E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: Berisha nuk ka vullnet për zgjidhjen e krizës

Në një komunikim me median, Leskaj tha se reagimi i Kryeministrit dhe refuzimi i tij, për të dhënë një përgjigje që do ta fuste krizën në rrugën e zgjidhjes, janë prova e qartë e mungesës së vullnetit politik për një hetim të plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve të Qershorit.

“Sot Kryeministri u fsheh përsëri pas gjykatave për të justifikuar mungesën e vullnetit për zgjidhjen e krizës. Me qëndrimin refraktar e shpërfillës ndaj ofertës vullnetmirë, serioze e ligjore të PS, me përpjekjen e sforcuar, për ta futur nismën në rutinën e kalendarit të parlamentit, kryeministri ka kontribuar në radikalizimin e situatës”, theksoi ajo.

Sipas saj, zgjidhja e vetme është transparenca dhe se askush nuk të frikësohet prej transparencës së kutive. “Këshilla jonë për Sali Berishën është se herët a vonë, ai duhet të gjejë kurajën ta përballojë këtë frikë. Ai duhet të gjejë kurajën të përballet publikisht me të vërtetën për manipulimin e zgjedhjeve të 28 qershorit në rast të kundërt do të përballet me popullin opozitar”, vijoi deputetja Leskaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›