S’u intereson Kupa
Në gjithë botën, klubet e futbollit mezi presin rastin për të luftuar për ndonjë trofe. Kurse, në Kosovë ndodh e kundërta. Në vendin tonë, skuadrat po vazhdojnë ta injorojnë me të madhe garën për Kupën e Kosovës. Sikurse viteve të kaluara, edhe sivjet shumë skuadra kanë hequr dorë prej këtij trofeu.
Prej 54 klubeve të licencuara nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), vetëm 25 nga to sivjet do të luftojnë për Kupën shtetërore, por jo edhe 29 të tjera. Kjo pasi disa nga to nuk kanë shprehur fare vullnet për të marrë pjesë në këtë garë, e disa të tjera janë të sanksionuara, për shkak që në vitin e kaluar e kishin injoruar po të njëjtin trofe.
Në shtëpinë e futbollit kosovar, me keqardhje e pranojnë se klubet po e injorojnë keq luftën për Kupën e Kosovës. “Aq shumë po injorohet Kupa, saqë në tërheqjen e shortit nuk ka qenë prezent asnjë përfaqësues i ndonjë klubi”, thotë zyrtari i lartë i administratës së FFK-së, Bajram Neziri.
E ky fakt e ka shtyrë Komitetin Ekzekutiv të FFK-së të mendojë se s’i ta eliminojë këtë dukuri. Sekretari i shtëpisë së futbollit kosovar, Eroll Salihu nuk e përjashton mundësinë që ky organ të marrë vendim për t’i obliguar klubet që të marrin pjesë patjetër në këtë garë, qysh prej edicionit të ardhshëm.
“Ne deri më tani jemi munduar të tregohemi të kuptueshëm, sepse shumë klube janë në krizë financiare, dhe në mungesë të mjeteve nuk mund të marrin pjesë në këto gara”, deklaroi Salihu për Express.
“Por, kjo tashmë disi është tepruar. Kështu që në mbledhjet e ardhshme të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, do të diskutohet kjo temë dhe nuk e përjashtoj mundësinë që të obligohen klubet për të marrë pjesë në këtë garë”, theksoi ai.
Tërheqja e shortit për rrethin e parë të Kupës së Kosovës u bë të hënën, në lokalet e FFK-së, ku nuk ishte prezent asnjë zyrtar i ndonjë klubi.
Në rrethin e dytë, pa lojë u kualifikuan Besa, Istogu, Hysi, Liria, Fushë-Kosova, Ferizaj dhe Kosova (V), ngase kundërshtarët e tyre kanë hequr dorë nga garat.
Kurse në rrethin e parë do të ndeshen: Drenica – Arbneshët, Drita – 2 Korriku, Ulpiana – Gjilani, Prishtina – Ballkani, Ferronikeli – Tefik Çanga, Flamurtari – Trepça, Trepça ’89 – Rilindja, Mushtishti – Hajvalia dhe Deçani – Vëllaznimi.
Ndeshjet janë me sistem eliminimi dhe do të zhvillohen më 17 tetor nga ora 13:00.