E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi, luftë për postet në këshillin tatimor

Hapet gara për 12 vendet vakante mes shoqatave. VKM-ja: Kujdes konfliktet e interesit

Zyrtarizohet vendimi i qeverisë për të krijuar këshillin tatimor, që do t’i shërbejë biznesit si “dritare” për të parë më nga afër projektet fiskale, në mënyrë që të mos njihet, siç ndodh sot, nga media për ndryshimet tatimore. Aktualisht, me vendim qeverie funksionon një strukturë në Ministrinë e Ekonomisë, Këshilli Konsultativ i Biznesit, anëtarë të së cilës janë grupe të ndryshme interesi nga spektri privat, ku njihen dhe diskutohen draft-ligjet që prekin biznesin, por këshilli tatimor do të ketë si objekt vetëm ligjet dhe vendimet që lidhen me taksat.

Në vendimin e djeshëm, qeveria u ka vënë në dispozicion bizneseve me shoqatat e tyre 12 vende, nga 18 që janë gjithsej, ku pjesa tjetër përbëhet nga zyrtarë të Ministrisë së Financave dhe Tatimeve. Për vendet e lira në këshillin tatimor, shoqatat e bizneseve, që nuk janë pak në numër, duhet të aplikojnë dhe të garojnë me njëra-tjetrën, ku përparësi do të kenë grupet interesit me shtrirjen më të gjerë, si dhe Dhomat e Tregtisë. Qeveria i ka kushtuar vëmendje edhe rrezikut të konfliktit të interesit, pasi në të tilla pozicionesh, ku biznesi dhe tatimet janë “partnerë”, krijohen situata të favorizimit të njërës apo tjetrës palë.

“Këshilli tatimor përbëhet nga 18 anëtarë, prej të cilëve 12 janë përfaqësues të tatimpaguesve dhe 6 janë përfaqësues të institucioneve publike, sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim. Përfaqësuesit e tatimpaguesve përbëhen nga përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe industrisë, të shoqatave të tjera të biznesit, të shoqatave profesionale të ekspertëve kontabël, të shoqatave të tjera të organizuara mbi bazë profesioni, të rregulluara me ligj të veçantë, si dhe të organizatave të tjera jofitimprurëse, që përfaqësojnë grupe të mëdha tatimpaguesish”, thuhet në njërën pikë të vendimit të miratuar dje nga qeveria.

Kriteret e përzgjedhjes

Përfaqësimi i tatimpaguesve, në këshillin tatimor, duhet të marrë në konsideratë kriterin e përfaqësimit gjeografik të tatimpaguesve, të kategorive të ndryshme të tatimpaguesve, si dhe të sektorëve të ekonomisë ku ata zhvillojnë veprimtarinë. Përfaqësuesit e tatimpaguesve, në këshillin tatimor, duhet të kenë përvojë profesionale prej jo më pak se tre vjetësh në çështje të administrimit të biznesit në Shqipëri. Gjithashtu, duhet të jenë anëtarë të një shoqate ose organizate të llojeve të përcaktuara në këtë vendim dhe të autorizohen, me shkrim, nga titullari, për të përfaqësuar shoqatën ose organizatën, si dhe të kenë përvojë pune në grup dhe aftësi të mira komunikuese.
Anëtarët, përfaqësues të tatimpaguesve, në këshillin tatimor, nuk përfitojnë bonus për pjesëmarrjen në mbledhjet e këtij këshilli apo shpërblime të formave të tjera. Këshilli tatimor kryesohet nga dy bashkëkryetarë, përkatësisht zëvendësministri i Financave, që mbulon çështjet e tatimeve dhe një anëtar, përfaqësues i tatimpaguesve në këtë këshill. Anëtarët nga fusha e biznesit do të kenë një mandat dyvjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje, kurse nga pala e qeverisë mandati është i përhershëm.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›