Vrasja e Xhindit, familjarët të revoltuar për moszbardhjen e ngjarjesNga TemaFamiljarët e deputetit të vrarë të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, janë shprehur të revoltuar që tre muaj pas vrasjes së të afërmit të tyre policia nuk ka mundur dot që t
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Vrasja e Xhindit, familjarët të revoltuar për moszbardhjen e ngjarjesNga TemaFamiljarët e deputetit të vrarë të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, janë shprehur të revoltuar që tre muaj pas vrasjes së të afërmit të tyre policia nuk ka mundur dot që të zbardhë motivin dhe autorët e ngjarjes. Ata kanë kërkuar nga ana e shtetit që të zbardhë sa më parë ngjarjen dhe të arrestojë autorët e vrasjes. Edhe pse Ministria e Brendshme është shprehur disa herë se është shumë afër zbardhjes së ngjarjes, deri më tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur, duke mbetur kështu mister vdekja e Fatmir Xhindit.
Reagimi
Edhe pse kanë kaluar tre muaj që nga vrasja e deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, Policia e Shtetit ende nuk ka asnjë motiv dhe të dyshuar të mundshëm për ngjarjen e rëndë. Për këtë arsye, familjarët e viktimës kanë kërkuar sa më parë reagimin e shtetit, me qëllim zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin e vrasësit apo vrasësve të Fatmir Xhindit. Këta të fundit shprehen të habitur me faktin që edhe pse janë shoqëruar dhe pyetur nga policia dhe prokuroria dhjetëra dhe qindra persona, nuk është arritur në asnjë konkluzion për ngjarjen e ndodhur në fillim të muajit maj në Roskovec. Xhemil Xhindi, vëllai i viktimës, thotë se hetuesit fillimisht i kishin thënë se për vrasjen ekzistonin pista të shumta, ndërkohë që tashmë këta të fundit duket se i kanë lënë në mes hetimet. Në fakt, vet ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka deklaruar disa herë se vrasja e deputetit Fatmir Xhindit është drejt zbardhjes së plotë dhe pritet vetëm arrestimi i të dyshuarve për këtë ngjarje. Por, realisht deri më tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur, çka ka shkaktuar edhe reagimin e familjarëve të viktimës. Gruaja e Fatmir Xhindit, Xhemilja, si dhe e ëma, Resmija, i kanë bërë thirrje Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme që të zbardhin sa më parë arsyet dhe motivet e vrasjes së të afërmit të tyre, si dhe të arrestojnë autorët. Kjo është e disata herë që familjarët e viktimës shprehen të revoltuar me punën e dobët të policisë dhe paaftësinë e saj. Vetëm pak kohë më parë ata i kanë shkruar një letër Presidentit të Republikës, Bamir Topi, kryeministrit, Sali Berisha dhe kryetares së parlamentit, Jozefina Topalli, ku iu kërkonin angazhimin për vënien para drejtësisë të autorëve të vrasjes së të afërmit të tyre. Në letrën e drejtuar këtyre të fundit familjarët e Fatmir Xhindit kanë shprehur habinë se si gjatë kësaj kohe nuk ka asnjë risi për krimin dhe autorët. Të indinjuar familjarët akuzojnë strukturat e policisë për paaftësi në kapjen e autorit. Familjarët thonë se nuk iu është komunikuar asnjë e dhënë mbi shkaqet e këtij krimi të rëndë. Ndërkohë, burime nga prokuroria thonë se hetimi i ekzekutimit të deputetit të PS është shumë i vështirë, pasi autori nuk ka lënë asnjë gjurmë në vendin e ngjarjes. Për më tepër, i ndjeri Xhindi nuk ka pasur konflikte me ndonjë person, çka mund të bënte që të ngrihej ndonjë hipotezë për vrasjen e tij. Fatmir Xhindi u vra mbrëmjen e 2 majit, në prag të shtëpisë së tij në Roskovec, menjëherë sapo u kthye nga fshati Kurjan, ku pas punës në tokat e tij kishte qëndruar në lokal me bashkëfshatarët e vet.