E Diel, 1 Nëntor 2026

Ankthi i jetës fillon me kafenë e mëngjesitNga Artan MullajMëngjeseve na duhet të përballojmë bombardimet e të zezave të kësaj bote që na vijnë kryesisht nëpërmjet gazetave dhe televizioneve. Beteja elektorale, njëlloj si të tjerat, bukë edhe djathë,

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Ankthi i jetës fillon me kafenë e mëngjesitNga Artan Mullaj

Mëngjeseve na duhet të përballojmë bombardimet e të zezave të kësaj bote që na vijnë kryesisht nëpërmjet gazetave dhe televizioneve. Beteja elektorale, njëlloj si të tjerat, bukë edhe djathë, politikë që më shumë se e tillë ngjan me një luftë të egër për krijimin e përshtypjeve, e keqe deri në mizori, (me liderë të pështjelluar) aksidente, vrasje në familje, frikë sentimentale, histori misterioze që shpesh kompromentojnë vetë misionin mediatik, media të mbarsura me mëkatin e njëanësisë së neveritshme.

Shpesh, e vërteta që ato kanë për mision, si një dukuri e rrallë, ka një çmim që ndryshon. Çmimin e rrezikut.

Edhe pse policë rrugorë ndesh në çdo kilometër të rrugëve nacionale, aksidente ndodhin përditë, në çdo kilometër. Hakmarrje postelektorale që shtojnë njëlloj si kriza papunësinë në vend. Një fëmijë vdiq në Korçë, sepse grupi shëndetësor u tregua edhe më i pamëshirshëm se fati dhe se gjarpri që e pickoi! Një burrë në Sarandë i dha fund jetës së vëllait të vet, duke e shpëtuar atë nga vuajtjet e kujtesës, me një thikë në zemër, pas një grindjeje primitive. Një shkëmb u rrokullis nëpër çatitë e Beratit si me telekomandë, drejt një automjeti në rrugë. Zjarre! Dëshpërim në omëletë me optimizmin sarkazëm të arritjeve që nuk ekzistojnë. Kolegji zgjedhor rrëzoi ankimimet e socialistëve për rinumërimin e votave në Berat, duke shuar ngushëllimin kolektiv të një drejtësie të vonuar. Kundërshti, zhgënjime shpirtrash që nuk besuan në përpjekjet e munguara. Vapë e tmerrshme në planet, si një paralajmërim ogurzi i trokitjeve të reja të fatalitetit. Përsëri krizë. Përsëri biznese me horizonte të zeza. Lista debitorësh pesimistë në markete. Ylbere pa ngjyra për të papunët. Varfëri etj., etj.

Të gjitha këto e të tjera lajme si këto, veç e veç, përbëjnë orbita psikologjike që ndezin dramaticitet dhe presojnë vullnetet e njerëzve të marrin pjesë dhe të gjykojnë emocionalisht, pas zgjimeve të tyre, në agimet e tyre, në një klimë, në një komunikim, në një marrëdhënie, ku hullitë çojnë masivisht në manipulimin e së vërtetës, pra edhe të drejtësisë.

Por të marra së bashku, sot ne kemi një orientim të gabuar të vetëdijes shoqërore, i cili vjen nga kontrasti midis realitetit dhe imazhit që krijojnë opinionet e presuara në përgjithësi, çka sjell për pasojë një deformim në perceptimin kolektiv, ku mbretëron ambientimi civil dhe nënshtrimi.

Duket sikur ne jemi një gjeneratë kokulur, e dënuar të eksperimentohemi nga diçka e paqartë dhe virtuale. Një energji shkulmi dhe ere vërtitet akullsisht mes shpirtrave tanë dhe fshin regëtimat e zhvillimeve të natyrshme që krijuesi ka taksur për të gjithë. Si thotë Remarku, asgjë nuk mbin në mes të stuhisë. Historia është se kjo fuqi lëviz në hapësirë dhe fluturon në kohë, është aq e pushtetshme, saqë këqyrur me radhë dhe me kujdes ndodhitë e shqiptarëve që shoqërohen me një ironi që i mungon edhe fataliteteve më të mëdha: Vlera e mohuar e jetës!

Por, edhe pse në mes të zallamahisë dhe rrëmujës, ku po shuhen fishekzjarrët e fundit, ne shqiptarët jemi ekstremisht interesantë, sepse dimë të bëjmë sehir hatatë që na ndodhin përditë; dimë të ngushëllohemi për ngecjen tonë në vend; dimë të shpresojmë që, nëse nuk është diçka tjetër që nuk jemi të aftë ta kuptojmë, udhëheqësit tanë janë shkaktari i ngërçit shoqëror dhe tranzicionit të vrazhdë. Jo rrallë njohja e fajtorit, nëse nuk është zgjidhje, nëse nuk frymëzon vetëmbrojtje, është ngushëllim surreal. Duke bërë sehir, të gjithë e dimë që është një turp kombëtar të humbasë një jetë fëmije që mund të shpëtohej prej atyre të paguarve që thjesht e neglizhuan apo thjesht ishin të korruptuar; të gjithë e kuptojmë se përfaqësohemi kobshëm me histori, ku vëllai vret vëllanë; shumë e kanë të qartë se jemi larg dinjitetit politik me procesin sfilitës zgjedhor që sapo kaluam si lumin e vjeshtës mbi një tra ekuilibri, por kemi dilema, nëse mund të drejtojmë urrejtjen e pikëlluar drejt Tiranës dhe politikës për gjithë sa ndodh. Për disa po, për të tjerët jo! Ata të Tiranës janë të zgjedhurit tanë në një Pazar marifetesh të pista, vullneti ynë i cunguar, por prapë, jemi ne ata që shitëm, që blemë, që pranuam, me ndjeshmëri të heshtur dhe qetësi të vrarë. Prandaj pasojat duhet t’i durojmë në kurriz! Si çdo pasojë e aktivitetit tonë, pushteti është derivati ynë. Atëherë, mos duhet të shohim, nëse mund të shohim, nëse jemi të aftë, mos duhet të shohim pra thellë në rrungajat e ndërgjegjes sonë për të zbuluar gjurmët e vërteta të fajit, me gjithë boshllëkun e krenarisë, në të cilën kemi kuptuar se jeta njerëzore ka pak vlerë në këtë vend?

Që të kuptojmë, jemi apo nuk jemi fajtorët!!

Apo të bindemi se ne thjesht jemi ca viktima, ata të zgjedhurit e shkulmit djallëzor që lëviz, që ndikon, që fshikullon e përcëllon çastet tona pa kuptuar që gjeneron kësisoj situata fatalitetesh për të vërtetuar ekzistencën e vet dhe për të kuptuar kufijtë e moralit njerëzor dhe durimit.

Vëllai vret vëllanë pas një grindjeje për një celular. Sarkazëm e një titulli të tmerrshëm që ngrin çdo zemër dhe çdo përpjekje për analizë. Komentatorët tanë, që dëfrehen në hollet komode të analizave politike, të cilat i kanë shumë për zemër, ngaqë në to abuzohet kollaj, përpiqen t’i shmangen këtyre temave të pabesueshme sociale, jo sepse ato janë thjesht ngjarje të frikshme që kallin datën, jo për shkak të përsëritjes apo monotonisë së tyre në Shqipëri, por sepse thelbi i tyre, shpjegimi i tyre apo gjëma e tyre të lë pa fjalë. Janë kaq të pabesueshme dhe çmeritëse nganjëherë, saqë Shekspiri vetë do të kishte dilema ndaj tyre. Fantazia do të shfaqej si një militante e iluzionit. Të ndodhë krimi familjar për një fron, për trashëgimi, për tradhti, kjo do të ishte në logjikën historike të gjërave, për aq kohë sa shpirtin njerëzor do vazhdojnë ta drejtojnë demonët që e shoqërojnë që nga krijimi. Por, të shposh me thikë një zemër vëllai për një celular, është njëlloj si të shpërfillësh vetë ligjet e krijimit ose të pranosh se vullneti yt nuk është pasojë e lirisë inteligjente të dhuruar nga krijuesi, por është pasojë e një vullneti tjetër, e një fuqie tjetër, e një shkulmi, e një magjie që nuk mund të shpjegohet.

Edhe kështu, me shkulmin e të ligës vërdallë, edhe ashtu, ndryshe, në pakuptueshmëri, duket sikur ne jemi viktima besnike të një kompleksiteti, në të cilin jo vetëm jeta është e pavlerë. A thua vetë djalli na është qepur pas në të gjitha zhvillimet, ku edhe përpjekjet kolektive nuk ngjajnë me të tilla. Ato s’janë veç përpëlitje të njeriut në det, që as mbytet, as shpëton. S’na mbetet veç të konstatojmë a të guxojmë supozime! Sapo ka përfunduar një proces zgjedhor me simptomat e një të sëmuri. Mallkimi i pamundësisë për të ndryshuar u ndie në atmosferë, bashkë me mashtrimin, ditë për ditë në fushatë. Kurse mallkimi është shndërruar në klithmë, tani që vulat dhe firmat po vihen njëra pas tjetrës. Ne jemi përsëri në shtratin e një sëmundjeje që për fat të keq nuk mund ta shërojmë vetë me sa duket, me forcat tona. Dhimbjet do të prekin deri në palcë përsëri dhe drejtësia do të vazhdojë të mungojë si gjithë këta vjet. Për të zbritur në bazë të një informacioni që dihet nga të gjithë, le të përmendim detajet. Drejtësia do të mungojë, sepse vota prapë do të vidhen! Sherre komisionarësh prapë do të ketë! E dimë! Pushteti do të jetë përsëri arrogant dhe do të jetë përsëri në duar që dinë të shkatërrojnë po aq mirë sa edhe të vjedhin. Dhe do të ketë për fat të keq përsëri pickime gjarpërinjsh dhe zemra të shpuara, sepse asgjë nuk ka ndryshuar. As çmimi i jetës, as e drejta ndaj saj. Do të jenë, jo liderë të rinj, por përpjekje liderësh për ndarje të reja, pushtete të reja. Do të mungojnë programet dhe mendjet e shquara për t’i hartuar ato. Tranzicioni do të vazhdojë, sepse inercia e tij ka një motor me fuqi bërthamore: korrupsionin.

Ankthi i jetës për ne fillon bashkë me kafenë e mëngjesit! Shtohet me vapën e ditës, varfërinë e ditës dhe pakuptueshmërinë e politikës, që nuk është ende e qartë, nëse është aq e nevojshme, sa të meritojë gjithë pasionin e atyre që marrin pjesë në të dhe atyre që nuk marrin. Lajme të trishta na largojnë çdo mëngjes nga ëndërrimet për të shpresuar që kujdesi do të zëvendësojë mëshirën e paqenë, ndershmëria do të zëvendësojë veset e jetës, guximi do të zëvendësojë moralin e sëmurë. Ne jemi mësuar të jetojmë me shpërthime që shkatërrojnë shtëpitë tona dhe shkatërrojnë edhe besimin që nuk do të përsëriten më. Gërdecë ndodhin çdo mëngjes, ku shkatërrohen bindje që nuk do të ketë të tilla në mëngjesin pasardhës. Varfëria do të jetë në agime, për shumicën. Korrupsioni është në detyrë, në shërbim. Në mëngjes, edhe në mbrëmje. Si ushtari i bindur ndjek eprorët e rreptë, ai do të na shoqërojë si imazh surreal çastet tona, verën me miqtë, nganjëherë edhe puthjet. Gjithçka e jona do synojë të na tregojë se e kemi të pamundur t’i shpëtojmë të zezave, çdo çast që jetojmë. Edhe dashuritë! Edhe vëmendjet! Edhe interesat. Si një sëmundje, por edhe si një sfidë negative, ajo do na bëjë të shpërfillim rreziqet e hapësirës, sidën, gripin e derrave edhe të gjitha kolerat. Ne i kemi sfiduar makthet e botës dhe rreziqet në planet, sepse kemi zënë kallo prej maktheve tona, që janë më të mëdha e të tmerrshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›