E Diel, 1 Nëntor 2026

Lekët mbaruanNga Ervin Qafmolla Kriza ekonomike, shpërndarja e fondeve publike me lopatë para zgjedhjeve e të tjera si këto, të raportuara muajt e fundit nga media, tashmë janë thjesht copëza mozaiku të një tabloje të zymtë të ekonomisë shqiptare. Çk

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Lekët mbaruanNga Ervin Qafmolla

Kriza ekonomike, shpërndarja e fondeve publike me lopatë para zgjedhjeve e të tjera si këto, të raportuara muajt e fundit nga media, tashmë janë thjesht copëza mozaiku të një tabloje të zymtë të ekonomisë shqiptare. Çka deri dje ishte një paralajmërim në unison nga çdo aktor që nuk ishte në listëpagat e qeverisë, sot është një inerci e pashmangshme. Qeverisë i kanë mbaruar paratë. Xhepi i madh i fondeve publike, i cili virtualisht dhe praktikisht ka pasur gjithnjë pará, në mos për të zhvilluar vendin, të paktën për të mundësuar evoluimin e ngadaltë të një status quo-je të ekonomisë së tranzicionit, sot është bosh.

Lajmin e dha këtë javë vetë Këshilli i Ministrave përmes një vendimi të paprecedent, sipas të cilit bllokohen të gjitha prokurimet publike duke filluar nga data 3 gusht. Gjithçka do të qëndrojë e ngrirë deri në një urdhër të dytë, i cili nuk dihet kur do të vijë dhe nëse do të vijë një ditë. Vendimi në fjalë mban titullin jo-ortodoks e gati-gati komik: “Për një përdorim me efektivitet të fondeve për investime”. Me anë të këtij vendimi, qeveria vendosi mosfillimin e procedurave të prokurimit për fondet e investimeve, të miratuara me ligjin nr. 10025, datë 27.11.2008, “Për buxhetin e vitit 2009”, të paprokuruara deri më 3.8.2009.

Investime të paprokuruara janë investimet, për të cilat deri më 3.8.2009, nga Agjencia e Prokurimit Publik nuk janë shpallur ose rishpallur procedurat e prokurimit. Bëjnë përjashtim nga ky vendim, kryesisht ato investime, të cilat janë parashikuar të realizohen me bashkëfinancim me institucione ndërkombëtare.

Ndërkaq, shuma për të cilën flitet është rreth 214 milionë euro investime të parashikuara, të cilat praktikisht janë bllokuar.

Justifikimi i qeverisë

Në tentativë për të përgënjeshtruar mynxyrën financiare të parashikuar prej kohësh nga media dhe të realizuar me sukses nga qeveria, kjo e fundit ose më saktë, vetë Kryeministri i shkuar dhe sipas të gjitha gjasave i ardhshëm i vendit, Sali Berisha, sqaroi se bllokimi nuk kishte ndodhur për arsye pamjaftueshmëri fondesh, por për efekt mirëmenaxhimi në kuadër të formimit të qeverisë së re “Berisha”. Kryeministri sqaroi se në muajin shtator një qeveri tjetër nis nga puna dhe se kjo qeveri që vjen, sapo të instalohet, ka të gjitha kapacitetet për të ushtruar të gjitha prerogativat e saj, sepse një ministër apo zëvendësministër në fillim të detyrës së tij do të konsolidojë administratën, para se të merret me këto çështje. “Pra, kjo ka të bëjë thjesht me ndryshimin e qeverisë”, - theksoi Berisha. Por veç pak sekonda më vonë në vijim të së njëjtës deklaratë, ai shpalosi disa arsye të tjera të bllokimit të tenderëve: “Unë mund t’u garantoj ju se ky është viti i investimeve më të mëdha në historinë e këtij vendi. Vitin e kaluar është investuar 10% të prodhimit të brendshëm”. Madje Berisha pranoi se nuk dinte asnjë qeveri në botë që të ketë këtë përqindje investimi. Në fakt, në kohë krize, shpërndarja e parave të buxhetit të shtetit “me lopatë” dhe mundësisht në një projekt të vetëm, siç është rruga Durrës-Kukës për shembull, nuk është gjëja më me mend që mund të bëhet. Në këtë mënyrë, kryeministri i vendit shpërfilli sistematikisht për muaj me radhë të gjitha këshillat e institucioneve ndërkombëtare, nga FMN e të tjerat, të cilat bënin thirrje për një kufizim diskret të investimeve publike.

Për më tepër, varianti i mungesës së parave u mbështet përmes një relacioni të Ministrisë së Financave, i cili u soll në të njëjtën mbledhje të Këshillit të Ministrave, ku u vendos bllokimi i prokurimeve publike pa afat. Relacioni në fjalë i bërë publik edhe në shtypin shqiptar theksonte se projeksioni i mbledhjes së të ardhurave për pjesën tjetër të vitit paraqitej tejet pesimist dhe për pasojë nevojitej një shtrëngim i menjëhershëm i investimeve publike për të balancuar buxhetin. Vendimi që pasoi realizoi pikërisht këtë domosdoshmëri, duke provuar edhe se pavarësisht justifikimit të kryeministrit, qeveria ka mbetur pa pará.

Por kryeministri është treguar i paepur përballë opinionit publik, jo vetëm duke përgënjeshtruar mungesën e parave, por madje duke theksuar se ka para me tepricë: “Sivjet sërish jemi me shifrën e 10% të prodhimit të brendshëm për investime. Pra kemi nivelin më të lartë. Nuk ekziston absolutisht asnjë problem likuiditetesh. Në rast se do të dini të vërtetën i kemi pak me tepricë dhe ndofta do të lindë nevoja të kthejmë një pjesë”. Ndërkaq, “teprica” në fjalë vlerësohet diku te 214 milionë eurot, çka është vlera e tenderëve të bllokuar dhe në këtë pikë termi më i saktë do të ishte “deficit”.

Sirenat e katastrofës

Lajmi për një shterim të fondeve të buxhetit të shtetit nuk është në fakt diçka që ndodhi sot duke zënë gjithkënd në befasi. Paralajmërimet kanë që në fund të vitit 2008 që kumbojnë në media. Revista “Mapo” i ka kushtuar pjesën më të madhe të rubrikës së saj të Ekonomisë pikërisht krizës ekonomike dhe efekteve të saj, duke theksuar madje se pas zgjedhjeve situata do të rëndohej në mënyrë drastike lidhur me faktin se qeveria do të mbetjet praktikisht pa pará. Përgjigjet nga ana e qeverisë janë kufizuar në batuta me cilësi të keqe humori, duke i përkufizuar gazetarët, ekspertët dhe vetë mediet që flisnin për importimin e krizës ekonomike botërore dhe masat që duhet të merrte një qeveri e përgjegjshme, si “ithtarë të krizës”. Ndërkohë, krizën e vërtetë nuk e shkaktuan këta, por qeveria.

Në një artikull të botuar në revistën “Mapo” Nr. 139, data 27 qershor, pra vetëm një ditë para zgjedhjeve, eksplorohet gjerësisht ky skenar. Pjesët kryesore të artikullit në vijim:

Cilado qoftë qeveria e së nesërmes së paszgjedhjeve dhe pavarësisht ditës kur do të hyjë në zyrë, qeverisja e vërtetë në terma ekonomikë-financiarë do të fillojë pas vitit 2010. Nuk është parashikim pesimist, por një realitet i së nesërmes, i materializuar që sot në varësi të plotë të situatës aktuale makroekonomike. Në këtë pikë, menaxhimi i situatës ekonomike nga partitë e mëdha mbetet një mister i madh, duke qenë se platformat përkatëse nuk janë publikuar ende dhe sipas gjasave shqiptarët do të kenë mundësi t’i lexojnë këto platforma të vëna në praktikë në 4 vitet që vijnë dhe të votojnë për to në 2013.

Por, edhe sikur planet partiake të ishin të disponueshme, sërish ato nuk do të mund të ndryshonin tablonë faktike të ekonomisë shqiptare, e cila sot për sot paraqitet në stanjacion dhe nuk jep shenja të ndonjë dinamizmi të pritshëm. Adriatik Kotorri, pedagog i lëndëve financiare në Universitetin e Tiranës, thekson se çdo masë konkrete mund të nisë vetëm në gjysmën e dytë të 2010, ndërkohë... “qeveria e ardhshme do të qëndrojë në pritje, derisa të vijë koha, kur të ketë mundësi të veprojë në planin ekonomik. Gjatë kësaj kohe mund të planifikojë dhe të zhvillojë reforma në sektorë të tjerë, por nuk do të jetë në gjendje për vendimmarrje që kanë pas vetes kosto të ndjeshme financiare dhe ku nuk është parashikim - është fakt”.

Në terma më popullorë, “shteti vazhdon të mjelë të njëjtën lopë”, pra paguajnë ata që janë të rregullt dhe çështja e ekonomisë informale mbetet ende problem. Në këtë kuptim, gjashtëmujori i dytë i vitit 2009 dhe i pari i 2010-ës vlen për të reflektuar çfarë do të bëhet në gjysmën e dytë të vitit 2010, sepse do të mungojnë mundësitë financiare për të zhvilluar projekte të reja. Por qeveria e ardhshme e ka një mision edhe gjatë kësaj kohe - të menaxhojë mbijetesën ekonomike të vendit.

Gjithashtu, ekzaktësisht një vit më parë nga data kur hyn në fuqi bllokimi i tenderëve me vlerë mbi 200 milionë euro, në revistën “Mapo” Nr. 93, data 3 gusht, paralajmërohej për një përkeqësim drastik të treguesve makroekonomikë, si pasojë e pakësimit të thelbësor të shkëmbimeve tregtare, rënies së të ardhurave, uljes drastike të remitancave të emigrantëve etj., çka do mund të rezultonte në një kolaps të mundshëm brenda harkut të një viti.

Kambanat e qeverisë

Por jo vetëm media ka paralajmëruar se ç’do të ndodhte. Që në prill të këtij viti, vetë Ministria e Financave praktikisht mori vendimin për të pezulluar financimet për rrugën Durrës-Kukës, menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve. Burime konfidenciale nga Ministria e Financave thanë për “Mapo”-n se, ndërsa kriza ekonomike ka rrënuar pritshmëritë e të ardhurave në buxhetin e shtetit të këtij viti, rruga Durrës-Kukës mund të vuajë nga mungesa e parave në arkë. Ndërsa vetë rruga duhet të përfundojë, zërat e prekur nga kriza parashikohet të jenë investimet dytësore, si kanalizimet, pastrimi i “maleve” me inerte të krijuara nga gërmimi i maleve origjinale etj. Vendimi është marrë në një takim të brendshëm të Ministrisë së Financave dhe mësohet se vetë ministri i Financave, Ridvan Bode, ka dhënë “bekimin” për ndryshimet në plan. Dhe ndërsa informacioni nga burimet e pakonfirmuara mbetet edhe në rastin më të mirë, me karakter spekulativ, vetë varianti zyrtar duket se mbështet skenarin pesimist. Bode ka deklaruar pak javë më parë, se deri më 30 qershor të këtij viti - çka do të thotë 2 ditë pas datës së zgjedhjeve - rrugës Durrës-Kukës do t’i duhen edhe rreth 150 milionë euro investime. Asgjë për çka vjen pas kësaj date.

Sipas planifikimit aktual, punimet për rrugën duhet të përfundojnë në pranverë të vitit 2010. Por vetë planifikimi nuk kishte planifikuar krizën ekonomike, ndaj në këtë pikë, ashtu si çmimi i rrugës, mund të shtohet edhe periudha e ndërtimit të rrugës deri në përfundim të saj. Në pikëpyetje janë edhe segmentet e tjera të rrugës. Shifra e deritanishme prej 1 miliard eurosh e rrugës Durrës-Kukës i referohet vetëm segmentit prej 57 kilometrash, Rrëshen-Kalimash. Këtu nuk përfshihet vlera e segmenteve të tjera Milot-Rrëshen (rreth 32 kilometra), Kalimash-Kukës-Morinë (mbi 40 kilometra). Pa folur pastaj për një tjetër segment, i cili nuk përmendet askund, që duhet të lidhë autostradën Tiranë-Durrës me Milotin, sepse rruga ekzistuese është thjesht dhe vetëm rrugë fshati.

Deklarata e ministrit të Financave thotë gati hapur edhe diçka tjetër - presionin elektoral në buxhetin e shtetit dhe pritshmëritë e publikut për investimet e programuara. Por data 30 qershor mund të justifikohet në çdo çast si momenti i buxhetit shtesë, çka do të shpjegonte, të paktën teorikisht, edhe mungesën e planifikimit të mëtejshëm. Por edhe në këtë rast do të jetë si buxheti suplementar i vitit të kaluar, i cili, ndonëse nga termi nënkupton shtesë, në fakt ishte shkurtim i shpenzimeve të planifikuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›