Shënjestra e vrasjes në plazh ishte shoqëruar pas vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi
Policia ende nuk ka ndonjë të ndaluar për ngjarjen e rëndë në plazh në Vlorë, ndërsa mediat kanë nisur spekulimet.
Gazeta Panorama shkruan se objektiv i këtij sulmi ka qenë Sokol Isufaj, që nuk rezulton në fakt me precedentë penalë.
Por ai është shoqëruar pas vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi.
Sokol Isufaj ishte i afërm me të fortin e Roskovecit në vitet 90, Ardian Isufajn, i cili u vra në vitin 1996.
Mësohet se Isufaj, djalë i vetëm, ishte shpërngulur prej vitesh nga Roskoveci për të jetuar në lagjen Apollonia të qytetit të Fierit.
Ai ishte i martuar dhe baba i dy vajzave të vogla. Pas shpërnguljes në Fier, bashkë me të atin punonte si elektricist. Në Fier tregojnë se 34-vjeçari nuk kishte pasur probleme me drejtësinë.
Në fakt, pas ekzekutimit të deputetit Fatmir Xhindi në qytetin e lindjes, Roskovec, u shoqëruan mes shumë personash dhe anëtarë të fisit Isufaj, si dhe vetë Sokoli.
Kjo jo vetëm si banorë të zonës, por dhe për faktin se deputeti u qëllua në befasi dhe pas shpine, ndërsa hynte në shtëpinë e tij, ashtu si në vitin 96 Ardian Isufaj, i njohur me nofkën Qorri./ep