Legalizmet, pronarët që kompensohen

Elvis Cefa, drejtor i AKPP
Janë plot 56.8 milionë lekë, që Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do tua shpërndajë ish-pronarëve që janë prekur nga ndërtimet informale.Agjencia njoftoi dje se nga shqyrtimi i kërkesave të depozituara pranë saj janë miratuar 49 prej tyre, që në total përbëjnë 92 pronarë apo bashkëpronarë, të cilëve do tu shpërndahet kësti i parë dhe i dytë i parave që duhet të përfitojnë. Gazeta boton sot të plotë emrat e përfituesve në qytetet përkatëse sipas listës së bërë publike nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Të dyja këstet, të cilat do të depozitohen në llogaritë bankare të ish-pronarëve të interesuar që kanë bërë kërkesë, kapin së bashku nivelin 37 për qind të shumës totale që duhet që të marrë secili. Depozitimi i parave në llogaritë e lëna pranë AKKP-së do të bëhet ditën e hënë. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre bankare të depozituara në AKKP, duke filluar nga dita e hënë, datë 09.05.2011, thuhet në njoftimin e Agjencisë. Kjo e fundit njofton se puna e saj në vijim do të përqendrohet në ndjekjen e procedurave përkatëse dhe shpërndarjen e fondit për ish-pronarët që kanë përfituar me një vendim të qeverisë të muajit shkurt të këtij viti.

Listat e pronarëve që kompensohen (ju lutem klikoni mbi imazhin e tabeles per ta pare me te qarte)
NERTILA MAHO