryetar minibashkie janë gjetur në tre KZAZ. Në atë me numër 50, që i përket njësisë 6, janë gjetur 26 fletë; në KZAZ-në 51, që i përket njësisë 7, tetë fletë; dhe në KZAZ-në 52, që i takon njësisë 8 janë gjetur 23 fletë votimi për kandidatin e Bashkisë së Tiranës. Përfaqësuesit e Partisë Demokratike në këtë KZAZ kanë deklaruar se këto fletë do të dërgohen në KQZ, ku edhe pritet të merret një vendim. “Në kutitë e votimit për kandidatin për minibashki 6, apo në fletët e votimit për kandidatët për Këshilla Bashkiak, janë gjetur fletë votimi të vlefshme, të cilat janë për kandidatët për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Në këtë rast, KZAZ-ja vendosi që këto fletë votimi të regjistrohen në librin e protokoll-mbledhjeve të KZAZ-së, po ashtu të regjistrohen në librin e konstatimeve të KZAZ-së. Numri totali deri më tani shkon në 26 fletë votimi” – u shpreh Gëzim Çekrezi, nënkryetar i KZAZ-së së njësisë 6. Nga ana tjetër, Bujar Elezi, kryetar i KZAZ-së 51, është shprehur se për të gjitha këto fletë do të mbahet një procesverbal dhe këto fletë të kontestuara do të mbahen në një zarf të caktuar, ku do të shënohen si të kontestuara. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Pëllumb Seferi, nënkryetar i KZAZ-së 52, i cili deklaroi se në 23 raste, kur shumica ka përcaktuar pavlefshmëri të fletëve të votimit, përfaqësuesit e PD-së janë shprehur në favor të shqyrtimit të këtyre fletëve nga KQZ-ja. “Këto fletë të kontestuara nuk janë regjistruar në rezultatin përfundimtar. Këto ankesa ne i kemi pasqyruar në librin e protokollit të mbledhjeve të KZAZ-së, se kështu e përmban ligji dhe në fund fare, të gjithë këto ankesa do t’i relatojmë pranë KQZ-së, me qëllim që këto fletë të shpallura të pavlefshme, të shqyrtohen nga KQZ-ja dhe të marrin vlerësimin e duhur. Sipas nesh, ato janë te vlefshme” – deklaroi Seferi. Larg këtij debati nuk kishin si të rrinin deputetët e dy forcave politike, të cilët kanë pasur qëndrime tërësisht të kundërta në lidhje me vlefshmërinë ose jo të këtyre fletëve. Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i cili ishte prezent gjatë numërimit në njësinë 7, deklaroi se këto fletë duhet patjetër të administrohen dhe më pas t’i dërgohen KQZ-së për të vendosur. “Janë 8 vota për kryetarin e Bashkisë që janë hedhur në kutinë kryetarin për Njësinë Bashkiake. Për aspektin formal dhe juridik të procesit, është e domosdoshme që këto vota të administrohen dhe të cilësohen qartë që këto vota u gjetën në këtë kuti. Mandej është çështje e KQZ-së se si do t’i vlerësojë këto vota për njërin apo për tjetrin kandidat. Këto nuk janë vota të pavlefshme, që të kenë dy X apo tre X, por janë fletë të cilat janë hedhur gabimisht nga kutia e kryetarit të Bashkisë, në atë të Minibashkisë. Ne kërkojmë vetëm që të administrohen në rrugë formale ligjore” – bëri të ditur Imami. Në kundërpërgjigje të Imamit kanë dalë deputetët e PS-së, Vasilika Hysi dhe Arben Ahmeti, të cilët e kanë quajtur një lëvizje të radhës të PD-së për të ndryshuar rezultatin e dalë nga zgjedhjet e 8 Majit. “Në shumë nga kutitë për kryetarin e Bashkisë apo për Këshillin Bashkiak janë hedhur aq shumë fletë për Edi Ramën, pasi siç dihet shumica e elektoratit tonë janë të moshuar, por ne nuk po kërkojmë që ato fletë të quhen të vlefshme. Ato fletë nuk mund të numërohen, pasi nuk kanë formën dhe subjektin për të cilin ne po numërojmë” – deklaroi Hysi. Në të njëjtën linjë ka qenë dhe Ahmeti, i cili gjithashtu është shprehur se këto fletë nuk mund të quhen të vlefshme, pasi Kodi Zgjedhor e përcakton qartë një gjë të tillë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›