Lëshimi i raketës Artemis, NASA: Pritshmëria jonë është që njerëzit të mund të jetojnë në Hënë këtë dekadë

Njerëzit mund të qëndrojnë në Hënë për periudha të gjata, gjatë kësaj dekade, ka thënë një zyrtar i NASA-s. Howard Hu, i cili drejton programin e anijes hënore Orion për agjencinë, tha se habitatet do të nevojiteshin për të mbështetur misionet shkencore, teksa theksoi se lëshimi i raketës Artemis, e cila mbart Orion, ishte një “ditë historike për fluturimin njerëzor në hapësirë”.
Orioni është aktualisht rreth 134,000 km nga Hëna. Raketa Artemis 100 metra e gjatë u lëshua nga Qendra Hapësinore Kennedy si pjesë e misionit të NASA-s për të kthyer astronautët në satelitin e Tokës.
Në majë të raketës është “ulur” anija kozmike Orion, e cila, për këtë mision të parë, është e paekuipazhuar, por është e pajisur me një ‘manikinë’ që do të regjistrojë ndikimet e fluturimit në trupin e njeriut.
Fluturimi i së mërkurës pasoi dy përpjekje të mëparshme të nisjes në gusht dhe shtator, të cilat u ndërprenë për shkak të problemeve teknike.
“Është hapi i parë që po bëjmë për eksplorimin afatgjatë të hapësirës në thellësi, jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por për botën. Dhe unë mendoj se kjo është një ditë historike për NASA-n, por është gjithashtu një ditë historike për të gjithë njerëzit që e duan fluturimin njerëzor në hapësirë dhe eksplorimin e thellë të hapësirës. Dua të them, ne do të kthehemi në Hënë, ne po punojmë drejt një programi të qëndrueshëm dhe ky është mjeti që do të transportojë njerëzit që do të na zbresin përsëri në Hënë. Nëse fluturimi aktual i Artemis do të jetë i suksesshëm, atëherë tjetri do të ketë një ekuipazh, i ndjekur nga një i tretë ku astronautët do të zbarkonin përsëri në Hënë për herë të parë që nga Apollo 17, 50 vjet më parë në dhjetor 1972”, tha ai.
Një nga fazat më kritike të misionit Artemis I është kthimi i sigurt i modulit Orion në Tokë. Ai do të rihyjë në atmosferën e planetit me 38,000 km/h, ose 32 herë më shumë se shpejtësia e zërit dhe mburoja në pjesën e poshtme të tij do t’i nënshtrohet temperaturave që i afrohen 3,000 C.
Pasi të jetë testuar dhe vërtetuar siguria e komponentëve dhe sistemeve të Artemis, Hu tha se plani ishte që njerëzit të mund të jetonin në Hënë “në këtë dekadë”.
Një pjesë e madhe e arsyes për kthimin në Hënë është të zbulohet nëse ka ujë në polin jugor të satelitit, shtoi ai, sepse ai mund të konvertohet për të siguruar një lëndë djegëse për anijet që shkojnë më thellë në hapësirë , për shembull në Mars.
“Ne do të dërgojmë njerëz në sipërfaqe dhe ata do të jetojnë në atë sipërfaqe dhe do të bëjnë shkencë. Do të jetë me të vërtetë shumë e rëndësishme për ne që të mësojmë pak përtej orbitës së Tokës sonë dhe më pas të bëjmë një hap të madh kur të shkojmë në Mars. Dhe misionet Artemis na mundësojnë të kemi një platformë të qëndrueshme dhe një sistem transporti që na lejon të mësojmë se si të operojmë në atë mjedis të thellë hapësinor“, tha Hu.
Kapsula Orion do të kthehet në Tokë më 11 dhjetor./ BBC
/rtsh.al/