Heroi zhvendos Rilindjen
Heroi Kombëtar, 540- vjetori i vdekjes në Galerinë Kombëtare zhvendos pavijonin e Rilindjes
Për të ekspozuar një cikël tablosh për Skënderbeun, duhet shkulur një pavijon i tërë i Galerisë Kombëtare të Arteve. Kjo ndodh ose sepse Galeria s'ka hapësira të tjera ekspozuese ose s'ka salla më të mira se ajo ku rri e hapur ekpozita permanente e Rilindjes e quajtur ndryshe Pavijon i Rilindjes. Brenda ditës së djeshme janë hequr tablotë e Kolë Idromenos, Vangjush Mios, Spiro Xegës, Zef Kolombit etj dhe janë zëvendësuar me tablo të piktorëve qoftë të Rilindjes, qoftë bashkëkohës ku në qendër është figura e Skënderbeut ose epoka e tij. Ekspozita "Skënderbeu në artet pamore" që hapet sot në orën 18.00 me vepra nga koleksioni i GKA mbahet me rastin 540-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Janë 22 vepra në pikturë (vaj) dhe 5 portrete në skulpturë (dru, bronz) të artistëve Spiro Xega, Sali Shijaku, Vilson Kilica, Nestor Jonuz, Guri Madhi, Nexhmedin Zajmi, Ibrahim Kodra etj. Shfaqen edhe veprat e para mbi Heroin të realizuara nga Anastas Ballamçi (1889) dhe skulptura në bronz e Murat Toptanit (1917).
Për herë të parë një ekspozitë e tillë e këtij lloji, homazh për Gjergj Kastriotin do të hapej po në GKA në vitin 1968 me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit. Organizatore e "Skënderbeu në artet pamore" është Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe ky është aktiviteti i parë për këtë vit që frymëzohet nga kjo ministri. Si fillim viti po ia nis me një zbythje veprash arti nga gozhdët në fondet e errëta të Galerisë Kombëtare.