E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëreni të qetë

metNga Met Dervishi

Ringritja e PD-së, që presupozohej nga procesi i votimit një anëtar një votë, përfundoi në një proces të ri përçarjeje brenda saj. Që nuk është  e para e këtij lloji, po, nga të gjitha gjasat, duket të jetë e fundit. Dhe si gjithnjë gjatë këtyre njëzet vjetëve, arkitekti i kësaj përçarjeje të re është z. Sali Berisha. Nuk ishte dhe aqs nuk kishte se si të ishte një garë për kreun e ri të Pd-së, po një proces votimi i personalizuar nëpërmjet të cilit u hetua kush ishte me ne dhe kush kundër nesh. Mbështetësit e z. Olldashi, hë për hë janë në karantinë, por ata i ndan vetëm një hap nga etiketimi si armiq të partisë.

Por kjo është një përçarje e vogël, në krahasim me përçarjen e madhe nga e cila kemi shpëtuar. Inskenimi, por dhe mbijetesa e z. Sali Berisha në politikën shqiptare, ka të bëjë pikërisht me përçarjen. Nga retrospektiva del që ai ka qenë djalli i madh i përçarjes/përçarjeve shqiptare këndëj e andej kufirit.

Kjo ka të bëjë me kujtesën tonë kolektive, por dhe me bilancin e liderit tonë historik. Pluripartitizmi shqiptar u inskenua si pluralizëm përçarës. Pd-ja shumë shpejt, nën udhëhqjen e z. Berisha, u identifikua si parti e veriut nacionalist, kurse Ps-ja e z. Fatos Nano si parti e jugut komunist. Në këtë inskenim, regjisori që u fsheh pas kuintave, ish- presidenti Ramiz Alia, nuk duket të ketë qenë i vetëm. Produkti i këtij inskenimi ka qenë viti 97, në propogandën zyrtare kolaps i sistemit të firmave piramidale/ në fakt kolpas i shtetit shqiptar. Inskenimi e kreu misionin e tij.

Gjatë këtyre njëzet vjetëve kemi pasur përballë një përçarës të madh që herë ka mimetizuar disidentin antikomunist, herë nacionalistin, herë patriotizmin qytetar, herë europianistin e kulluar. Por që gjatë gjithë kohës ka punuar haptas e fshehtas për përçarjen, dhe jo pa sukses. Çka tregon që homogjeniteti i shtetit tonë komunist ka qenë deri diku, një fiksion propogandistik.

Jataganin e përçarjes ai e ka zhveshur qysh në 92-shin e largët, sapo erdhi në pushtet. Dhe ka goditur majtas e djathtas, pa mëshirë. Shumëkujt mund të mos i kujtohet, po ndër viktimat e para kanë qenë sindikatat, të cilat i bëri lesh e li dhe pastaj ua mbylli gojën me prona. Si pasojë, dhe sot e kësaj dite nuk mund të flitet ende për lëvizje sindikaliste në Shqipëri.

Viktima e dytë, më pak në kujtesë se sindikalistët, ka qenë Komiteti i atëhershëm i Helsinkit, me të cilët duket e kishte më kollaj për ti etiketuar si komunistë. Por, fill pas tyre, ai iu kthye e su është ndarë asnjëherë shoqatës/shoqatave të të përndjekurve politikë. Dhe, njëkohësisht e paralelisht me to, përçarja e shoqatës/shoqatave të pronarëve.

Por jatagani i tij ka shkëlqyer sidomos në politikë, e ndër to, pasioni i tij më i madh ka qenë përçarja dhe kontrolli mbi partinë socialiste. Shumëkujt mund të mos i kujtohet, por në zgjedhjet e vitit 96 segmente të ndryshme të kësaj partie pa kryetar kontrolloheshin nga z. Berisha. Ndërkaq e paralelisht me të, ai ka punuar si një maratonomak i vërtetë për përçarjen e mocionistëve, ballistëve, legalistëve, LZHK-istëve, PBDNJ-istëve, komunistëve, FRD-istëve, etj. etj. Po me këtë zell, ai ka punuar paralelisht për përçarjen e komunitetete fetare, medies, ekzekutivit, dikastereve, deri dhe të ambasadave, madje dhe kur ambasadorët i kishte emëruar vetë. P.sh. në vitin 96, jo vetëm z. Meksi që ishte kryeministër ishte i kontrolluar, por pjesa më e madhe e ambasadorëve nuk flisnin me sekretarët e ambasadave ngaqë këta raportonin direkt te z. Berisha. Madje, kishte raste dhe shoferët.

Dhe riciklimi në pushtet i z. Berisha në 2005-ën ka të bëjë me përçarjen e së majtës. Por dhe mbijetesa e tij në pushtet për tetë vjet rrjesht. LMN ja ka qenë një bashkëprodukt i tij dhe i z. Nano. Gjatë këtyre tetë viteve z. Berisha dhe z. Nano kanë punuar në sinkron të plotë për rrëzimin e z. Rama nga kreu i Ps-së

Nga ky përçarës i madh na ka shpëtuar një herë e përgjithmonë vota e 23 Qershorit. Për këtë duhet falënderuar Edi Rama që i mbijetoi e Ilir Meta që gjeti momentin e duhur për tu shkëputur prej tij. Duhen falënderuar natyrisht dhe Miqtë tanë në Europë e SHBA. Deri dhe te ambasadori Ëithers që ishte me ne gjer ditën e fundit të zgjedhjeve.

Por, në radhë të parë, duhen falënderuar votuesit shqiptarë. E në radhë të parë, mes tyre, votuesit shkodranë, kuksianë, dibranë Me rinumërimin, me komisionin e tij gjysmak, deshi të japë mesazhin sërish që Veriun e ka me vete, po dështoi. Kjo votë i ka dhënë përgjigjen e duhur zogut të bjeshkës. Arrogancës së përçarjes .

Tani lëreni të qetë të merret me përçarjen e asaj që ka mbetur nga partia demokratike e 91-shit. Është e vetmja gjë që din të bëjë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›