Legjenda e pronave
Ndërsa po shtohen përpjekjet për të marrë një ftesë në Samitin e NATO-s në Bukuresht, midis shumë "detyrave" të tjerave, ajo e kthimit dhe kompensimit të pronave nuk duket se ka shënuar ndonjë përparim, për të mos thënë të kundërtën. Treguesi më ironik i këtij realiteti të vështirë, është heshtja e politikës; për çështjen në fjalë, duhet thënë me keqardhje, flitet pak ose aspak. Ka pasur përpara disa ditëve një prononcim të LSI-së. Përmes Sekretares Organizative, Brizida Gjikondi, kjo parti ka denoncuar shkeljen e akteve ligjore nga vetë administrata, si dhe ka paralajmëruar dështimin e legalizimeve. LSI ka vënë në dukje se, me ndryshimet e fundit në ligjin për legalizimet, qeveria shqiptare ka mënjanuar strukturat e pushtetit lokal dhe këto kompetenca ia ka kaluar ALUIZNI-t. LSI është shprehur gjithashtu se kësisoj, janë shkelur një sërë aktesh ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare për decentralizimin e pushtetit. Ndër partitë që janë përpjekur të ngrenë zërin për problematikën e pronave, këto ditë ka qenë edhe PLD; kryetari i saj, Arian Starova, ka kërkuar të shikohet mundësia për të pasur një "gjykatë të pronave". Herë pas here, përpiqet të "ndihet" në këtë temë edhe PR, që për një kohë e mbante veten si shprehëse të interesave të pronarëve. Ajo tani hedh ndonjë shashkë, sa për të ruajtur disi figurën, ndërkohë që pushteti përparon me hapa të shpejtë dhe jo në drejtimin e duhur, por atje ku i intereson atij dhe pjesës së elektoratit të cilën ai e mban të mbërthyer pas vetes; (histori që nuk është çudi të shtrihet edhe përgjatë vitit zgjedhor 2009).
Është po kaq trishtuese edhe heshtja e opozitës; përgjithësisht, pengu i pronave është prodhim i kompromiseve midis dy forcave të mëdha politike, të cilat rëndom kanë ndërruar dhe vazhdojnë të ndërrojnë pushtetin në këtë vend. (Ngjyrimi i përkatësive qëndron edhe për një pjesë të madhe të pronësimeve të padrejta dhe privatizimeve gjithaq.) Individë të veshur me pushtet, të krahut të djathtë për më tepër, nuk i kanë shtuar asgjë tablosë, me gjithë shtjellimet e tyre të herëpashershme në dobi të zgjidhjes së çështjes së pronarëve. Kështu është shprehur për përshpejtimin e procesit (të kthimit dhe kompensimit të pronave) Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Po ashtu, ka pasur disa prononcime të presidentit Bamir Topi. Përpjekjet më të fundit për fuqizimin e ALUIZNI-t, duket se nuk vijnë fort në ujdi me deklaratat e tyre. Gjithsesi, kjo sjellje e brishtë të kujton vlerën relative të idiomave që përdoren në diplomaci. Kështu, në gjuhën e profesionistëve të kësaj fushe, siç thuhet, një "Takim i dobishëm dhe praktik" (A useful and businesslike meeting), nënkupton ose është: një takim, ku nuk është arritur asgjë. Po ashtu, "Një diskutim i rëndësishëm dhe i sinqertë", (A serious and candid discussion) nënkupton: debat i madh dhe me mosmarrëveshje. Përshtatur me temën për të cilën po shkruhen këto radhë, ky stil "hiq e mos këput" ka kontribuar që çështja e pronave të mbetet e ngatërruar dhe e mjegulluar nëpër idioma dhe tekste të tjera të pasinqerta.
Ndërkaq, një tjetër aspekt i trishtueshëm i kësaj historie, është përqafimi i anarkisë. Fill pas hartimit të ligjit (më të fundit) për legalizimet, dhe sidomos pas disa shtesave me ngjyrime të theksuara anarkiste, ndërtimet pa lejë u shumëfishuan. Një fushatë (përherë e pakontrolluar) ndërtimesh pa lejë dhe spekulimesh në emër të legalizimit, e deformoi edhe më keq këtë "aksion" të rëndësishëm të qeverisë aktuale. Zyrtarë të lartë, përgjegjës për zbatimin e ligjit të legalizimeve, deklaruan atëherë se numri i ndërtimeve pa lejë ishte rreth 300 mijë (objekte). Jo më larg se para disa muajsh, shifra që përmendej më dendur bënte fjalë për rreth 230 mijë të tilla. E vërteta është se edhe sot e gjithë ditën, prirja për ta zgjidhur problemin e informalitetit të disa zonave problematike, nuk shkon paralelisht me atë të kontrollit mbi përhapjen ende pa kriter të fenomenit të ndërtimeve pa lejë. Siç kemi shkruar edhe herë tjetër, nuk mund assesi në pak radhë, të rimarrim gjithë historinë e fenomenit të shpërnguljeve masive dhe të gjykojmë mbi drejtësinë apo ngutjen e pushtetit për të legalizuar këtë segment (prej vitesh) problematik për shoqërinë dhe ekonominë shqiptare. Çështja shtrohet më shumë se thjesht: Ka vullnet për ta ndarë shapin nga sheqeri, apo do të ndiqet deviza "Pas meje u bëftë kiameti!"? Manovra e legalizimeve s'mund të përdoret pafundësisht si një instrument politik, zgjedhor, ca më tepër në shërbim të pasurimit të individëve, shtresave a partive, që bëjnë siç dinë vetë, "pa pyetur shtatë a tetë". E gjejmë më së bukuri këtë dyzim, në mos "agresion" tranzicional, në vargjet e Gjergj Fishtës: "Oh! Kur t'xash filli/ me vu ti strehë/ Sa t'u ngjatjetat/ ke për t'i njehë". Këtu disa gënjeshtra janë kthyer në faje tashmë. Shoqëria shqiptare, me nevojat e saj urgjente për më shumë drejtësi, kapitale dhe investime, s'mund të mbetet peng i një ligji, që (siç thuhet) synon të normalizojë informalitetin dhe të shkrijë akullin e disa miliardave, por nga ana tjetër shndërrohet në mbështetje për shkeljen e ligjeve të tjera, apo të interesave qytetare e shtetërore. Përpjekja e disa administratave për t'iu dhënë një zgjidhje disa problemeve dhe nevojave qytetare të imponuara nga tranzicioni, edhe përmes legalizimit, vazhdon të keqpërdoret nga individë, grupe dhe struktura (jo vetëm) vendore të papërgjegjshme.
E kemi përsëritur disa herë se ndërsa Shqipëria firmoste Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, (partitë që kanë pushtetin) zotoheshin për reforma të thella në të gjitha fushat, për bashkëpunim politik, për një rritje të shpejtë ekonomike, respekt për institucionet e pavarura, mediat dhe pakicat, kthim të pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist, e të tjera. Të gjithë e dinë, madje edhe e recitojnë, se si kthimi dhe kompensimi i pronave është një çështje jetike për integrimin e vendit. Mirëpo, nuk i dilet vetëm me frymëzime të çastit dhe kumtime të buta e sa për të kaluar radhën, ndërkohë që ka ende në fuqi ligje si ai famëkeqi 7501, ligj i cili ia dha tokën atij që (nuk) e punon. Nuk i dilet as duke i dhuruar falas tokat e të tjerëve dhe pa kompozuar një pakt social të pranueshëm nga të gjithë. Në ecshim gjithnjë kështu, kuturu, zor të na ndahen hallet; siç thuhet diku në librin "Republika e kafshëve" të Xhorxh Oruell-it: "Jeta do të vazhdojë siç ka qenë, domethënë si mos më keq...".