Shkeljet, Kule shkarkon Priftanjin
Zbardhet vendimi i rektorit të UT-së, ku konstatohen shkeljet e dekanit të Mjekësisë. Tashmë propozimi në duart e ministrit Tafaj
Rektori i Universitetit të Tiranës ka vendosur t’i zgjidh nëpërmjet shkarkimit nga detyra të dekanit Alfred Priftanji, problemet e krijuara në Fakultetin e Mjekësisë, e mbi të gjitha ato për specializimet. Mbrëmjen e djeshme, Universiteti i Tiranës ka publikuar zyrtarisht vendimin e marrë nga rektori i Universitetit të Tiranës për shkarkimin e dekanit të Mjekësisë, i cili i është dërguar edhe ministrit të Arsimit, pasi ai është autoriteti që merr vendimin përfundimtar për këtë çështje. Në propozimin që Kule i ka dërguar eprorit të tij, Myqerem Tafaj, shprehet shqetësimi se “u bë një periudhë relativisht e gjatë kohe, gjatë së cilës dekani i Fakultetit të Mjekësisë, në mënyrë të vazhdueshme ka kryer dhe vazhdon të kryerjë veprime të cilat kanë sjellë pasoja serioze në funksionim normal të Fakultetit të Mjekësisë dhe të Universitetit të Tiranës”. “Me veprimet dhe mosveprimet e tij, zoti Priftanji në mënyrë abitrare ka refuzuar respektimin e ligjit për arsimin e lartë, aktet nënligjore në zbatim të tij, ka shkelur hierarkinë institucionale duke mos zbatuar vendimet dhe urdhrat e autoriteteve dhe organeve drejtuese të UT, ka uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme funksione që nuk i takojnë dhe ka krijuar në mënyrë artificiale pengesa serioze në të gjithë veprimtarinë funkionale të fakultetit që ai drejton”, - shkruan rektori Kule në propozimin për shkarkimin e Priftanjit. Sipas rektorit Kule, shkeljet e rënda të ligjit dhe të akteve nënligjore të kryera nga dekani si autoritet drejtues i njësisë kryesore, Fakultetit të Mjekësisë, janë: “Së pari, në kundërshtim të hapur me ligjin ‘Për arsimin e lartë’ dhe VKM nr.1282, datë 23.12.2009, për më shumë se një vit nuk ka lejuar fillimin e procedurave të konkurimit, e për pasojë as fillimin e programit të studimeve të specializimeve afatgjata, për vitin akademik 2009-2010. Gjithashtu, dekani i FM është bërë pengesë edhe për përfundimin e këtyre procedurave, duke mos regjistruar kandidatët fitues në këtë program, në kundërshtim me rregulloren e konkursit për specializimet afatgjata në FM, kreu VII, gërma ‘a’”. Vendimi për specializimet afatgjata ka hyrë në fuqi në muajin dhjetor të vitit 2009 dhe janë dashur tetë muaj me një korrespondencë të gjatë të strukturave dhe autoriteteve drejtuese të UT, që vetëm në datën 30.07.2010 Senati Akademik të arrinte të miratonte rregulloren për këto specializime. Sipas Kules, edhe pas kësaj, përsëri dekani nuk ka lejuar fillimin e procedurave të konkurimit dhe ka kundërshtuar hapur autoritetin ligjor të organit më të lartë drejtues të UT, Senatit Akademik. Më tej, Kule bën të ditur se megjithëse në fillim të muajit janar të vitit 2011 kanë përfunduar procedurat e konkursit për të gjitha specialitetet në FM, ende edhe sot, dekani nuk ka shpallur dhe refuzon të shpallë dhe regjistrojë fituesit me pretekstin e domosdoshmërisë së rishpërndarjes së kuotave të paplotësuara. Sipas Kules, pasojat e rënda të veprimeve të kundërligjshme të dekanit kanë bërë që deri në datën 18 mars 2011, kandidatët fitues të mos jenë regjistruar, duke krijuar situatë paligjshmërie me pasoja të renda si për UT, ashtu edhe për të gjithë personat e interesuar për programet e studimit të specializimeve afatgjata. Për të gjitha shkeljet e konstatuara, Kule sqaron se dekanit të Fakultetit të Mjekësisë i është tërhequr vëmendja në mënyrë të përsëritur dhe në vazhdimësi. “Me urdhrin nr.1386, datë 15.06.2010 i është dhënë edhe masa disiplinore ‘vërejtje me paralajmërim’ me motivacionin ‘Për shkelje të rëndë të disiplinës në punë, me pasojë moszbatimin e VKM nr.1282, datë 23.12.2009’”, - thuhet në propozimin e Kules për shkarkimin e Priftanjit. Duke marrë shkas nga mosreagimi i dekanit të Mjekësisë, dhe pasi ka vënë në dijeni jo vetëm ministrin e Arsimit, por edhe kryeministrin, rektori Kule, bazuar në nenin 64, pika 4, të ligjit nr.9741, datë 21.05.2007 “Për arsimin e lartë në RSH”, i propozon ministrit të Arsimit shkarkimin e Alfred Priftanjit nga detyra e dekanit të Fakultetit të Mjekësisë për shkelje të rënda të këtij ligji dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij, që kanë sjellë anomali të dukshme në funksionimin e njësisë kryesore që ai drejton.
Për më shumë se një vit nuk ka lejuar fillimin e procedurave të konkurimit, e për pasojë as fillimin e programit të studimeve të specializimeve afatgjata, për vitin akademik 2009-2010.
Është bërë pengesë edhe për përfundimin e këtyre procedurave, duke mos regjistruar kandidatët fitues në këtë program, në kundërshtim me rregulloren e konkursit për specializimet afatgjata.
Megjithëse në fillim të muajit janar të vitit 2011 kanë përfunduar procedurat e konkursit për të gjitha specialitetet në FM, ende edhe sot, dekani nuk ka shpallur dhe refuzon të shpallë dhe regjistrojë fituesit me pretekstin e domosdoshmërisë së rishpërndarjes së kuotave të paplotësuara.
Ka shfrytëzuar mënyrën e paligjshme të krijimit të Këshillit të Fakultetit.
Në vazhdimësi ka penguar dhe vazhdon të pengojë zhvillimin e zgjedhjeve për këtë organ.
Kundërshton zhvillimin e zgjedhjeve për Këshillin e Fakultetit të Mjekësisë për personelin akademik.
Ka kryer veprime arbitrare, duke refuzuar respektimin dhe zbatimin e vendimeve të autoritetit drejtues epror në procedurën e punësimit të personelit mësimor, shkencor, ndihmës mësimor, shkencor dhe administrativ.
Nuk i ka dhënë pagën punonjësve pa asnjë shkak të ligjshëm dhe ka marrë kompetenca që me ligj nuk i takojnë.
Ka refuzuar të zbatojë vendimin e emërimit në detyrë të pedagoges Teuta Dedej
Ka refuzuar të zbatojë vendimet e komandimit në detyrë të pedagogut Gentian Kaloshi, të punonjësve: Fatmira Shpuza, Artur Jorgo, Anjeza Shkurti, Vjollca Dibra, Elisa Naqellari dhe Mbaresa Isufaj.
Urdhrat e rektorit ose nuk janë zbatuar fare ose janë zbatuar me vonesë, duke
vepruar përsëri në kundërshtim flagrant me ligjin.