E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëkundet grupi socialist, shtohen zërat për hyrjen në Kuvend

25/11/2009  Deputetët të shqetësuar për humbjen e mandateve

Lidershipi i Partisë Socialiste ndahet tashmë përballë presionit të deputetëve të kësaj partie, të cilët kërkojnë hyrjen në Kuvend. Kështu, kampi rozë përfshihet nga një valë e re ndryshimesh, ku veç organizimit të protestave për rrëzimin e qeverisë “Berisha” kërkohet hartimi i një plani konkret, mbi të cilin të bazohet kthimi i grupit parlamentar të PS-së në Kuvend. Mbledhja e djeshme e grupit kuvendor të kësaj partie ka sjellë qëndrime të ndryshme mbi këto dy çështje, ku nuk kanë munguar mendimet skeptike mbi mënyrën se si e majta do të vijojë më tej me zhvillimin e protestave. Megjithëse debati u përqendrua te bojkoti që PS-ja i ka bërë institucionit të Kuvendit, deputetët e kësaj partie kanë shfaqur shqetësimin për fatin e mandateve tëtyre, duke kërkuar mendimin e drejtuesve të PS-së për pjesëmarrjen në parlament. Burime pranë këtij takimi bënë me dije se ka qenë deputeti Ilir Gjoni ai që ka kërkuar një sqarim mbi një çështje të tillë, pra të dihet se si kur grupi i PS-së mund të jetë pjesë e Kuvendit. Këtij shqetësimi i është përgjigjur deputeti Fatmir Xhafaj, i cili përmes një përgjigje të shkurtër ka bërë me dije se po mendohet lidhur me këtë çështje. Gjithashtu është kërkuar nga deputeti Gjokë Jaku që lidershipi socialist të mos lejojë mazhorancën të tallet e për më tepër të djegë mandatet e deputetëve të kësaj partie. Por edhe ndaj këtij shqetësimi ka ardhur një reagim i kreut socialist, i cili ka premtuar se nuk do të ndodhë një gjë e tillë për asnjë mandat. Por më parë pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi ankimimin e paktit detar me Greqinë nga ana e opozitës e më pas të shihen opsionet e hyrjes në Kuvend. Ndërkohë, referuar një tjetër pike diskutimi në këtë mbledhje të ligjvënësve socialistë, në atë të organizimit të protestave, deputetët kanë shfaqur disa shqetësime, kryesisht të lidhura me financat. Kjo për vetë faktin se është ideuar që pas skadimit të afati vënë kryeministrit për hapjen e kutive kampi rozë të fillojë takimet në bazë, duke bindur elektoratin për rrëzimin e qeverisë. Por nga ana tjetër takimet kërkojnë një fond të caktuar, që në kushtet e tanishme kjo parti nuk e ka.

PS-ja më 3 dhjetor në shesh

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste vendosi gjatë mbledhjes së djeshme që më datën 3 dhjetor ti drejtohet sërish sheshit. Pas skadimit të ultimatumit për hapjen e kutive të votimit, socialistët do ti drejtohen popullit me vendimin e radhës. Në këtë ditë lidershipi socialist do të bëjë me dije përpara qytetarëve se tashmë protestat që do të organizohen në vijim në të gjithë vendin nuk do të jenë më për hapjen e kutive, por për largimin e qeverisë “Berisha” dhe çuarjen e vendit në zgjedhjet e parakohshme.

Turi në bazë, ska financa

Pas bërjes me dije lidhur me qëndrimin e ri që do të mbajë Partia Socialiste kundrejt mazhorancës aktuale, do të nisin takimet me bazën. Kjo për të kontaktuar nga afër me mbështetësit socialistë, si dhe duke sqaruar mbi pozicionin e kësaj partie. Por takimet në bazë kanë përfshirë në të dhe shpenzimet dhe për këtë arsye duhet të krijohet një fond i veçantë. Madje, mësohet se ky ka qenë shqetësimi i deputetes Arta Dade në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar, e cila ka bërë të qartë se aktualisht asnjë nga deputetët e PS-së nuk e ka të mundur të ndërmarrë një tur të tillë.

Riorganizimi

Pjesë e diskutimeve të mbledhjes së djeshme ishte dhe riorganizimi i grupit kuvendor të Partisë Socialiste. Kështu, duke qenë se kjo parti vendosi të kushtëzojë legjitimitetin e institucioneve të dala nga zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, grupi kuvendor socialist i pati lënë të papërcaktuara vendet për kryesimin e tij, por tani është vendosur që të zgjidhen drejtuesit. Edhe pse nuk ka një vendim konkret mbi kthimin e PS-së në Kuvend, kupola rozë po sheh opsionet e mundshme, të ndodhur përballë kërkesës së deputetëve për të sqaruar lidhur me mbledhjen e firmave të qytetarëve për hapjen e kutive të votimit.

Komisionet

Partia Socialiste do të ngrejë komisione paralele me komisionet e Parlamentit. Një vendim i tillë u mor dje gjatë mbledhjes së grupit. Kështu, gjatë këtyre ditëve deputetët do të bëjnë vetëdeklarimin se në cilin komision do të bëjnë pjesë, kjo përkatësisht me profesionet e tyre. Ndërkohë një nismë e tillë, e cila nuk është e re për kampin rozë, ka si synim kryesor të bëjë të mundur një luftë sa më efektive opozitare. Më qartë, kampi rozë do të ketë një qëndrim të mirëstudiuar për çdo projektligj apo vendim që diskutohet në komisionet parlamentare, por dhe në qeveri.

Vendimi

“Grupi u mblodh dhe diskutoi në një kohezion të plotë e me një vendosmëri më të madhe se asnjëherë për të vazhduar të udhëheqë lëvizjen e re popullore, e cila do të shkojë duke u zgjeruar, duke përfshirë gjithë Shqipërinë me protesta të pandalshme, në qoftë se Sali Berisha nuk do ta shfrytëzojë kohën që i kemi dhënë për të reflektuar në funksion të forcës së arsyes e jo të arsyes së forcës. Ne jemi të vendosur. Ne nuk kthehemi nga rruga jonë. Unë i qëndroj me forcë në emër të atyre 100 mijë qytetarëve që erdhën në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" se, nëse Sali Berisha nuk hap kutitë, duhet të ikë së bashku me kutitë”, - u shpreh Rama pas mbledhjes.

Rama te sindikatat: Mos i lëshoni pronat

“Unë ju ftoj që të mos ua lëshoni Sali Berishës ato prona dhe ju siguroj se ka vetëm një rrugë për ti ruajtur, për çdo shqiptar, liritë dhe të drejtat, pronat e shpresat e veta: të dalë në rrugën protestës së pandalshme deri në largimin e Sali Berishës”, - ky ishte mesazhi që kreu socialist Edi Rama lëshoi dje në Kongresin e 4 të Konfederatave e Sindikatave të Shqipërisë. Ndërkohë, duke shigjetuar ashpër mbi një çështje të tillë kryeministrin Berisha, Rama vuri në dukje se “Sali Berisha mendon se ju nuk ekzistoni, dhe kjo është arsyeja që dhe pronat tuaja, të vetmen gjë që mund të mbajnë me punë të ngrirë një fuqi të vërtetë sindikale, e cila nuk është e bakshisheve të pushtetarëve, Sali Berisha do tua marrë deri në fund për ti kthyer jo në prona të gjithë shqiptarëve, por në prona të familjes së tij dhe të njerëzve të pushtetit të tij”. Rama i ftoi të pranishmit që “të bashkoheni me ne jo për tu rreshtuar majtas apo djathtas, por për të qëndruar më këmbë përballë këtij regjimi të korrupsionit”.

Reagimi i PS-së

“Berisha, kujdes me fjalorin ndaj opozitës”

Partia Socialiste reagoi dje lidhur me deklaratat e lëshuara nga kryeministri Berisha në adresë të kampit rozë. Duke vijuar dhe dje me kundërvënie, replikat mes kampeve sa vijnë e bëhen gjithnjë e më të ashpra, duke shfaqur një situatë jo të qetë politike. “I bëjmë thirrje Sali Berishës të qetësohet dhe ta harrojë se me fjalorin e dhunshëm të sekretarit të dikurshëm të Partisë së Punës mund të trembë ndonjë opozitar të këtij vendi, siç terrorizonte dikur njerëzit e pafajshëm, duke i shërbyer me zell të madh diktaturës komuniste. Sa për shkuljet e dhëmbëve të korrupsionit, kemi frikë se, po ta ketë seriozisht, doktorit do ti duhet të shkulë veten me gjithë familje e qeveri”, - u shpreh zëdhënësja për shtyp e PS-së, Armela Imeraj. “Ajo çka unë i garantoj aleancës punistomafioze është se me darën e ligjit do tua shkulim një nga një dhëmbët dhe pastaj dhëmballët”, - deklaroi Berisha dje lidhur me ultimatumin e vënë nga ana e kupolës rozë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›