E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimi, 1 milion lekë për objekt

02/08/2010 Kreu i ALUIZNI-t në Shkozet të Durrësit Qamil Byberi, 3 vartësit e tij dhe sekseri të pandehur

Bisedat mes matësve në terren dhe qytetarëve. Pazaret që bëheshin për çdo legalizim

TIRANE- Katër specialistët e ALUIZNI-t të zyrës së Shkozetit në Durrës si dhe një sekser i quajtur Turi janë marrë të pandehur për akuzën e korrupsionit nga njësia task-forcë, pasi gjatë hetimeve kjo e fundit ka konstatuar se ata kanë shkelur të gjitha normat ligjorë për të kryer legalizimin e një objekti pa lejë. Punonjësit e ALUIZNI-t u kërkonin qytetarëve nga 300 mijë deri në 1 milion lekë në dorë për shmangien e procedurave dhe legalizimin e objektit. Sipas burimeve pranë zyrës antikorrupsion në qytetin e Durrësit, procedimi penal nr. 1346 i vitit 2009 është dërguar për shqyrtim gjyqësor kundër të pandehurve Qamil Byberi, Rexhep Kuçana, Gjon Doçi, Gentiana Gjipali dhe një shtetasi tjetër të quajtur Turi. Nga hetimet disamujore ka rezultuar se kreu i kësaj zyre Qamil Byberi, përgjegjësi i grupit të kontrollit Rexhep Kuçana, specialisti në terren Gjon Doçi dhe përgjegjësja e grupit të kontrollit në zonën e ish-kënetës Gentiana Gjipali kishin zgjedhur një mënyrë krejt të veçantë për tu bërë nder qytetarëve. Njësia hetimore task-forcë pranë prokurorisë së Durrësit ka zbardhur abuzimet e punonjësve të cilët nëpërmjet shumave financiare që u merrnin qytetarëve të ndryshëm, këtyre të fundit u regjistrohej objekti pa lejë, edhe pse për të nuk ekzistonte asnjë dosje me materialet përkatëse në zyrat e ALUIZNI-t.

Bisedat komprometuese

Në njërën prej bisedës telefonike të datës 26 janar 2010 Gentiana Gjipali bisedon me Turin, duke i thënë: “Hë mo Turi, qysh e le me atë katundarin ti?... Pasdite tha ai, nga ora 8:00. Për 300 i the ti?... Po, po, unë të thashë ty aq, ia thashë në sytë tatë. Ndajmë nga një 100 ne nesër, atyre u japim nga 50, mirë? Po, po...” Sipas prokurorisë, e pandehura Gentiana Gjipali, në kundërshtim me nenin 7 të ligjit për legalizimet dhe afatet e parashikuara në ligj, ka bërë matjet të një objekti (servil-lavazh automjetesh), i cili nuk ka qenë i deklaruar në afat nga pronari dhe për këtë ka kërkuar dhe ka marrë përfitime të paligjshme. Ky fakt rezulton nga biseda e saj me shtetasin Turi, ku rezulton se ajo ka bërë matjet në një servis automjetesh pa u vetëdeklaruar brenda afatit të parashikuar në ligj. “Edhe jo tashi tha ec, edhe te shpia kam pjesë unë aty, se ti ske punë.” “Dëgjo, - i thashë unë (se është problemi se e kam bërë pa deklaru), dëgjo i thashë unë ajo ishte servis, i ndamë me murin e shpisë tate, e more vesh? - i thashë. - Kur ke bë ti garazhin e shpisë, se ka emra, - i thashë (Franit) që nuk janë në listë, a më kupton...” “E po unë në faqe të atyre nuk i bëj pa deklarim, - tha. - ti i ke bërë me mua, - i thashë, se i ka marrë 1 milion lekë, se më hypi nervat, - E problemi se mos shkojnë të Lani, ose shko te Lani e thuaj Genta këtu, këtu muhabeti. “Po çpunë ke ti, të thonë sa të duan do venë te Lani, ti ke bë atë pjesën që je interesu, pjesën tjetër që e mbrapa.” “Jo. jo kam hall mos thotë atë reeee apo jo. Për ca ere. Që i kam marrë 2. Asnjëherë po iki. E ka hall Selimi se i thashë se ti ke bërë pa mu, se ke marrë 1 milion lekë.” Kjo është vetëm njëra nga bisedat e përgjuara që prokuroria ka dokumentuar, pasi në total mësohet se ndaj 5 të ndaluarve janë dokumentuar katër raste, ku ata shfaqeshin duke kërkuar para në këmbim të legalizimit të pronës së qytetarëve. Sipas prokurorisë, këto veprime bien në kundërshtim me nenet 7, 8 dhe 45 të ligjit për legalizimet nr. 9482 të vitit 2006 dhe për pasojë objekti pa lejë duhet të prishej nga Inspektorati i Ndërtimit.

Neni 245/1

Premtimi, propozimi ose dhënia drejtpërdrejt ose tërthorazi i çfarëdo përfitimi të parregullt për vete ose për persona të tjerë pësonit që premton ose siguron se është në gjendje të ushtrojë ndikim të paligjshëm në kryerjes e detyrës dhe marrjen e vendimeve nga personat që ushtrojnë funksione publike, pavarësisht nëse është realizuar ushtrimi i ndikimit, dënohet nga 6 muaj në 2 vjet si dhe me gjobë nga 300 mijë 1 milion lekë.

Neni 260

Kërkimi ose marrja drejtpërdrejt ose tërthorazi i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor për të kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga një milion deri në pesë milion lekë.

Të pandehurit shkelën të gjitha normat ligjore

Byber miratonte abuzimet e vartësve

Akuza: Kemi prova bindëse ndaj tyre

Në kërkesën për gjykim të përpiluar nga prokurorët e antikorrupsionit në task-forcën e Durrësit thuhet se shifrat e parave negocioheshin nga personat që kryenin matjet në teren, ndërkohë që për dhënien e miratimit shtetasit Gentiana Gjipali, Gjon Doçi dhe Rexhep Kuçana i merrnin mendim kryetarit të ALUIZNI-t Qamil Byberi. Mësohet se në shumicën e rasteve personat nën hetim flisnin në telefon me njëri-tjetrin dhe një pjesë e bisedave telefonike janë regjistruar nga ekspertët e task-forcës në Durrës, të cilët veç këtyre provave kanë administruar në procedimin penal nr. 1346 edhe pamje filmike, ku katër personat e sipërcituar shfaqen duke marrë para nga qytetarët. Specialistët e çështjes kanë mundur të dokumentojnë katër raste, ku të sipërcituarit kanë legalizuar shtëpi, garazhe dhe servise pa lejë. Të ndodhur në këto kushte, prokuroria ka firmosur komunikimin e akuzave për katër punonjësit e ALUIZNI-t si dhe në të njëjtën kohë ka marrë të pandehur edhe sekserin me emrin “Turi”. Sipas materialit të referuar në gjykatën e Durrësit, katër zyrtarët e ALUIZNI-t kanë përfshirë në procesin e legalizimit ndërtime pa leje, të cilat nuk kanë formularë vetëdeklarimi ose që u ka kaluar afati i pranimit. Këto veprime janë kryer në këmbim të marrjes së shumave 30 000 lekë deri në 1000 eurove, nga ana e personave dhe pronarëve të interesuar për legalizimin e ndërtimeve të tyre. Gentiana Gjepali rezulton se ka pranuar dokumentacion për legalizim pa formularë deklarimi për disa objekte si servis automjetesh, shtëpi, dhoma pune etj., duke marrë në këmbim para nga pronarët përkatës si dhe ka bërë matje për objekte të përfunduara pas afatit të lejuar për legalizim.

Propozimi i Ina Ramës

Topi, dekreton oficerin

prokuror në Tropojë

TIRANE- Kryeprokurorja Ina Rama i ka propozuar presidentit Bamir Topi dekretimin si prokuror të oficerit të Policisë Gjyqësore Artan Shtrungza. Mësohet se ky i fundit do të shërbejë pranë prokurorisë së rrethit Tropojë, vend në të cilin mësohet se ka ushtruar detyrën e tij disavjeçare si hetues. Dekretimi është bërë në mbështetje të neneve 149 pika 3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të neneve 8, pika 2 germa c, dhe nenit 21 pika 1 të ligjit nr. 8737, datë 12.02.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”. Nëpërmjet kësaj hapësire ligjore presidenti Topi ka miratuar kërkesën e kryeprokurores Ina Rama, duke dekretuar emërimin si prokuror në rrethin e Tropojës Artan Shtrungzën. Pritet që pas këtij dekreti në muajin shtator Presidenti të dekretojë edhe drejtuesin e prokurorisë së Tiranës, post ky që mbeti vakant pas largimit të prokurorit Genti Xholi. Aktualisht në garë janë vetëm dy prokurorë: Sokol Malaj dhe Besnik Muçi, të cilët pritet që të votohen në muajin shtator nga anëtarët e këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme. Të dy kandidaturat kanë një CV tepër pozitive për sa i përket karrierës, profesionalizmit dhe hetimit të dosjeve dhe nisur nga kjo situatë duket se gara do të jetë tepër e fortë, kur të vijë puna në përzgjedhjen e emrit që do të drejtojë prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë. Gjithçka pritet të ndodhë në muajin shtator, kur përfundojnë edhe pushimet verore, që sapo kanë filluar për punonjësit e prokurorisë.

Aksidentet në rrugë

Ashpërsohen gjobat për

drejtuesit,vendosen radarë

TIRANE- Aksidentet e shumta që kanë ndodhur gjatë kësaj kohe në kryeqytet kanë detyruar drejtuesit e Drejtorisë së Qarkullimit Rrugor që të marrin një sërë masash parandaluese, në mënyrë që të ulet numri i lartë i aksidenteve si dhe të shmangen bllokimi i rrugëve nga trafiku. Për ti bërë ballë këtij fenomeni, uniformat blu të policisë rrugore do të përdorin të gjitha format e penalizimeve për kundërvajtësit, duke filluar nga vënia e gjobave, heqja e patentës e deri në bllokimin e automjeteve. Rrugorët thanë se aktualisht po veprohet me njësi task-forcë në akset kryesore të kryeqytetit, ku janë angazhuar shërbime të policisë, si dhe janë instaluar disa radarë me qëllim kontrollin e trafikut në rrugë për të shmangur aksidentet apo shkeljet e rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e mjeteve. Ky plan masash nuk është vënë në zbatim vetëm për situatën aktuale të qarkullimit rrugor, por mësohet se ai i paraprin edhe kohës, kur në Shqipëri kthen emigrantët. Nga fluksi i madh i këtyre të fundit në Tiranë bllokohen shumë rrugë kryesore si dhe ritet ndjeshëm numri i aksidenteve automobilistike. Drejtuesit më të lartë të strukturave të Policisë Rrugore në qendër mësohet se kanë vazhduar çdo ditë verifikimin në terren për masat e marra nga shërbimet e policisë në akset rrugore të konsideruara më të rrezikshme e problematike lidhur me aksidentet. Ndërkohë mësohet se gjatë autostradës Tiranë-Durrës dhe disa segmente në Veri kryhen patrullim mes policisë shqiptare dhe asaj kosovare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›