Obama, vizitë te ish-Kullat Binjake: Ne nuk harrojmë
Presidenti Barak Obama ka kryer dje një ceremoni përkujtimore në sheshin Zero, ku dikur qëndronin Kullat Binjake, të shkatërruara nga sulmi më vdekjeprurës në Shtetet e Bashkuara, ai i Al-Kaedës më 11 shtator 2001. Ceremonia u vendos të organizohej katër pas vrasjes së kreut të Al-Kaedës, Osama Bin Laden, orkestruesit të sulmeve ku humbën jetën rreth 3000 njerëz. Në shesh ishin mbledhur dje familjarët dhe kolegët e viktimave të 11 shtatorit. Po ju them se ai aksion i rrezikshëm u krye në emër të vëllezërve tuaj. Ne nuk harrojmë, tha Obama. Tashmë janë hedhur themelet e Kullës së parë, që do të ndërtohet sërish në sheshin Zero (Ground Zero). Obama, në një ceremoni solemne, vuri një kurorë në memorialin e 11 shtatorit. Ai vendosi edhe lule tek një pemë, e cila i mbijetoi sulmit. Pema ishte gjetur në vendin ku u rrëzuan kullat pas sulmit, është hequr që aty, është trajtuar me kujdes dhe pasi u bë sërish e fortë, ishte mbjellë në vendin ku qëndronte dikur. Ajo quhet Pema e Mbijetesës. Më pas Presidenti ishte kthyer dhe kishte përqafuar 14-vjeçaren Pajton Holl, e cila i kishte shkruar se si e kishte humbur të atin gjatë këtyre sulmeve. Në shesh kishte turma me flamuj dhe kamera, që kishin mbushur të gjithë sheshin e ndërtimit. Më parë, Obama kishe vizituar ekipin e zjarrfikësve që kishte punuar ditën e 11 shtatorit, pas sulmeve. Jam këtu për tju shtrënguar duart dhe për tju thënë se sa krenar jam për të gjithë ju, u tha Obama. Masat e sigurisë ishin të rrepta, ndërsa njerëzit filluan të mblidheshin në Nju Jork, në pritje të vizitës së Obamës. Presidenti kishte ftuar edhe paraardhësin e tij Bush, por ai e kishte refuzuar ftesën.