E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbetën të bllokuar në kanionet e Gjipesë, policia shpëton turistin holandez me dy fëmijët e mitur

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Një turist holandez së bashku me dy fëmijët e tij të mitur u shpëtua nga policia pasi kishin mbetur të bllokuar për disa orë në një zonë të thepisur në kanionet e Gjipesë, në Dhërmi.

Policia njoftoi sot se në kushte të një terreni shumë të vështirë dhe në errësirë, pas rreth 4 orësh operacion kërkim-shpëtimi, shërbimet e Policisë nxorën pa lëndime turistin dhe dy fëmijët e tij.

“Pas rreth 4 orësh kërkime intensive, në kushte të errësirës dhe në një terren tepër të vështirë, shërbimet e Policisë bënë të mundur lokalizimin dhe evakuimin e tyre në mënyrë të sigurt”, njoftoi policia.

Sipas policisë, pas nxjerrjes nga zona e rrezikshme, turisti dhe dy fëmijët e tij morën ndihmën e parë mjekësore dhe rezultuan në gjendje të mirë shëndetësore.

Turisti holandez falënderoi shërbimet e Policisë së Shtetit për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë operacionit.

“Dua t’u them të gjithëve se sonte jemi jashtëzakonisht mirënjohës ndaj Policisë lokale, e cila na shpëtoi nga vendi ku kishim mbetur të bllokuar. Ishte një zonë shumë e rrezikshme, sidomos gjatë natës. Këta tre efektivë janë heronj”, tha ai.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›