E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH, Dollapi jep dorëheqjen: Largohem për 102 milionë euro

Marrëveshja për privatizimin e OSSH-së ishte e qartë. Në momentin që CEZ do të derdhte në arkën e shtetit 102 milionë euro, detyrimisht Këshilli Mbikëqyrës i OSSH-së jepte dorëheqjen, bashkë me drejtorin Sahit Dollapi, duke i hapur rrugë drejtimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes nga kompania çeke. Pas një periudhë të gjatë kohe, gati dyvjeçare, privatizimit të OSSH-së i ka ardhur fundi, ndërsa mbetet për t‘u parë se çfarë modeli do të sjellë CEZ në menaxhimin e kompanisë që sapo ka blerë. Plot 102 milionë euro janë derdhur në arkën e shtetit, si çmim për blerjen e 76 për qind të aksioneve. Aktualisht nuk dihet ende se deri ku do të shtrihet reforma në OSSH pas largimit të drejtorit Dollapi, por i sigurt është fakti se Këshilli Mbikëqyrës do të drejtohet nga CEZ me shumicën e anëtarëve. Drejtori i OSSH zhvilloi dje konferencën e fundit në media, duke konfirmuar vendimin për largimin nga detyra, ndërsa pritet me interes emri i zëvendësuesit. "Sot, (dje) ndjehem shumë i kënaqur, që po ju informoj se CEZ Group ka derdhur në arkën e shtetit 102 milionë euro dhe kjo është arsyeja që unë, sot, sipas kushteve të kontratës, paraqes dorëheqjen, bashkë me Këshillin Mbikëqyrës", u shpreh Sahit Dollapi, i cili e ka drejtuar OSSH-në për rreth katër vjet.

Reforma

Autorizimi i dhënë pak ditë më parë nga Autoriteti i Konkurrencës për kalimin e 76 për qind të aksioneve nga Ministria e Energjetikës te CEZ i jep fund odisesë së gjatë për privatizimin e OSSH-së. Derdhja e 102 milionë eurove në arkën e shtetit finalizon projektin, ndërsa pritet zhvillimi i ceremonisë për kalimin zyrtar të kompanisë te çekët. Gjatë konferencës, Dollapi përmendi disa reforma të ndërmarra në dy vitet e fundit, kur OSSH veproi si e pavarur. Duke falënderuar stafin, ish-kreu i OSSH-së tha se "i kemi shërbyer vetëm një qëllimi: mirëmenaxhimit të kompanisë, duke siguruar kështu furnizim 24 orë me energji dhe duke e bërë kompaninë tërheqëse për investitorët e huaj". Dollapi nuk përmendi shifra konkrete të arkëtimeve dhe humbjeve teknike, por mjaftoi të thoshte se kishte realizuar objektivin. "Pas 4 vitesh me shumë sfida të vështira dhe punë të lodhshme, të gjithë bashkë ia dolëm të realizojmë me sukses një prej qëllimeve strategjike të qeverisë shqiptare, privatizimin e OSSH-së nga një prej kompanive më lider në Evropë në tregun e energjisë, te CEZ Group", tha ai. Në realitet, OSSH paraqitet me financa të dobëta, larg objektivit, me humbje të energjisë elektrike që i kalon 30 milionë dollarë për vitin 2009, kur 2008 rezultoi me bilanc minus 60 milionë dollarë. Që prej korrikut 2008, OSSH ka operuar e ndarë nga KESH, në funksion të procesit të privatizimit. Detyrën më të vështirë e ka pasur KESH, që iu desh të identifikonte dhe vlerësonte nga e para asetet e OSSH, borxhet e vjetra dhe mbylljen e negociatave me të huajt, për detyrimet që Shpërndarja kishte ndaj disa marrëveshjeve.

"I kemi shërbyer vetëm një qëllimi: mirëmenaxhimit të kompanisë, duke siguruar furnizim 24 orë me energji"

"Falënderoj Berishën

dhe Rulin për besimin"

"Falënderoj Kryeministrin, që më dha shansin për t‘u provuar në këtë ndërmarrje vërtet sfiduese, por edhe ministrin Genc Ruli, i cili më ka mbështetur në çdo hap dhe që ka drejtuar me sukses politikën e privatizimit të OSSH-së", tha dje ish-kreu i OSSH-së, Sahit Dollapi. Duke u ndalur te puna me konsumatorët, Dollapi shtoi se "e kanë kuptuar që metodat jo të buta të përdorura shpeshherë nga ne kanë pasur vetëm një qëllim: furnizimin pa ndërprerje të konsumatorëve me energji elektrike".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›