E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debatet shtyjnë mbledhjen e këshillit bashkiak

25/11/2009  Të gjitha projektvendimet kalohen për në mbledhjen e muajit dhjetor

Asnjë vendim nuk ka arritur të kalojë për miratim në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Pas debateve të shumta mes anëtarëve të këshillit (edhe pse ishin të paktë në numër) dhe përfaqësuesve të bashkisë, kreu i këshillit, Sokol Dervishaj, ka marrë vendimin për shtyrjen e mbledhjes për në muajin dhjetor, ku është kërkuar pjesëmarrja e gjithë anëtarëve të këshillit bashkiak. Seanca e djeshme ka nisur me debate që në fillim për shkak të propozimit të bërë në emër të Bashkisë për zgjidhjen e ngërçit, që po sjell (sipas Bashkisë) bllokimin e punës së KRT-së së Tiranës.

Propozimi

Nënkryetarja e Bashkisë ka pohuar se KRT-ja nuk po mblidhet për shkak të konfliktit të interesit që është shfaqur me kalimin e njërit prej anëtarëve në postin e prefektit të Tiranës, i cili duhej të kishte dhënë dorëheqje nga kjo detyrë. Kreu i këshillit e ka cilësuar si të pavlefshëm këtë propozim, pasi nuk është bërë në rrugën e duhur ligjore. Ndërkohë ai ka theksuar se këshilli mund të zhvillojë mbledhjet e veta edhe në mungesë të njërit prej anëtarëve, ku sipas Dervishit kjo është rrugë e drejtë ligjore, çka hedh poshtë pretendimet se vonesat në mbledhjen e këshillit rregullues po cenojnë bizneset, të cilat janë të detyruara të shkurtojnë vendet e punës.

Vendimet

Pika e parë e rendit të ditës për shqyrtimin e projektvendimit që ka të bëjë me ndërtimin e parkingjeve nëntokësore është shtyrë për në mbledhjen e radhës për shkak të problemeve që janë shfaqur me pronësinë e truallit në njërin prej shesheve ku është planifikuar ndërtimi. Marrja në shqyrtim e projektvendimit për “Për miratimin e treguesve ekonomikë dhe financiarë të Bashkisë së Tiranës dhe tavaneve përgatitore të programit të buxhetit afatmesëm për periudhën 2010-2012” është shoqëruar me debate të shumta, çka ka bërë që kryetari i këshillit, Sokol Dervishi, të marrë vendimin për shtyrjen e seancës. Sipas nënkryetares së Bashkisë, janë shtuar shpenzimet operative në funksion të cilësisë së investimeve të zhvilluara në funksion të komunitetit. Ndërsa anëtarët e këshillit kanë pohuar se Bashkia nuk po tregohet transparente, veçanërisht me planin e shpenzimeve të parashikuara për punonjësit e administratës, për të cilët pretendohet se ka më shumë punonjës se ç’duhen. Anëtarët e këshillit janë shprehur të revoltuar, pasi bashkia nuk po kryen punën e saj siç duhet, çka manifestohet me mosrealizimin e projekteve për të cilat ka muaj të tërë që janë akorduar fondet buxhetore.

Bllokimi i KRT-së

Nëpërmjet një propozimi të paraqitur në emër të Bashkisë së Tiranës nënkryetarja Albana Dhimitri ka kërkuar nga këshilli mënjanimin e konfliktit të interesit, që po mban peng zhvillimin e mbledhjeve të KRT-së së Tiranës. Shkak për këtë, sipas saj, është bërë kalimi i anëtarit të KRT-së në postin e prefektit të Tiranës. Por ky propozim, sipas anëtarëve të këshillit të maxhorancës (që përbëjnë shumicën në vendimmarrje), është cilësuar si i padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin për nga forma se si është prezantuar në mbledhjen e djeshme. Ndërkohë është kërkuar mbledhja e KRT-së, e cila mund të funksionojë edhe në mungesë të njërit prej anëtarëve.

Shpenzimet për administratën

Problematike dhe aspak transparente është cilësuar edhe rritja e shpenzimeve të përcaktuara për administratën e Bashkisë. Përfaqësuesi i maxhorancës në këshill Ferdinand Pone, është shprehur se janë me miliona lekë të hedhura në zërin e shpenzimeve të administratës, të cilat vilen në kurriz të qytetarëve në formën e taksave të llojeve të ndryshme. Pone ka deklaruar se në vendimin për miratimin e treguesve ekonomikë të Bashkisë së Tiranës është vënë re një rritje e shpenzimeve në kurriz të qytetarëve, që shkojnë për personelin e administratës dhe institucioneve në varësi të saj. Sipas Pones, administrata është e tejfryrë me më shumë se 1000 punonjës së bashku me personelin e njësive bashkiake, si dhe mbi 3 mijë të tjerë që janë të punësuar pranë institucioneve në varësi. Ky numër i lartë punonjësish merr pjesën dërrmuese të fondeve të shpenzimeve që mblidhen nga taksapaguesit.

Parkingjet nëntokësore

Debate të shumta ka pasur edhe për pikën e parë të rendit të ditës, mbi projektvendimin “Për miratimin e termave kryesorë të kontratave koncesionare mbi parkimet nëntokësore në parkun “Rinia” dhe sheshin “Italia”, Tiranë”. Pas diskutimeve të bëra nga anëtarët e pranishëm, kreu i këshillit bashkiak, Sokol Dervishaj, ka rekomanduar shtyrjen e shqyrtimit të vendimit për ngritjen e parkingjeve nëntokësore, pasi sipas tij prezenca e anëtarëve në këshill ishte e pamjaftueshme, ndërkohë që për nga rëndësia kjo çështje kërkon një pjesëmarrje më të madhe.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›