E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëpusha, destinacioni alpin që po tërheq gjithnjë e më shumë turistë

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Në zemër të Alpeve Shqiptare, Lëpusha ofron për vizitorët një përvojë të rrallë qetësie dhe natyre.

Në Malësinë e Madhe, vetëm 21 kilometra larg Tamarës dhe 10 kilometra nga Vermoshi, fshati është bërë më i aksesueshëm falë rrugës së përmirësuar dhe shtimit të bujtinave.

Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga kjo zonë turistike, teksa shkruan “pamje magjepsëse nga Lëpusha e Kelmendit, në zemër të Alpeve të Malësisë së Madhe”.

Lëpusha është një vend me potenciale për turizmin e natyrës dhe atë të aventurës, ndërsa investimet në bujtina e agroturizëm kanë nxitur turizmin alpin.

Me male të larta me bllokun shkëmbor të Shenikut në Bjeshkët e Namuna dhe malet përreth, zona shquhet për kullotat e gjelbra dhe pyjet e dendur.

Dega kryesore e ekonomisë në zonë është blegtoria dhe bujqësia, por vitet e fundit po zhvillohet edhe agroturizmi.

Investimet në agroturizëm kanë ngritur në zonë edhe bujtinat e para, që kanë përshtatur ambientet për një turizëm gjithëvjetor.

Kjo zonë po tërheq mjaft vizitorë e turistë të huaj, kryesisht ata që pëlqejnë ngjitjet malore, aventurën, sportet e borës dhe natyralistët.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›