E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legjionarët, disa në stol disa në fushë

Starti i djeshëm i kampionateve më të mëdha europiane nuk ka qenë shumë entuziast dhe inkurajues për pjesën më të madhe të legjionarëve kuqezinj. Pjesa më e madhe e këtyre futbollistëve nuk kanë mundur të shijojnë nga parë dhe ka bërë një tjetër prezantim dinjitoz. Edhe në javën e dytë të ligës franceze Cana jo vetëm që është konfirmuar si titullar, por edhe si një nga pikat e forta të mesfushës së Olimpikut të Marsejës, e cila këtë sezon shihet si një nga pretendentet kryesore për fitimin e titullit dhe për të sfiduar hemogjeninë e Lionit. Prezenca e Canës në skuadër nuk është vënë asnjëherë në dyshim nga ana e trajnerit Albert Emon, ndërkohë që kosovari është shndërruar në idhullin e tifozerisë marsejeze.
Ervin Skela
Surpriza më e madhe ka ardhur nga kampionati gjerman, ku Skela është aktivizuar si titullar për skuadrën e tij të Kotbusit në ndeshjen me Bajer Leverkusen. Skela ka luajtur për 75 minuta, për t'u zëvendësuar më pas nga trajneri Sander, i cili në minutat e fundit të ndeshjes ka tentuar tërheqjen e skuadrës për të ruajtur barazimin. Në të vërtetë skuadra e vlonjatit Skela ka arritur me meritë që të marrë një barazim pa gola në transfertën e vështirë më Bayer Leverkusen. Pa dyshim që një kontribut të rëndësishëm në arritjen e këtij rezultati ka dhënë edhe mesfushori kuqezi, paraqitja e të cilit ishte pozitive dhe inkurajuese. Një meritë të jashtëzakonshme në këtë drejtim ka pasur trajneri i skuadrës së Kotbus, Petrik Sander, i cili nuk hezitoi të mbështeste dhe t'i jepte besimin e duhur Skelës, pavarësisht dëmtimit të rëndë që pësoi në fund të sezonit të kaluar. Ndërsa u përfol edhe largimi i mesfushorit nga fusha e blertë, inkurajimi i dhënë nga stafi i Kotbus dhe vecanërisht nga trajneri Sanders, bën që Skela jo vetëm të rikuperohej në kohë, por të rigjente formën e duhur duke qenë një nga titullarët e mesfushës së kësaj skuadre.
Altin Lala
Pas heqjes së shiritit të kapitenit, një tjetër zhgënjim ka shoqëruar mbrojtësin kuqezi Altin Lala, i cili luan për skuadrën gjermane të Hanoverit. Lala nuk është aktivizuar për asnjë minutë në ndeshjen e parë debutuese të këtij sezoni që Hanover ka luajtur përballë Hamburgut. Ndërsa pritej që të ishte titullar në këtë takim, cuditërisht Lala është lënë në stol nga trajneri i Hanoverit, i cili nuk ka preferuar aktivizimin e mbrojtësit kuqezi. I vetmi "ngushëllim" për Lalën duket se do të jetë mungesa e përgjegjësisë, pasi shokët e skuadrës së tij e kanë humbur ndeshjen në fushën e Hanover me rezultatin minimal 0-1 përballë Hamburgut, ku Benjamin u ka dhuruar miqve fitoren me një gol të shënuar prej tij në minutën e 23-të të ndeshes.
Edmond Kapllani
Pas një sezoni të shkëlqyer, ku Kapllani shpërtheu si goleador në kategorinë e dytë të kampionatit gjerman, për sulmuesin durrsak sot nis zyrtarisht aventura në Bundesligë. Kapllani ka luajtur si titullar në ndeshjen e djeshme që skuadra e tij Karlsruhe luajti në transfertë përballë Nurembergut. Edhe pse ka qenë tepër i kërkuar në merkato nga skuadra të ndryshme, vendimi i Kapllanit për të qëndruar te Karslruhe duket se i ka siguruar fanellën e titullarit, ku durrsaku pritet të jetë një nga pikat kyce të sulmit të kësaj skuadre.
Besart Berisha
Java e parë premierë e kategorisë së parë të kampionatit anglez ka rezultuar zhgënjyese edhe për sulmuesin e ri kosovar, Besart Berisha, i cili nuk ka mundur të debutojë në fushë me skuadrën e tij të re Burnley. Berisha është lënë në stol në ndeshjen që Burnli ka fituar dje me rezultatin 2-1 ndaj WBA. Në këtë vendim, duket se ka ndikuar prezantimi jo i mirë që sulmuesi kosovar ka bërë me skuadrën angleze të Burnlit, gjatë miqësoreve të zhvilluara në periudhën përgatitore të këtij sezoni. Gjithsesi për Berishën, tashmë nevojitet shumë punë për të rifituar besimin e trajnerit dhe për të zënë një vend titullari në radhët e skuadrës angleze.
Tare dhe Bogdani
Fillimi i sezonit vazhdon të jetë shqetësues dhe po kalon përmes enigmave dhe dilemave të mëdha për dy sulmuesit shqiptarë të kampionatit italian Erjon Bogdani dhe Igli Tare. Asnjë prej futbollistëve kuqezi nuk e ka zgjidhur ende pikëpyetjen e skuadrave të reja në karrierën e tyre. Ndërkohë që i sigurt është fakti se si Bogdani, ashtu edhe Tare, nuk do të luajnë sezonin e ardhshëm për skuadrat aktuale, përkatësisht Kievo dhe Lacio. Për Bogdanin me shumë mundësi do të realizohet transferta drejt Kajlarit, kurse për Taren, shanset janë për një kalim të mundshëm te skuadra franceze e Olimpikut të Marsejës.

Shaban Sulce

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›