E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizohen kioskat e kunatit të Bashës, do të qëndrojnë gjithë kohën

Share

Kryebashkiaku Lulzim Basha vendos të legalizojë kioskat e ngritura nga kunati i tij, në qendër të Tiranës, pranë Rrugës Murat Toptani. Pasi i dha leje 1 mujore kunatit të tij Erion Isufi, që të ngrinte në zemër të kryeqytetit një minifshat me birrari dhe mëngjesore, ku nga ky projekt do të fitonte rreth 90 mijë euro, Basha vendosi ti legalizojë kisokat e këtij biznesi, me pretendimin se kështu do të ndillen turistët e huaj, të cilët janë gjithnjë në kërkim të gjërave të veçanta nëpër qytete e shtete të ndryshme të botës.

Sipas projektit më të ri të Bashës, i cili do të bëhet realitet gjatë vitit të ardhshëm, pedonalja ngritur për qytetarët do të shndërrohet shpejt në një pazar me kioska dhe tezga, ku papuçet dhe shallet e leshit, do të shihen dhe shiten nën tymin e qofteve dhe përmes gotave të birrave. Si kryebashkiak i metropolit, Basha mendon kështu të sjellë një treg të ri për qytetarët, të cilët nuk do të kenë një rrugë të qetë vetëm për ta, por një rrëmujë njerëzish dhe produktesh nga ato ushqimore, deri tek veshmbathjet apo suveniret. Ky pra është vizioni më i ri i Bashës për rrugën Murat Toptani, e cila nëse përgjatë viteve e shekujve ka përçuar vlera të mëdha historike e kulturore tashmë do të njihet dhe identifikohet si rruga e birrës dhe qofteve të kunatit të Bashës. Themi kështu, sepse për gjithë këtë ndryshim historie, u desh iniciativa e kunatit të Bashës, i cili në ditët e para të dhjetorit nguli në këtë rrugë rreth 40 kioska, nën emrin Qyteza e Festave të Fundvitit. Projekti me mungesë të theksuar transparence mbi procedurat e tenderimit, parashikonte që për çdo kioskë kunati i Bashës të fitonte 3 mijë euro. Sipas këtij projekti, qyteza do të funksiononte nga data 6 dhjetor-6 janar. Por, nisur nga fitimi që ka rezultuar me këtë biznes, Basha ka parashikuar që në 2012, shtëpizat të cilat më mirë mund të quhen kioska, do të qëndrojnë pothuajse gjatë gjithë vitit, madje do të shtohen dhe tezga, që e gjithë rruga të konceptohet në formën e një tregu.

Rruga Murat Toptani, gjithë vitin panair 

Në projektbuxhetin 2012, kryebashkiaku Lulzim Basha ka parashikuar krijimin e një panairi të artizanatit, i cili sipas tij, do të ndikonte pozitivisht në eksperiencën e një turisti, pasi ata vazhdimisht kërkojnë diçka autentike nga qyteti i Tiranës. Përqendrimi i produkteve të artizanatit në një treg të vetëm e bën shumë më tërheqës këtë treg dhe akoma më shumë rrit dëshirën e turistëve për të blerë një produkt artizanal dhe si rrjedhojë dhe shanset që kjo blerje të realizohet, parashikohet në buxhet. Funksionimi i një panairi të tillë mund të realizohet gjatë fundjavave pranë rrugës Murat Toptani, e cila ka disa avantazhe: është rrugë me akses vetëm për këmbësorët; është shumë afër atraksioneve kryesore të qytetit; është shumë afër qendrës së qytetit; shumë lehtë e arritshme (ka akses të madh si me makinë, me autobus, apo me këmbë). Sipas projektit të Bashës, kështu do të përfitonin dhe artizanët, të cilët do të ishin më të motivuar për ta mbajtur të gjallë traditën e tyre, pasi tashmë produktet e tyre do të ishin më pranë konsumatorëve dhe do të kishin rritje të nivelit të shitjeve dhe gjithashtu të fitimeve. Përsa i përket instalimeve të nevojshme për ndërtimin e tregut, ato do të jenë të çmontueshme, pasi tregu do të funksionojë vetëm në fundjavë dhe gjatë periudhës prill-tetor, ku dhe niveli i reshjeve është më i ulët dhe temperaturat më të larta, si dita më e gjatë falë ndryshimit të orës me 60 minuta. /Sot

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›