E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lehtësimi i tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor, Gazheli takim me ekipin e BB

TIRANË, 2 shtator /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, priti sot në një takim ekipin e Bankës Botërore, në kuadër të projektit “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit të Ballkanit Perëndimor 2.0” (Western Balkans Trade and Transport Facilitation Project 2.0).

Gjatë takimit u diskutua për modernizimin e sistemeve doganore, projektin Green Lane, përmirësimin e laboratorit doganor dhe nisma të tjera që synojnë lehtësimin e tregtisë dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Projekti i Lehtësimit të Tregtisë dhe Transportit të Ballkanit Perëndimor 2.0 ka si qëllim të ulë kostot e tregtisë, të rrisë konkurrueshmërinë dhe të përmirësojë efikasitetin e transportit në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi.

Ky projekt synon të trajtojë disa prej problemeve kryesore që pengojnë zhvillimin e tregtisë në rajon, siç janë vëllimi i ulët i eksporteve, infrastruktura e pazhvilluar dhe kostot e larta të përputhshmërisë rregullatore që pengojnë lidhjet më të thella tregtare në rajon.

Projekti synon të çlirojë potencialin më të lartë të eksporteve dhe të nxisë rritjen ekonomike, duke e përputhur këtë me Planin e Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Ai promovon investimet në infrastrukturë dhe digjitalizimin për të ulur kohën e kalimit të kufijve dhe për të rritur parashikueshmërinë për tregtarët, duke gjeneruar fitime për mirëqenien për të dyja palët, Ballkanin Perëndimor dhe vendet fqinje të BE-së.

1 nga 6

/r.e//a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›