Topi sfidon Berishën: Nëse Presidenti zgjidhet nga populli, fitoj kundër cilitdo

Presidenti Topi ne shtepine e te moshurave ne Kavaje
Presidenti i Republikës Bamir Topi i është kundërpërgjigjur akuzave Kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit e akuzoi Topin për anësi gjatë ushtrimit të detyrës së presidentit. Presidenti deklaroi se deri ditën e fundit të mandatit do ti qëndroi zotimit për të ruajtur parimet kushtetuese, të cilat flasin për një president mbi partitë politike.
Deri në momentin e fundit, që unë do të jem në Presidencë, do respektoj Kushtetutën e vendit dhe kurrsesi nuk mund të shkoj sipas dëshirave të partive që të jem apendix i orekseve politike të partive politike, pavarësisht se cili është background-i politik i Presidentit. Pra, unë dëshiroj që të siguroj qytetarët shqiptarë që, pavarësisht insinuatave që hidhen, Presidenti do të mbetet President deri në sekondën e fundit të mandatit të tij, u shpreh Topi.
Në këtë mënyrë Topi bëri të qartë se ndryshe nga se është përfolur nuk do të ketë lëvizje për formonin e një partie tjetër të djathtë pa përfunduar mandatin e presidentit – mandat i cili përfundon në korrik të vitit 2012. Në këtë pikë, Topi theksoi se e gjitha që po flitet është shenjë e friksës nga drejtuesit e PD-së.
Ata që kanë frikë për të ardhmen politike pastaj, atëherë është çështje e tyre. Nuk kam faj unë, nëse unë kthehem në obsesion ndaj të tjerëve. Unë jam njeri i drejtpërdrejtë. Atë që e them, e them vet dhe nuk ka nevojë që ta thonë të tjerët, është shprehur Topi.
Presidenti ka ana tjetër e ka sfiduar Berishën, duke i thënë se nëse Presidenti do të zgjidhej në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli, atëherë ai do të ishte fituesi i padiskutueshëm.
Në rast se, zotërinjtë që kanë në dorë ndryshimet kushtetuese, për të bërë zgjedhjen e Presidentit ashtu sikurse e meriton, nga populli. Nëse do të ketë një ndryshim të kësaj natyre, që zor se do të ketë, sepse janë vet politikanët që i druhen verdiktit popullor, unë do të jem në garë dhe, e ftoj cilindo që të jetë në garë për të marrë verdiktin drejtpërdrejtë nga njerëzit e thjeshtë, nga populli, deklaroi Topi gjatë vizitës në Durrës.
* * *
Presidenti Bamir Topi ka zgjedhur sot Kavajën për të përcjellë urimet e festave të fundvitit për gjithë shqiptarët.
Kreu i shtetit është pritur nga të paktën 2000 qytetarë të Kavajës, ndërsa më pas ka zhvilluar një takim me kryebashkiakun Elvis Roshi dhe përfaqësues të klerit mysliman në bashkinë e qytetit.
Vizita e kreut të shtetit ka vijuar në azilin e qytetit, ku Topi ka shpërndarë dhurata e urime për të moshuarit.
Presidenti ka ndaluar edhe në Durrës, ku është pritur nga kryebashkiaku Vangjush Dako.
Pas takimit në bashkinë e qytetit bregdetar, Topi nuk ka bërë asnjë deklaratë me karakter politik, ndërsa ka vijuar vizitën me një ceremoni në Pallatin e Kulturës, ku ka dhënë medalje për dy aktorët e njohur Roland Koço, Aishe Stari dhe basketbollistin Niko Prockolaj. / M. Brunga