E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lene: Dialogu të shqyrtojë autonominë për veriun

Stefanoviç e Tahiri

“Dialogu teknik në mes të Prishtinës dhe Beogradit duhet të bëhet më shumë politik dhe të shqyrtojë çështjen e autonomisë për veriun e Kosovës”, ka thënë diplomati austriak, Shtefan Lene.

Sipas tij, edhe pse dialogu i deritashëm teknik ka qenë produktiv, për tu arritur përmirësim i dukshëm i marrëdhënieve, është i domosdoshëm një proces gjithnjë e më shumë politik. Deklarata eshte bere për mediat serbe nga ish-i dërguari i Bashkimit Evropian për statusin e Kosovës.

Veriu duhet të jetë temë e rëndësishme e këtij dialogu, por jo edhe e vetmja. Një qasje më e gjerë do tiu kontribuonte shanseve më të mira për balancimin e interesave të palëve. Procesi duhet të fillojë së shpejti, por duhet të ketë edhe fazën përgatitore të shatëll-diplomacisë ndërmjet Beogradit, Prishtinës dhe veriut të Kosovës, ka thënë Lene.

Sipas tij, thelbi i autonomisë për veriun, sipas tij, duhet të negociohet. Në vend se të merret cilido model nga një pjesë tjetër e botës, marrëveshja duhet të jetë e përshtatshme për tiu përgjigjur situatës në veri të Kosovës. Është e domosdoshme që të gjendet një balancë në mes të dëshirave të banorëve lokalë për të kontrolluar vetë fatin e tyre dhe faktit që ky rajon do të jetë pjesë e Kosovës dhe duhet të ketë lidhje të domosdoshme me autoritetet e Prishtinës, ka thënë Lene për gazetën beogradase Politika.

I pyetur nëse pret kushte të reja për Serbinë për nisjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Lene ka thënë se udhëheqësit kryesorë të BE-së kanë shprehur qartë dëshirën për largimin e strukturave paralele nga veriu.  Shtefan Lene tani është ekspert i Fondacionit Carenegie Europe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›