E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leon Rey, jeta e panjohur e arkeologut që zbuloi Apoloninë

“Leon Rey... Gurët filluan të flasin”, kështu titullohet vëllimi monografik me autor Luan Ramën, i cili na sjell detaje të panjohura nga jeta e arkeologut francez i cili për 16 vjet, duke filluar nga viti 1924 vazhdoi gërmimet sistematike në zbulim të qytetit antik të Apolonisë. Monografia, botim i shtëpisë botuese “Globus.R”, sjell fotografi, letërkëmbime, pjesë ditari të panjohura, si dhe dëshminë e dy fëmijëve të tij Jean-Gabriel Rey dhe Geraldine Rey

Jeta e arkeologut francez, Leon Rey, vjen për herë të parë në një monografi të shkruar nga shkrimtari Luan Rama nën titullin “Leon Rey... Gurët filluan të flasin”, një botim i “Globus.R”. Detaje të panjohura nga jeta e drejtuesit të Misionit Arkeologjik Francez, i cili gjatë 16 vjetëve bëri të parat kërkime në qytetin antik të Apolonisë, zbulohet përmes fotografive të panjohurave, fletëve të ditarit, letrave e rrëfimeve të dy fëmijëve të tij Jean-Gabriel Rey dhe Geraldine Rey. Më 1924, një mision arkeologjik francez, nën drejtimin e Leon Rey, filloi gërmimet sistematike në Apoloni, të cilat vazhduan deri më 1938 dhe rezultatet u botuan në revistën “Albania”. Luan Rama na njeh me këtë arkeolog francez, i cili e vuajti tepër largimin nga Shqipëria dhe faktin që nuk iu dha më mundësia të kthehej sërish në Shqipëri.

Ju keni shkruar një sërë esesh historike për figura të historisë, tashmë sapo keni mbaruar dhe dorëzuar për shtyp një libër që mpleks arkeologjinë, Apoloninë dhe figurën e një prej arkeologëve të njohur francezë, Leon Rey. çfarë ju nxiti që të ndërmerrnit një nismë të tillë?

Pikëtakimi i parë me Apoloninë ka ndodhur vonë tek unë, atëherë kur isha një djalosh njëzetvjeçar dhe si studentë, gjatë pushimeve të verës punonim vullnetarisht për ndërtimin e stacionit të hekurudhës së re në Fier, si dhe në Mbrostar, jo larg këtij qyteti. Kureshtja për të parë qytetin antik, për të cilin kisha dëgjuar, më shtynë një ditë të shkoja me disa shokë dhe ta shikoja atë “Qytet të Madh e Hijerëndë”, Magna urbs et gravis, siç e kishte quajtur Ciceroni, i cili, në prag të fillimit të mijëvjeçarit të parë të erës sonë, kishte kaluar në këto anë. Disa herë u ktheva në Apoloni; u takova me pleqtë e Pojanit për të mësuar atë çka ruante populli në tregimet dhe gojëdhënat e tij. Shqipëria e viteve 1914-1917 ishte kthyer në një shesh beteje të forcave të perandorive dhe Fuqive të Mëdha. Lufta mes ushtrive austriake dhe italiane në kufirin e lumit të Vjosës, gjëmimet e bombave, monumentet dhe grabitja e tyre nga austriakët, e gjithë kjo, më krijoi një tablo të atyre ngjarjeve të ndodhura në fillim të shekullit. Pikëtakimi im i tretë ndodhi kur erdha në Paris si diplomat. Unë kisha lexuar rreth misionit arkeologjik francez të drejtuar nga arkeologu i njohur, Leon Rey, si dhe kisha shfletuar një numër të revistës së tij “Albania”, e cila më kishte befasuar për cilësinë e saj. Por njohja me të birin e tij Jean-Gabriel, si dhe të bijën, Geraldine Rey - Hutinel, më bënë shumë të afërt me jetën dhe veprën e plotë të tij. Pikërisht nga këto takime të shpeshta arrita të kuptoj kontributin që kishte dhënë Leon Rey për arkeologjinë shqiptare, por dhe dashurinë e tij të madhe për Shqipërinë, aq sa e kishin kthyer atë në një “ambasador” të çështjes shqiptare në Europë. Shumë herë, në shtëpinë e Jean-Gabriel apo të Bernard dhe Geraldine, unë mësoja gjithnjë ngjarje e fakte të reja nga jeta dhe puna e Leon Rey-it. Makinën e tij, kur vinte çdo prag vere nga Parisi nëpër bregun dalmat gjer në Shqipëri, ai e kishte quajtur “Miss Albania”. Në shumë dorëshkrime të tij, pjesë ditari, letra dërguar miqve dhe familjes, fotografi të shumta, çka ishte një tjetër pasion i jetës së tij, më shfaqën dimensionin e vërtetë të këtij njeriu. Madje, një ditë, ishte Jean-Gabriel që më tregoi një dorëshkrim të mbetur të Leon Rey, të shkruar në anglisht dhe të pabotuar ende. Titullohej “Zotat kanë të drejtë” (The goods are reasons), ku unë zbulova kujtimet e tij, të shkruara në mënyrë letrare për ndodhi, ngjarje e personazhe dhe miqtë e afërt të tij në qytezën e Apolonisë antike. Më kujtohen gjithashtu emocionet e veçanta të Geraldinës, (e cila mbante emrin e Mbretëreshës Geraldinë, meqë ajo ishte dhe nunja e saj kur ajo lindi në vitin 1939). Kur ajo do të nisej në Tiranë dhe do të dërgonte bustin e Leon Rey-it, i cili i mungonte Apollonisë antike. Po kështu, disa vjet më vonë, dhe pikërisht në vitin 2004, bashkë me Jean-Gabriel Rey, ne u nisëm në Tiranë, ku ai i dhuroi Arkivit të Shtetit gjithë arkivin e Leon Rey-it që ruante familja e tij, ku veç dorëshkrimeve, kishte dhe një fond shumë të pasur fotografish që kishin nevojë të skedoheshin dhe të bëheshin të njohura për historianët dhe arkeologët shqiptarë. Më pas, më lindi ideja dhe i thashë Jean-Gabriel: “I dashur mik, sigurisht, ne flasim për jetën dhe kontributin e Leon Rey-it në arkeologjinë shqiptare, por çështja është se njerëzit e sotëm nuk e njohin realisht figurën e tij, jetën dhe itinerarin e tij. Pra për këtë duhet shkruar një biografi apo një monografi, ku të shpaloset si kontributi shkencor ashtu dhe jeta e tij.

A ishte e vështirë për ju të binit në gjurmë të jetës së Rey-t?

Që nga ajo ditë, unë fillova të mendoj për këtë libër dhe pata shumë takime me Jean-Gabriel dhe Geraldinën. Dhe me këtë dëshirë, u ula të shkruaja, të mblidhja fakte e ngjarje nga jeta e tij, të mblidhja shënimet e tij në konferencat e ndryshme në Shqipëri, Francë, Belgjikë, Jugosllavi apo gjetkë. Ajo që do të më prekte më shumë, ishte periudha e mbrame e jetës së Leon Rey, epoka pas vitit 1945, kur ai pandehu se po e prisnin në Shqipërinë e re dhe kur i thanë se duhej të kthehej mbrapsht. Një shpresë e madhe e kishte mbajtur vite me radhë, gjersa gjithçka u venit. Dhe kur autoritetet shqiptare më së fundi e kuptuan gabimin e tyre dhe donin ta thërrisnin, atëherë ishte tepër vonë. Rey jetonte vitin e fundit të jetës së tij. Po, tepër vonë. Pengu i tij kishte lënë shenjë. Një mungesë aq e gjatë e kishte dëshpëruar shumë gjer në çastet e fundit të jetës së tij.

Lexuesi i gjerë, madje dhe vetë arkeologët shqiptarë, nuk e njohin aspak jetën e tij. Cili ishte Leon Rey, nga vinte?

Rey ishte nga një familje noteri dhe një nga pararendësit e tij kishte qenë “graveur” apo një artist-artizan që riprodhonte për familjen mbretërore gravura, duke u nisur nga piktorët e mëdhenj të Rilindjes. Kështu edhe ai, pas studimeve të mesme, donte të bëhej noter. Por shpejt e kuptoi se kjo fushë nuk e tërhiqte. I ati e la jetim shumë shpejt, por ai filloi studimet historike në një nga shkollat më me emër të Francës siç ishte “Ecoles de Chartes”.

Ku jeni mbështetur për shkrimin e këtij libri?

Në shkrimin e këtij libri, tri kanë qenë burimet bazë: takimet e shpeshta me dy fëmijët e tij: Jean-Gabriel Rey dhe Geraldine Rey (Hutinel), dorëshkrimet dhe letrat e Leon Rey-it, si dhe revista “Albania” e botuar në Paris, që ai nxori gjatë kohës që bënte ekspeditat e tij arkeologjike në Shqipëri. Rey, për periudhën e parë të jetës së tij arkeologjike, pra gjatë Luftës së Parë Botërore, kur nga Verdun-i, atë e çuan në frontin e Maqedonisë për të bërë gërmime arkeologjike, i inkuadruar gjithnjë në Ushtrinë e Orientit (L’Armée de l’Orient), të komanduar nga gjeneral Sarrail-it, i cili dhe krijoi Korçën autonome (Republika e Korçës) në vitet 1916-1917. Ky ditar është i shkruar me nota poetike dhe dëshmon për gjendjen e tij shpirtërore. Atë kohë Rey gërmonte dhe kjo e bënte të harronte dhe luftën. Vetëm kur avionët prusianë silleshin rrotull dhe qëllonin, atëherë ai e kuptonte se ishte luftë dhe se duhej të bënte kujdes nga bombardimet. Nuk donte që nëna e tij e dashur të provonte një tragjedi të dytë. Kjo ide e bënte të dridhej, jo se kishte frikë për vete, por se mendonte për nënën e tij. E mjera nënë! ç’bën vallë tani? Ndoshta ka shkuar në kishë?...

Viti 1939, është viti i fundit i ardhjes së Leon Rey-it në Shqipëri. Përse kjo ndërprerje e misionit arkeologjik francez?

Leon Rey do të dëshironte të vazhdonte kërkimet në Apoloni dhe kjo ishte ëndrra e tij, por pushtimi i Shqipërisë i dha fund kësaj ëndrre. Dhe Rey e përjetoi shumë keq këtë pushtim. Lajmi i pushtimit të Shqipërisë e tronditi së tepërmi, siç tregojnë dhe të afërmit e tij. Padyshim, do të donte të ishte vetë atje, në qytezën e dashur të tij, që të mund t’i mbronte monumentet nga lufta dhe bombardimet. ç’bëhej vallë me to? Imazhet e fotografive të pushtimit fashist të Shqipërisë ishin të pranishme në gazetat e ditës dhe ai i kërkonte çdo mëngjes: ishin fotografi avionësh që vërtiteshin në qiellin shqiptar dhe tanke që zhgërryenin një tokë të pambrojtur. Në 8 prill, gazetat franceze i bënin jehonë këtij pushtimi, si dhe në ditët më pas. Imazhi i bombardimit të muzeut arkeologjik të Vlorës dhe bastisja e tij nga ushtarët ishte kthyer në një makth i vërtetë për të. Shpirti i tij ishte trazuar në mënyrë të tmerrshme, jo vetëm nga fakti se gjithë puna e tij e gjashtëmbëdhjetë vjetëve në Apoloni ishte shkelur me këmbë dhe shkatërruar, por dhe sepse, sulmi ndaj kulturës i dukej si akti më barbar që mund t’i bëhej historisë së një kombi. Ngado që shkonte, miqtë dhe kolegët e tij i bënin të njëjtën pyetje: “ç’po ndodh në Shqipëri? Po Apolonia?... Po atë vit, në artikullin e tij të botuar në “Revue de Paris”, me titullin “Gjashtëmbëdhjetë vjet kërkime arkeologjike në Shqipëri”, ndër të tjera, pasi bënte një bilanc të punës së tij 16-vjeçare dhe përkushtimit ndaj Apolonisë dhe shqiptarëve, ai shfrynte gjithashtu dhe dufin e tij, dhimbjen dhe trishtimin e madh që do ta ndiqte gjithë jetën. Me mbarimin e luftës, ministri i Jashtëm i gjeneralit De Gaulle, ministri Bidot, e thirri Rey-in në zyrë dhe i kërkoi të shkonte në Shqipëri për të lidhur kontaktet e para mes Francës dhe Shqipërisë. Me një avion ushtarak, Rey zbarkoi në aeroportin e Tiranës me një “Boeing” bombardues të tipit “Flying Fortresse”. Me të zbritur, në fillim, ushtarakët shqiptarë e morën për gjeneralin De Gaulle, pasi edhe ai ishte shtatlartë dhe i ngjante gjeneralit të famshëm. Por ai nuk mundi të zhvillonte bisedime me qeverinë shqiptare, e cila refuzonte ardhjen e një misioni arkeologjik francez. Vajza e tij, Geraldine, e kujton me dhimbje dëshpërimin e madh të atit të saj, i cili vazhdonte të shpresonte se një ditë Shqipëria do të hapej dhe ai do të kishte mundësinë për të shkuar në Apoloni.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›