E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lejet e ndërtimit, 2.9 milionë metra katrorë në 2008-ën

Volumi i investimeve të programuara në sektorin e ndërtimit në Shqipëri arriti në 763 milionë euro gjatë vitit 2008, gati tre herë më shumë se në 2007-ën, por ende shumë poshtë maksimumit historik prej 892 milionë eurosh të programuara në vitin 2005. Lajmi bëhet i ditur nga Instituti i Statistikave. Në vitin 2007 qe dhënë një numër minimal lejesh ndërtimi, të cilat mbanin një vlerë investimi prej vetëm 310 milionë eurosh, kryesisht për shkak të konflikteve administrative mes qeverisë qendrore dhe atyre vendore për çështje kompetencash.

Biznesi dhe individët morën leje ndërtimi për 2.9 milionë metra katrorë pallate, shtëpi private e ndërtesa industriale gjatë vitit të kaluar, por zbatimi i shumë prej projekteve në fjalë është pezulluar për shkak të krizës. INSTAT raporton numrin e lejeve të ndërtimit, sipërfaqet dhe kostot e programuara të investimeve. Sipas statistikave, që nga viti 1994, kur ndërtimi privat filloi, në Shqipëri janë ndërtuar 15.7 milionë metra katrorë shtëpi dhe apartamente, me kosto të përgjithshme ndërtimi prej 400 miliardë lekësh. Kështu, vendi ka ndërtuar 150-200 mijë banesa në 15 vjet, gjë që ka rritur stokun kombëtar të shtëpive me më shumë se një të tretën. Një numër i panjohur banesash janë ndërtuar pa leje të rregullt.

Industria e ndërtimit është përqendruar edhe më shumë në sektorin e banesave gjatë vitit 2008, por rritjen më të fuqishme e patën investimet për ambiente tregtare. Kështu, statistikat tregojnë se në të gjithë vendin u programua ndërtimi i 265 mijë metrave katrorë ndërtesash tregtare, shifër kjo dy herë më e madhe sesa në vitin 2007.

Biznesi duket gjithnjë e më pak i interesuar për ndërtim hotelesh. Gjatë vitit të kaluar u morën leje ndërtimi për vetëm 11 mijë metra katrorë hotele.

Shumë ekspertë besojnë se tregu i ndërtimit ka mbërritur sakaq në pikën e ngopjes dhe se çmimet mund të ulen si pasojë e tepricës së bollshme të apartamenteve të pashitura në treg. Në shumë qytete, apartamentet e ndërtuara kapërcejnë shumë herë kërkesën. Vetë ndërtuesit raportojnë se në zonën qendrore të vendit kanë mbetur mbi 4 mijë apartamente të pashitura.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›