E Diel, 1 Nëntor 2026

Lekbello e nis me fitore, Tirana gdhihet në krye

TIRANE - Artur Lekbello e ka nisur me një fitore aventurën e tij në krye të Tiranës, e cila mori 3 pikë nga një ndeshje shumë e vështirë në Gjirokastër. Kundër Luftëtarit, bardheblutë kanë përfituar edhe nga fakti që luhej pa tifozë, duke regjistruar fitoren e tretë në katër ndeshjet e para. Në pritje të Skënderbeut, që luan nesër përballë Laçit, 24 herë kampionët e vendit kanë marrë maksimumin, duke konfirmuar veten si pretendentë për fitimin e titullit kampion. Ndërkohë, barazim për Flamurtarin, që duket se po vazhdon formën mediokre të këtij fillim sezoni, duke lënë pikë edhe në ndeshjet që duken të sigurta.
Tirana
Luftëtari e ka nisur ndeshjen në mënyrë shumë agresive, duke tentuar të befasojë kryeqytetasit, me të cilët nuk fitonin prej 26 vjetësh. Gjithsesi, ishin bardheblutë ata që shënuan të parët, kur në minutën e 14-të, Morina pason bukur për Çotën dhe ky i fundit finalizon në portën e mbrojtur nga Selimaj. Një "shock" në radhët e gjirokastritëve, të cilët tentojnë me çdo mënyrë të barazojnë. E megjithatë, dëshira e madhe për të shënuar, ka bërë që Luftëtari të lërë shumë hapësira mbrapa, aty ku Tirana ka patur disa shanse të mira për të dyfishuar shifrat. Duro rrezikoi nga goditja e dënimit, Sina për pak shënoi pas një goditje këndi, ndërsa Morina tentoi nga distanca, duke bërë që Tirana ta dominonte ndeshjen. Në pjesën e dytë, Nora, Çaço e Lluka kanë goditur disa herë në portën e Likës, por pa mundur të gjejnë golin. Trajneri Lekbello hodhi në fushë edhe Abilaliajn, i cili debutoi zyrtarisht me fanelën e Tiranës. Pjesa e mbetur e ndeshjes ka qenë e luajtur kryesisht me vendasit në sulm, por bardheblutë kanë treguar se kanë një mbrojtje hermetike, duke marrë 3 pikë të tjera dhe duke u ngjitur në kuotën e 10 pikëve, të vetëm në krye të klasifikimit.
Flamurtari
Tifozët vlonjatë prisnin të shijonin fitoren e parë në shtëpi në këtë sezon, por përballë Shkumbinit, Flamurtari ka zhgënjyer sërish. Triumfi i javës së shkuar në Berat, solli një tjetër ndeshje mediokre për ekipin e Hulian Rubio Sançez, që megjithëse është ndërtuar për titull, duket shumë larg tij. Pas një pjese të parë pa gola, Flamurtari kaloi në avantazh në fillimin e të dytës, me anë të Migen Memellit, që realizoi me penallti. Trajneri Gugash Magani, që rikthehej pas 10 muajsh në Vlorë, e hodhi ekipin të gjithi në sulm, duke u shpërblyer në minutën e 80-të. Pas një goditje këndi, Devolli e Gjata zhvilluan një skemë të bukur dhe ky i fundit barazoi shifrat, duke befasuar Rubio në pankinë. 

(er.nu/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›