E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha gjen mbështetje tek Orban: Perëndimi sduhet të kritikojë Shqipërinë. Berisha është një luftëtar i demokracisë

Share

Kush është Viktor Orban

Njësoj si Berisha, kryeministri hungarez preferon të bëjë antimitingje. Një të tillë bëri javën e shkuar për tiu kundërvënë opozitës. Me mijëra polakë thuhet se erdhën për të përkrahur qeverinë e djathtë të Orban.

Fillimisht një ligj për median, më pas një për Bankën Qendrore dhe së fundmi ligjet për gjyqësorin, kanë shkaktuar një tërmet në Bashkimin Europian, që e ka paralajmëruar ashpër Viktor Orban. Ky i fundit para tre ditësh tha se BE është kolonialiste.

Është në pikën e hallit për para për shkak të krizës ekonomike, por BE duket se do ia kushtëzojë fondet me qëndrimin që do mbajë sidomos ndaj gjyqësorit.

Një shuplakë e fundit i ka ardhur Orban nga Transparency International që thotë se shteti hungarez është i kapur nga interesa të grupeve të fuqishme. Orban pati premtuar se do luftojë korrupsionin kur erdhi në pushtet, por TI thotë se korrupsioni vetëm sa ndryshoi duar.

Ashtu siç pritej, kryeministri Sali Berisha është takuar gjatë ditës së djeshme me kryeministrin hungarez, Viktor Orban. Ky i fundit, gjatë një konference për shtyp me Berishën, ka këshilluar BE-në që të bëjë anëtare të saj vendet e Ballkanit Perëndimor, pasi sipas tij, ato do të ndihmojnë për ecjen përpara. Orban tha se Berisha është një luftëtar i demokracisë.

Eshtë vërtetë një nder i madh që të kemi sot këtu një luftëtar të demokracisë si ty, zoti Kryeministër i Shqipërisë, tha Orban.

Unë mendoj se në vitet e ardhshme, potenciali më i madh për rritjen ekonomike në Evropë do të jetë pikërisht nga rajoni i Ballkanit. Kështu që, mendimi im është që, në qoftë se Evropa në të ardhmen do të ecë para, kjo do të ndodhë vetëm sepse ajo do të ketë partnerë potencialë nga ana e vendeve të Ballkanit. Pyetja është se cili do të ishte hapi i parë që duhet të bënim për të rritur ekonominë në Evropë? Për mendimin tim hapi i parë do të ishte që shtetet e Ballkanit Perëndimor të hynin në Bashkimin Evropian. Prandaj, jo vetëm ne, por edhe Evropa, e ka të rëndësishme që Shqipëria të bëhet pjesë e Komunitetit Evropian. Shpresoj që kjo gjë të ndodhë sa më shpejt, pra që Shqipëria të hyjë në BE. Kjo do të ishte një gjë e mirë jo vetëm për Evropën, por edhe për shqiptarët kudo që ata të ndodhen, qoftë brenda kufijve të Shqipërisë, qoftë jashtë tyre, tha Orban.

Ndërkohë, duke folur për konfliktet politike në Shqipëri, Orban, që është në një krizë të thellë me Bashkimin Europian, ka thënë se Perëndimi nuk duhet të kritikojë Shqipërinë për situatën politike dhe demokracinë në vend.

Unë jam një nga ata që kam menduar dhe mendoj se, gjithmonë, gjithë ndryshimet që kanë ndodhur në Shqipëri, kanë qenë pozitive. Unë mendoj se demokracia që ka arritur Shqipëria deri më sot, në të ardhmen do të jetë gjithmonë edhe më e mirë.

Probleme të politikës së brendshme ka në çdo vend, por kjo nuk do të thotë se demokracia nuk është e mirë në një shtet.  Sa më shumë debate të brendshme të ketë në politikën e brendshme, aq më shumë e forcojnë ato demokracinë. Unë kam frikë më tepër nga ato vende që thonë se janë demokrate dhe nuk kanë asnjë problem dhe që nuk tregojnë asnjë problem jashtë. Mendoj se demokracia më e madhe është në ato vende ku ka debat midis partive politike. Po të shikojmë demokracinë shqiptare, unë mendoj se nuk ka asnjë gjë të prapambetur në krahasim me demokracitë e tjera në Evropë, por është e njëjtë me ato. Mendoj se Komiteti Evropian nuk duhet të rrijë larg Shqipërisë dhe nuk duhet të kritikojë Shqipërinë, aq më tepër për demokracinë, sepse z. Kryeministër ka punuar vite të tëra pikërisht për të ndërtuar këtë demokraci kaq të mirë. Unë mendoj se Shqipëria, pas diktaturës, duke pasur parasysh se ka kaluar dhe një nga diktaturat më të rënda nga të gjitha vendet e tjera, ka arritur të ndërtojë një demokraci me standarde evropiane. Në qoftë se ka ndonjë shtet apo person që të vihet kundër Shqipërisë sepse ka probleme të brendshme, pra në politikën e brendshme të saj, unë mendoj që kjo bën keq, sepse çështjet e politikës së brendshme i takojnë vetëm një shteti dhe po të shikosh demokracinë në Shqipëri, ajo nuk le asgjë për të dëshiruar. Unë mendoj se në të ardhmen Shqipëria do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, ka thënë Orban.

Nga ana e tij, Berisha ka folur edhe në Hungari për 100 vjetorin e pavarësisë, gjatë fjalës që ka mbajtur, ndërsa ka numëruar një sërë reformash, që i ka cilësuar si të suksesshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›