E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leonardo: Merkato është e hapur deri më 31 gusht

Lidhur me merkaton e Milanit, trajneri i ri shpreson deri në ditën e fundit të saj.

“Merkato mbyllet më 31 gusht. Për momentin do të punojmë me këta lojtarë që kemi në dispozicion dhe më pas të shohim”, janë këto fjalët e Leonardos përpara nisjes nga Malpensa për në Shtetet e Bashkuara.  

Në SHBA ekipi i Milanit do të ketë mundësinë të ndeshet “kokë më kokë” me rivalët e Interit dhe Çelsit, çka do të jetë një mundësi e mirë për të kontrolluar skuadrën para fillimit të sezonit.

“Në këtë aventurë do të kemi mundësinë të përballemi me skuadra të rëndësishme, mbi të gjitha me Çelsin e mikut tonë Ançeloti dhe me rivalët e drejtpërdrejtë të Interit. Janë ndeshje që në praktikë do të tregojnë punën tonë reale gjatë këtyre javëve. Këto ditë do të shohim shumë sidomos nivelin taktik, dhe është e vërtetë që skuadra e ka një ide për lojën e saj pasi luan kështu prej shumë kohësh. Por, ne do të provojmë disa taktika të reja, me sisteme të ndryshme dhe lojtarë në pozicione të ndryshme”, thekson Leonardo.

Ditën e diel Milani do të përballet me Los Anxhelos Galaksin e David Bekamit, dhe më 22 korrik me meksikanët e Klub Amerikës. Më 24 korrik është super miqësorja me Çelsin, dhe më 26 do të luhet derbi me Interin e Hoze Murinjos.

Më 29 korrik Milani pritet të rikthehet në Evropë për t’u angazhuar në “Audi Cup”, ku do të ndeshet me Bajernin e Mynihut.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›