Takimi i ministrave të jashtëm të OSBE, Polonia i ndalon hyrjen Lavrov, Rusia: Vendim provokues

“Një vendim provokues i Varshavës”, kështu e ka konsideruar Rusia refuzimin e Polonisë për të lejuar ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, të hyjë në territorin e saj për një takim të ministrave të jashtëm të OSBE-së.
“Vendimi i Polonisë është provokues dhe i paprecedentë. Varshava jo vetëm që u diskreditua në këtë mënyrë, por gjithashtu i shkaktoi një goditje të pariparueshme prestigjit të të gjithë Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë. Këto vendime të dëmshme të polakëve po e shtyjnë OSBE-në në humnerë”, tha diplomacia ruse në një deklaratë.
Sipas rregullave të vendosura pas pushtimit rus të Ukrainës, delegacioni rus nuk duhet të përfshijë njerëz që janë sanksionuar nga BE.
Takimi i 57 ministrave të jashtëm të OSBE-së do të mbahet më 1 dhe 2 dhjetor në Lodz, një qytet në Poloninë qendrore. Delegacioni rus do të udhëhiqet nga ambasadori rus në OSBE, Aleksandër Lukasheviç , sipas Moskës.
Që nga themelimi i saj në 1975 në zemër të Luftës së Ftohtë për të promovuar dialogun Lindje-Perëndim, OSBE-ja është e vendosur në Vjenë, Austri.
Sesioni vjetor ministror i OSBE-së, në të cilin zakonisht merr pjesë Lavrov, është organi qendror i kësaj organizate ndërkombëtare, i cili është përgjegjës për vendimet e saj./ CNN.gr
/rtsh.al/