E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lënda e Kriminalistikës të hiqet nga Juridiku

SHKRUAN: Jonida Tashi 31-03-2011 14:04

Kriminalistika, që konsiderohet si një nga lëndët bazë për studentët që vijojnë studimet për Drejtësi, rrezikon të mos jetë më pjesë e programit mësimor për studimet e ciklit të parë në Fakultetin Juridik në Tiranë. Sipas propozimit të bërë nga një grup pune në këtë fakultet, që në fakt mësohet se është më tepër individual, kjo lëndë, duke filluar që nga viti i ri akademik, nuk do t’u ofrohet më studentëve gjatë studimeve “Bachelor”, por do t’u jepet si lëndë me zgjedhje në rast se ata do të vijojnë studimet e ciklit të dytë, Master Profesional në të Drejtën Penale. Por, edhe në këtë program studimi, sipas propozimit të bërë, kjo lëndë nuk do të jetë pjesë e planit mësimor si lëndë e detyrueshme, por si lëndë me zgjedhje. Më konkretisht, sipas planit të ri mësimor të Fakultetit të Drejtësisë për programin e studimeve Master Profesional, në të Drejtën Penale që përmban 90 kredite, Kriminalistika do të jetë një nga katër lëndët me zgjedhje të semestrit të parë, që janë: E drejta penale e informatike; Të drejtat e njeriut dhe procesi penal; Psikologji juridike e avancuar, dhe do të ketë 6 kredite. Ky propozim, për ndryshimin e programit mësimor të Fakultetit të Drejtësisë, për ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë dhe mbi të gjitha për nxjerrjen e lëndës së Kriminalistikës jashtë tij ka gjetur të befasuar mjaft pedagogë të Juridikut, të cilët kanë mbetur pothuajse pa fjalë për ta shpjeguar. Sipas tyre, Kriminalistika është një nga lëndët bazë të programit mësimor për studentët e Juridikut, dhe ky problem bëhet edhe më i mprehtë po të kihet në konsideratë fakti se kjo lëndë është unike dhe nuk mund të zëvendësohet nga asnjë lëndë tjetër në studimet “Bachelor”. Në këto kushte, mjaft pedagogë të Juridikut nuk kanë arritur të kuptojnë ende se pse nevojitet ky ndryshim, ndërsa e cilësojnë si shumë të rëndë heqjen e Kriminalistikës, që është lënda bazë për hetimin e kriminalitetit, nga programi mësimor. Sipas tyre, po të kemi parasysh edhe rritjen e nivelit të kriminalitetit gjatë viteve të fundit në vendin tonë, është shumë e rëndë që të heqim dorë nga njohuritë bazë për hetmin e tij. Megjithë pranimin e faktit se plani mësimor i Fakultetit të Drejtësisë duhet të ndryshojë, duke filluar që nga viti i ardhshëm akademik, pasi do të përshtatet sipas procesit të Bolonjës, çka do të thotë se nga mot studimet “Bachelor” edhe te Juridiku do të zgjasin 3 vjet, sipas pedagogëve të këtij fakulteti, nxjerrja e Kriminalistikës nga plani mësimor është e pajustifikueshme, nëse i referohemi shkurtimit të lëndëve që bëjnë pjesë në të. Deri tani bëhet e ditur se gjithçka është në kuadrin e propozimit, ndërkohë që ditën e premte, në Fakultetin e Drejtësisë do të bëhet një mbledhje me shefat e departamenteve përkatëse, pikërisht për të diskutuar dhe marrë një vendim për këtë çështje, si dhe për të miratuar planin mësimor të këtij fakulteti për studimet e ciklit të parë dhe të dytë, për vitin e ri akademik e më tej. Por, edhe nëse propozimi për heqjen e Kriminalistikës miratohet në mbledhjen e fakultetit, do të duhet që ai të përcillet në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, dhe pasi të shqyrtohet në këtë institucion, ai mund të rrëzohet ose miratohet, gjithçka varet nga përshtatja e programeve të studimit sipas sistemit të Bolonjës. Në fakt, eksperienca ka treguar që të tilla çështje nuk marrin lehtë “Ok” nga Universiteti i Tiranës, pasi një propozim të tillë duhet ta miratojë jo vetëm rektori i këtij institucioni, por të gjithë anëtarët e senatit akademik. Por, edhe nëse ky propozim do të miratohet nga Rektorati i Universitetit të Tiranës, ndryshimi i planit mësimor në Fakultetin e Drejtësisë do të duhet të marrë firmën edhe nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, për të qenë i zbatueshëm në praktikë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›