Mjekësia, edhe studentët kundër dekanit
Një ditë pas daljes së vendimit të rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, për shkarkimin e dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, Alfred Priftanji, ky i fundit deklaron se nuk i ka ardhur asnjë shkresë zyrtare për këtë çështje. Për rrjedhojë, dekani i shumëpërfolur i Mjekësisë nuk ka ende një reagim për propozimin që rektori Kule i ka bërë ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, për ta shkarkuar atë nga detyra. “Mua nuk më ka ardhur asnjë shkresë zyrtare për këtë propozim dhe nuk e di se çfarë është shkruar aty. Kam dëgjuar gjëra vetëm në media, por zyrtarisht nuk më ka ardhur asnjë dokument. Në momentin që do të njihem me propozimin e rektorit do të kem edhe unë reagimin tim”, - ka deklaruar dekani Alfred Priftanji për gazetën ‘Mapo’. Gjithsesi, me gjithë propozimin e Kules, që dekani i Mjekësisë, Alfred Priftanji, duhet të lërë detyrën, tashmë i takon ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, që të firmosë propozimin për largimin e tij. Bazuar në nenin 64 të Ligjit të Arsimit të Lartë, ministri i Arsimit ka 30 ditë kohë për të vendosur mbi propozimin e rektorit të Universitetit të Tiranës, për shkarkimin e dekanit të Fakultetit të Mjekësisë. Ditën e djeshme, pro vendimit të rektorit Kule ka dalë edhe Lëvizja Studentore për Reformimin e Sistemit Arsimor Shëndetësor, përfaqësuesit e së cilës nisën të parët betejën kundër dekanit të Mjekësisë. Sipas Lëvizjes Studentore, ndonëse kanë kaluar tashmë 3 muaj që prej përfundimit të aktivitetit të saj për gjendjen në fakultet, gjithçka ka qenë një odise e mbyllur me një varg premtimesh dhe rrugëzgjidhjesh të menjëhershme, që sot duket se i ka marrë era, pasi gjërat në fakultet nuk kanë ndryshuar edhe pse u premtua e kundërta. Më tej, përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje rendisin problemet e konstatuara nga vetë ata në Fakultetin e Mjekësisë dhe bëjnë të ditur se “pas një peticioni të drejtuar edhe Kryeministrit të Shqipërisë, nëse nuk shohim angazhimin e duhur nga përgjegjësit përkatës, paralajmërojmë grevë urie”. Studentët e Lëvizjes Studentore, megjithëse e mbështesin propozimin e rektorit të Universitetit të Tiranës për shkarkimin e dekanit, ata e quajnë edhe të vonë këtë vendim. Në këto kushte, studentët kërkojnë që Ministria e Arsimit të mbajë përgjegjësi për këto ngjarje dhe të marrë vendim të menjëhershëm për të zgjidhur situatën.
Neni 64
Në raste flagrante ose shkelje të rënda të ligjit dhe akteve nënligjore nga një autoritet drejtues i një njësie kryesore, rektori urdhëron pezullimin e atij autoriteti dhe i propozon Ministrit të Arsimit dhe Shkencës shkarkimin e tij, i cili shprehet brenda një muaji. Rektori cakton njërin prej zëvendësve të autoritetit që do ta zëvendësojë autoritetin drejtues të pezulluar deri në zgjedhjen e autoritetit të ri, sipas këtij ligji. Rektori organizon zgjedhjet e parakohshme.