E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrezikuan për të dalë nga burgu kriminelë

Përplasja Drejtuesi i prokurorisë: Gjykata e Apelit funksionon në mënyrë të çrregullt. Kreu i gjykatës: Prokurorët nuk lexojnë dosjet

Gjykata dhe Prokuroria e Apelit në Tiranë vazhdojnë debatat në distancë, duke akuzuar njëra-tjetrën për neglizhencë në detyrë. Gazeta “Shqip” ka komunikuar me kryetarin e gjykatës, Metush Saraçi, i cili ka deklaruar se prokurorët e apelit paraqiten në gjyq pa lexuar dosjet. Duke iu përgjigjur kësaj deklarate, drejtuesi i Prokurorisë së Apelit, Shkëlqim Hajdari, ka pohuar se si pasojë e keqfunksionimit të Gjykatës së Apelit kanë rrezikuar për të dalë nga burgu persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Kryetari i gjykatës deklaron se do të mbledhë trupën gjyqësore për të analizuar punën dhe për të rekomanduar marrjen e masave ndaj Prokurorisë së Apelit, duke informuar edhe zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Nga ana tjetër, drejtuesi i prokurorisë pohon se ka informuar herë pas here Kryeprokuroren Ina Rama për të gjitha problemet me Gjykatën e Apelit.

Kryetari i gjykatës

Prokuroria e Apelit në Tiranë ka “akuzuar” disa ditë më parë gjykatën e të njëjtit nivel se nuk ka pranuar apelet e akuzës. Nga 290 çështje, gjykata ka pranuar vetëm 30. Akuza tjetër ka qenë për vonesën në zbardhjen e vendimeve, duke ia bërë të pamundur kryerjen e rekursit në Gjykatën e Lartë. Gazeta “Shqip” komunikoi dje me kryetarin e Gjykatës së Apelit të Tiranës, Metush Saraçi, i cili deklaroi se prokuroria është palë në proces, dhe efektshmëria e tyre është vetëm shtatë për qind. Ai tha se “akuzat” e kreut të Prokurorisë së Apelit, Shkëlqim Hajdari, janë të pabaza, pasi prokurori në fjalë nuk ka përfaqësuar prokurorinë në 3000 dosjet penale që janë gjykuar në këtë gjykatë. Prej dy vjetësh, theksoi Saraçi, drejtuesi i prokurorisë nuk e ka përfaqësuar asnjëherë akuzën dhe i cilëson deklaratat si tendencioze. Ai tha se do ta mbledhë trupën gjyqësore për të vendosur hapat e mëtejshëm, ndërsa theksoi se ka informuar verbalisht edhe zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Një akuzë e rëndë nga kryetari i Gjykatës së Apelit për prokurorin e të njëjtit nivel ishte mospërgatitja e prokurorëve në proceset gjyqësore, duke deklaruar se shumë dosje janë “harruar” në sirtarë. “Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit nuk tregon realitetin. Ai personalisht, që prej dy viteve që drejton atë institucion, nuk ka ardhur ndonjëherë në një proces gjyqësor për të përfaqësuar akuzën. Gjatë gjithë kësaj kohe nuk ka ardhur në asnjë rast pranë Gjykatës së Apelit për të rakorduar apo sugjeruar mënyrën e punës në bashkëpunim. Prokuroria, ashtu si i pandehuri dhe mbrojtësi i tij, janë palë në një proces gjyqësor dhe nuk ka të drejtë ligjore e juridike të kritikojë punën e Gjykatës së Apelit”, theksoi Saraçi, duke shtuar se akuza e moszbardhjes së vendimeve është një mashtrim, pasi më parë nuk ka marrë asnjë ankesë nga prokurorët.

Drejtuesi i prokurorisë

Kryeprokurori i Apelit të Tiranës, Shkëlqim Hajdari, në një prononcim për gazetën nga SHBA-ja, ku po kryen një vizitë punë, ka deklaruar se Gjykata e Apelit funksionon në mënyrë të keqe, si pasojë e keqmenaxhimit. “I rikujtoj kryetarit të gjykatës se në muajin qershor-korrik, prokurorët kanë qenë të detyruar të marrin pjesë në 400 gjyqe që janë bërë me shpejtësi, si pasojë e organizimit të keq të datave të gjyqeve. Prokurorët kanë qenë të detyruar të merrnin pjesë, pasi rrezikonin të dilnin nga burgu të pandehur me rrezikshmëri të madhe shoqërore”, deklaroi Hajdari. Ai tha se në asnjë rast nuk është shtyrë gjyqi për mungesë të pajustifikuar të prokurorëve. Duke shpjeguar deklaratat gjatë analizës së akuzës, drejtuesi i Prokurorisë së Apelit ka deklaruar se “nuk kam bërë akuza ndaj kreut të gjykatës, por kam bërë një analizë pune, gjatë se cilës kam ngritur problemet që shqetësojnë prokurorinë në luftën kundër kriminalitetit”. Më tej shton se të gjitha çfarë ka thënë, janë të bazuara në fakte dhe statistika. “Në këto dy vjet të drejtimit të Prokurorisë së Apelit, më është dashur të punoj për kushtet e punës së institucionit që drejtoj. Kam punuar për të stabilizuar funksionimin e Prokurorisë së Apelit në kushte komode dhe shumë shpejt do të jem pjesëmarrës në Gjykatën e Apelit për të mbrojtur çështje penale”, tha Hajdari, duke shtuar se do të jetë në dispozicion të Gjykatës së Apelit për të diskutuar konkretisht të gjitha të metat dhe dobësitë midis prokurorisë dhe gjykatës. “Jam i gatshëm të diskutoj për të gjitha problemet, me qëllimin e vetëm për të rritur standardet ndaj luftës kundër krimit”, pohoi drejtuesi i prokurorisë, duke shtuar se “uroj dhe shpresoj që të ndërpresim komunikimin mediatik dhe të kemi një bashkëpunim institucional”. Ai tha se nuk do kurrsesi që kjo marrëdhënie pune të kthehet në një konflikt privat, pasi respekton kryetarin e Gjykatës së Apelit dhe të gjithë gjyqtarët për funksionet e tyre gjatë zbatimit të ligjit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›