E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lesi: Xhuveli të ikë nga qeveria

Pas Mediut edhe kryetari i LDK-së kërkon qeveri me parti të djathta
TIRANË- Shtohen zërat e aleatëve që kërkojnë ndryshime në qeveri. Megjithëse i njohur si kritik i herëpashershëm i ministrave të veçantë në ekzekutiv, Kreu i LDK-së, Nikoll Lesi ka dalë në të njëjtën linjë si edhe dy kolegët e tij të tjerë të mazhorancës, Vangjel Dule dhe Fatmir Mediu, duke theksuar se ndryshimet janë një domosdoshmëri, në disa sektorë, për të ndryshuar ritmin e qeverisjes. Lesi ka kërkuar dje në mënyrë publike nga Kryeministri që menjëherë pas Samitit të Bukureshtit, që do të mbahet në datat 2-4 Prill, të bëhet dhe riformatimi i kabinetit qeveritar, në mënyrë që disa sektorë të marrin një zhvillim tjetër nga ai që është konstatuar deri tani. "Unë i mbetem partizan idesë se duhet ndryshuar qeveria, padiskutim në prill-maj, pas Samitit të NATO-s",- u shpreh Lesi. Por, sipas tij, ndryshimet në kabinet duhet të reflektohen edhe në një riformatim të së djathtës në tërësi, si një masë parapërgatitore për zgjedhjet e ardhme parlamentare të vitit 2009. Një ide kjo e bërë publike dy ditë më parë nga vetë kreu republikan, Fatmir Mediu, i cili kërkoi që e djathta ka nevojë për ato forca që kanë dhe mbrojnë një program të djathtë, duke lënë të kuptohet se kërkonte largimin e PAA-së nga koalicioni qeverisës. "Riformatimi i së djathtës duhet komplet me idenë e z.Fatmir Mediu, të cilin unë e mbështes. Gjithashtu të largohen të ardhurit në vitin 2005, pra që ishin në koalicionin e majtë dhe erdhën në të djathtë dhe morën racionin e disa partive të djathta, të disa personaliteteve nga e djathta",- u shpreh kreu i Lidhjes Demokristiane, Nikoll Lesi. Sipas tij, tashmë nuk ka më arsye që agrarët të qëndrojnë në koalicionin e djathtë, prandaj Kryeministri duhet të rishikojë vendimin e tij dhe të bëjë ndërhyrjet e duhura në kabinet. Ndërkohë, në vijim të kësaj ideje, Lesi ka propozuar dhe një afrim konkret të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, të kryesuar nga Dashamir Shehi, si një forcë qartësisht e djathtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›