E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH, ul masën e subvencionit të teksteve

Sipas burimeve pranë DART masa e subvencionit të teksteve është ulur, për shkollat e mesme nga 50% në 20% dhe për 9-vjeçaret nga 70% në 50%
Masa e subvencionit të teksteve shkollore është ndryshuar nga Ministra e Arsimit. Kështu, ky dikaster, pa e bërë publike, në mënyrë të heshtur, në muajin dhjetor të vitit 2007 ka ulur masën e rimbursimit të teksteve duke shkelur premtimin. Kështu, burime pranë Drejtorisë Arsimit të Tiranës bëjnë të ditur se shpërndarja e teksteve ka filluar që muajin e kaluar, por kjo shpërndarje po bëhet me subvencion më të ulët. Madje edhe prindërit, të cilët kanë shkuar për të tërhequr masën e rimbursimit të librave, pohojnë se po marrin më pak para nga sa ishte premtuar nga MASH. Ndërsa burime zyrtare pranë MASH-it thonë se për subvencionimin e teksteve shkollore është vënë në dispozicion gjithë fondi i parashikuar por, sipas tyre, masa e parave të tërhequra nga prindërit varet edhe se ku i kanë blerë librat. Ndërkohë, drejtori i Zyrës së Ekonomisë pranë DART, Fejzo Kaloshi pohon se është vënë re interes i lartë për të tërhequr rimbursimin e librave.
Rimbursimi
Pafundësi për t'u pajisur me fatura të teksteve, vonesa të tepërta për rimbursimin dhe si të mos mjaftonte kjo tashmë është marrë vendimi që subvencioni të jetë më i ulët nga sa kishte premtuar Ministra e Arsimit. Kështu burime pranë DART-it pohojnë se masa e subvencionit për tekstet shkollore nga 50 për qind që ishte për shkollat e mesme është ulur me 20 për qind, ndërsa për shkollat 9-të vjeçare, nga 70 për qind që ishte premtuar subvencioni është ulur në 50 për qind. "Subvencioni i teksteve mund të themi se ka filluar që muajin e kaluar por ky subvencion ka qenë më i ulët nga sa ka premtuar ministria. Arsyet e uljes së masës së përfitimit le t'i shpjegojnë strukturat kompetente",- pohojnë burime pranë DART-it duke shtuar se këto vendime i merr dikasteri i Arsimit. Ndërkohë drejtori i Sektorit të Ekonomisë pranë DART-it, Kaloshi, pohon se është vënë re një interes për të tërhequr rimbursimin e librave. "Numri i nxënësve për qytetin e Tiranës që kanë përfituar subvencion nga shpërndarja e teksteve, është afërsisht 35 mijë. Shuma totale e lekëve që përfitojnë këta nxënës është 22 milionë lekë",- pohon Kaloshi. Ndoshta masa e subvencionit është ulur për faktin se MASH-i nuk mundi të ulte numrin e nxënësve përfitues.
Prindërit
Të zhgënjyer jo vetëm me sorollatjet dhe rrëmujën e madhe që u bë për të pajisur fëmijët me tekste shkollore, por zhgënjimi i tyre ka arritur kulmin me masën e subvencionit që kanë marrë. Kështu, përpos vonesave për të marrë pjesën e rimbursimit të premtuar tashmë ky rimbursim u është dhënë në masë aq të ulët, sa prindërit kanë mbetur të habitur. "Na ishte thënë se do të merrnim 50 për qind të subvencionit, por nuk mora as gjysmën e parave të premtuara",- pohon njëri nga prindërit që ka djalin në gjimnaz. Sipas tij, paketa e librave që ia ka blerë dhe i ka me faturë, është rreth 4500 lekë të reja dhe ai ka marrë vetëm 1100 mijë lekë të reja. Ndërkohë të njëjtin problem paraqesin edhe prindërit e tjerë, të cilëve u është dashur të mbajnë barrën më të madhe për tekstet e fëmijëve të tyre pasi nuk kanë marrë masën e subvencionit.
20 për qind është ulur subvencioni i librave shkollorë për shkollat e mesme, nga 50 për qind që kishte parashikuar MASH
50 për qind është ulur subvencioni i librave shkollorë për shkollat 9-vjeçare, nga 70 për qind që kishte parashikuar MASH

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›