E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Berisha, 120 milionë euro shtesë për Rrëshen-Kalimash

Nënkryetari i grupit socialist është shprehur se me fondin shtesë mund të ndërtoheshin 4 autostrada

Partia Socialiste risjell edhe në herë në vëmendje të opinionit publik skandalin e rrugës Rrëshen-Kalimash, por kësaj radhe duke sjellë argumente të rinj, që sipas saj vërtetojnë abuzimin e madh që po bën qeveria me paratë e taksapaguesve shqiptarë në këtë objekt strategjik. Partia Socialiste akuzon kryeministrin Sali Berisha se i ka dhënë 120 milionë euro shtesë kompanisë “Bechtel Enka”, duke e çuar në këtë mënyrë 648 milionë euro të gjithë investimin për këtë aks rrugor. Nënkryetari i grupit kuvendor socialist Erion Braçe deklaroi dje se qeveria i kishte dhënë firmës “Bechtel Enka” një fond shtesë prej 120 milionë eurosh për rrugën, si fond kompensimi për inflacionin. “Rritja e dyshimtë e vlerës së rrugës Rrëshen-Kalimash, në fakt po ha njëra pas tjetrës të gjitha paratë që kanë ardhur nga shitja e veprave më të mëdha publike, më parë nga shitja e “Albtelekomit” dhe tani së fundmi nga shitja e “ARMO”-s, “INSIG”-ut etj., para` të cilat pas privatizimit, natyrisht që do të shkojnë për financimin e kësaj shtese të kontratës. E gjitha kjo është pasojë e një procesi prokurimi të gjetur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, me shkelje të rënda të ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe nga ana e prokurorisë si një proces kriminal”, - tha nënkryetari i grupit socialist, Erion Braçe. Me 120 milionë eurot shtesë që qeveria ka akorduar për rrugën Rrëshen-Kalimash, sipas deputetit socialist, do të ishte bërë i mundur ndërtimi i disa akseve të tjera të rëndësishme rrugore. “Ia vlen të sjellim në vëmendje të shqiptarëve, se me paratë shtesë, prej 120 milionë eurosh të tjera për rrugën Rrëshen-Kalimash, pra mbi çmimin e kontratës së parë prej 480 milionë euro, mund të ishin ndërtuar katër autostrada të tjera”,- tha Braçe. Duke e konsideruar këtë shtesë si të dyshimtë, ai i ka kërkuar edhe një herë prokurorisë që të çojë deri në fund hetimin në lidhje me këtë rrugë dhe të nxjerrë para ligjit, të gjithë ata që kanë abuzuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›