Morali dhe demokracia
Qysh nga momenti i lindjes në Athinën e lashtë, demokracia ka ngjallur dyshime mes atyre që besojnë se qëllimi kryesor i njerëzimit është virtyti dhe jo liria. Në librin e Tetë të "Republikës", Platoni, paksa pa ceremoni, u jep udhëheqësve politikë në një sistem demokratik këtë përcaktim: "Ata që u heqin të pasurve pasuritë e tyre për t'ia shpërndarë popullit, në të njëjtën kohë, duke u kujdesur që të lënë pjesën më të madhe për veten". Sigurisht, përbuzja e Platonit ndaj demokracisë bie në sy vazhdimisht në prozën e tij, por, gjithsesi, në diçka ai ka të drejtë: si mund të garantohen standardet e larta etike, kur zgjedhjet demokratike kanë prirjen të shpërblejnë egoizmin dhe emëruesin e përbashkët më të vogël?
Qytetarët e shoqërive të lira të ditëve tona janë (pothuajse gjithmonë) demokratë nga bindjet, traditat dhe zakonet. Vetëm një pakicë e vogël shfaqin tendenca populiste, të cilët, në rast se vijnë në pushtet, mund ta çonin shoqërinë nga demokracia në diktaturë. Sidoqoftë, te qytetarët e shteteve të sotme demokratike, në pjesën më të madhe mungon besimi në sektorin publik dhe dyshojnë për elitat e veta ekonomike dhe politike. Ky impuls është tejet i fortë mes votuesve më të rinj në moshë, meqenëse pjesëmarrja e tyre në zgjedhje po bie më shpejtësi.
Në Evropë, kjo apati shpesh konsiderohet reagim ndaj ngadalësimit të asaj dukurie që dikur dukej bum ekonomik pa kufi pas Luftës II Botërore. Por kjo është vetëm pjesë e historisë. Natyrisht, nëse do të mund garantonim një rritje të shpejtë dhe universale ekonomike, të tjera anë të dobëta të demokracisë ka gjasa të harroheshin. Por nuk mundemi dhe ajo që ofrohet në këmbim, është vizion i rremë i së mirës së përbashkët, që konsiston thjesht në seri shkurtimesh të shpenzimeve buxhetore. Prandaj s'është për t'u çuditur që qytetarët e vendeve demokratike sot gjithnjë e më shumë e drejtojnë vëmendjen në standardet e ulëta etike të elitave të tyre kombëtare.
Në mënyrë të nënvetëdijshme, qytetarët presin nga udhëheqësit e vet, të shfaqin të tilla virtyte të lidershipit të lashtë, si paanësia, kurajoja dhe përkushtimi ndaj detyrës shtetërore. Por, në vend të kësaj ata shohin shpirtvogëlsi dhe rendje pas egoizmit të ngushtë. Për më tepër, demokratizimi i konsiderueshëm i zakoneve 20 vjetët e fundit çoi në një rritje të madhe të kureshtjes aq të rëndomtë njerëzore, për njerëzit që ndodhen në qendër të vëmendjes: kush janë liderët tanë, si rrojnë dhe çfarë besojnë në të vërtetë.
Ish-presidenti i Francës, Fransua Miterani (François Mitterrand), me sa duket, ishte i fundmi burrë shteti evropian që është trajtuar nga kombi i vet si një monark i dikurshëm. Të metat e shumta të tij personale dhe veprimet pa vend, asnjëherë nuk janë gjykuar publikisht. Sot, mediat tabloide na tregojnë gjithçka dhe gjithçka i nënshtrohet gjykimit publik. Kështu krerët e demokracive tona trajtohen si persona të famshëm, që jetojnë në derën tjetër. Dera është e hapur, dhe nuk na pëlqen çfarë shohim.
Gjatë një seance dëgjimi, para pak kohësh, para një komiteti hetimor të Parlamentit Polak, një funksionar shtetëror iu përgjigjej pyetjeve më të thjeshta me të njëjtën frazë: "Nuk më kujtohet". Duke iu përgjigjur pyetjes për kujtesën e tij të dobët, ai tha i acaruar: "Përse pritet që unë duhet të mbaj mend këto gjëra, në një vend ku Presidentit s'i kujtohet nëse ka mbaruar universitet?". Ish-presidenti i Polonisë, Aleksandër Kvashnjevski (Aleksander Kwasniewski) dha një mësim pervers të virtytit, kur, duke qenë i kapur për gënjeshtrën mbi diplomimin e tij, protestoi se nuk mban mend se a ka mbrojtur vërtetë disertacionin, sikurse kërkohej për marrjen e gradës shkencore.
A mundet që në një mjedis të tillë të rivendosej morali publik?
Një nga nismat e para të presidentit të Francës, Nikola Sarkozi (Nicolas Sarkozy), ishte propozimi për të ndaluar "parashutat e arta", (parachutes dorés). Ky propozim kishte të bënte me ata menaxherë që largohen nga postet e veta në firmat, aksionet e të cilave kuotohen në bursë, më qëllim që t' jepet fund praktikës së pagesave të kolosale për largim nga puna pa pëlqimin e aksionerëve. Sarkozi propozoi në mënyrë korrekte që menaxherët e firmave aksionere publike, ashtu si dhe politikanët, janë figura publike, të cilët duhet t'u përmbahen standardeve etike minimale të sjelljes.
Në Zvicër, Tomas Minderi (Thomas Minder), kreu i kompanisë kozmetike "Trybol", po lufton gjithashtu për këtë gjë dhe po kërkon referendum të përgjithshëm. Në Gjermani, Gjykata Kushtetuese Federale ka urdhëruar parlamentarët të bëjnë publike të gjitha të ardhura e tyre - shpesh ato nga veprimtaritë lobiste në emër të biznesit të madh - në Internet. Në Poloni, ku për shumë vite praktika të tilla konsideroheshin kriminale, një ligj i propozuar kërkon transparencë financiare të plotë për politikanët dhe funksionarët e lartë shtetërorë. Kryeministri britanik, Gordon Brauni (Brown), nga ana e vet, ka propozuar t'i hiqet imuniteti që kanë gëzuar kryeministrat e mëparshëm, lidhur me shitjen e "Perit" (Peerages - titull fisnikërie).
Madje, nëse këto nisma motivohen nga rivaliteti mes partive, ato, të paktën, shtrojnë një pyetje thelbësore: A dimë si ta fisnikërojmë demokracinë tonë? A mund t'i imponojmë vetes një korse standardesh më të larta morale, duke refuzuar në këtë mënyrë kundërshtimet e Platonit ndaj demokracisë, të cilat janë gjithashtu tonat?
Evropa mund të marrë përsipër rolin udhëheqës në kthimin e moralit në politikë. Qëllimi i Traktatit Reformator, i cili duhet të miratohet në vitin 2009, është kapërcimi i atij që supozohet si "deficit demokratik" në BE. Por që institucionet politike të Evropës të japin llogari para qytetarëve, kjo është gjysma e betejës. Ruajtja e jetës së BE-së dhe shteteve anëtare të saj shënon një detyrë, e cila duhet të fiksohet në Traktat: Të respektohen standarde sjelljeje zyrtare, që kërkojnë sot qytetarët!
*Jan Rokita, aktivist i lëvizjes "Solidaritet", deputet i Parlamentit Polak që nga viti 1989, ka qenë kandidati i Platformës Civile për postin e Kryeministrit më 2005-ën
Përktheu: Vladimir Mustaqi