E Diel, 1 Nëntor 2026

Leonard Bombaj: Do vazhdoj të punoj me adoleshentë

TIRANE-'Vendimin e gjykatës e mësova nga shtypi i ditës. Nuk e dija fare se kur ishte caktuar seanca gjyqësore”. Kështu ka deklaruar Leonard Bombaj, në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, pas vendimit të gjykatës, e cila dënon me 5 vite burg gjobëvënësit e regjisorit të njohur. 

Gjithashtu, Bombaj është shprehur se në momentin që po jepej vendimi, ai ishte duke dhënë premierën e një emisioni, sërish me pjesëmarrës adoleshentë në një nga televizionet shqiptare. “Në kohën kur u dha vendimi isha duke dhënë premierën televizive në Tring +, një emision ku unë sërish kam bashkëpunuar me adoleshentë. Ajo që dua të them është se unë do të vazhdoj të merrem sërish me emisione që përfshijnë adoleshentët dhe kjo është më e bukura që unë mund të bëj”, - tha Bombaj.
Ngjarja
Leonard Bombaj u akuzua nga e mitura A. Xhoxhaj, një prej vajzave që bënte pjesë në grupin “Kripmjaltëzat”, themeluar nga vetë ai, për përdhunim. Pas regjistrimit të padisë së saj në komisariatin Nr. 1 në kryeqytet, Prokuroria ndërmori hetimet në lidhje me akuzën, por pas shqyrtimit të provave u arrit në përfundimin se nuk kishte asnjë fakt që të vërtetonte akuzat e së miturës.

Më datë 20.09.2011, Gjykata e Tiranës mbylli çështjen ndaj Bombajt, me pretendimin se nuk kishte prova që të vërtetonin përdhunimin ndaj A. Xhoxhajt. Më vonë, vetë Bombaj paditi në gjyq këngëtarin Arkimed Lushaj, i njohur me pseudonimin Stresi dhe katër persona të tjerë për gjobëvënie. Në padinë e tij pretendohej se ishte kanosur prej tyre, duke i kërkuar një shumë parash prej 25.000 eurosh.
Vendimi
Gjykata e Tiranës ka dënuar para dy ditësh me 5 vite burg gjobëvënësit e Leonard Bombaj. Për të miturën A. Xhoxhaj u mor masa me 8 muaj burg, ndërkohë që dënimi do të kryhet pranë Shërbimit të Provës, duke u paraqitur një herë në javë. Ndërkohë që, Arkimed Lushaj është dënuar me 1 vit e 8 muaj burg si dhe me 400 mijë lekë gjobëvënie. Bashkëpunëtori i tij, Elis Bashaj është dënuar me 1 vit e gjashtë muaj burg dhe me 400 mijë lekë gjobë, ndërsa bashkëpunëtori tjetër Roland Kurti me 1 vit e katër muaj burg dhe me 400 mijë lekë gjobë. Ndërkohë që, Sebastian Kallavaku është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 6 muaj gurg dhe me një gjobë prej 400 mijë lekësh. Në total të akuzuarit janë dënuar me 5 vite burg.

VENDIMI
I GJYQIT
Gjykata për Krimet e Rënda dënoi dy ditë më parë me 1 vit e 8 muaj burg dhe 400 mijë lekë gjobë Arkimed Lushën, reperin e njohur me emrin “Stresi”. Lusha u deklarua i fajshëm për “gjobëvënie” ndaj regjisorit Leonard Bombaj, në korrik
të vitit 2010.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›