E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi, frikë dhe rrezik

Zyrtarë të opozitës thonë se moskryerja në kohë e reformës zgjedhore vë në rrezik serioz ecurinë e proceseve integruese të vendit, përfshi anëtarësimin e plotë në NATO dhe mundësinë për kërkimin e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Dy ish-ministra të Jashtëm, Kastriot Islami, sekretar i Çështjeve Zgjedhore në Partinë Socialiste dhe Paskal Milo, kryetar i Demokracisë Sociale, thonë se vonesat do të kushtojnë hapat integrues dhe do të rrezikojnë të njëjtat përfundime trishtuese të ndërkombëtarëve për proceset zgjedhorë.

Zyrtarë të opozitës thonë se moskryerja në kohë e reformës zgjedhore vë në rrezik serioz ecurinë e proceseve integruese të vendit, përfshi anëtarësimin e plotë në NATO dhe mundësinë për kërkimin e statusit të vendit “kandidat” për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Dy ish-ministra të Jashtëm, Kastriot Islami, sekretar i Çështjeve Zgjedhore në Partinë Socialiste dhe Paskal Milo, kryetar i Demokracisë Sociale, thonë se vonesat do të kushtojnë hapat integrues dhe do të rrezikojnë të njëjtat përfundime trishtuese të ndërkombëtarëve për proceset zgjedhorë.

Puna për reformën zgjedhore, pjesë e së cilës është edhe Kodi Zgjedhor, ka filluar vite më parë, por edhe sot e kësaj dite ende nuk ka përfunduar, çka rrezikon edhe integrimin në NATO dhe BE. Kryerja e zgjedhjeve të lira e të ndershme për herë të parë është një nga detyrat kryesore që duhet të realizojë shteti, për të përmbushur aspiratat integruese të shqiptarëve. E pikërisht përfundimi i reformës, së bashku me kodin, mund të bëhet pengesë për arritjen e standardeve, e për pasojë, si NATO-s, ashtu edhe BE-së i duhet thënë sërish “Mirupafshim”, sigurisht pasi sikundër vitet e fundit, përcaktimi për zgjedhjet nga OSBE-ODIHR të jetë: “Standarde pjesërisht të arritura”, apo “Shans i humbur”. Aktualisht, në grup i posaçëm pune është duke punuar në PS, për hartimin e propozimeve të partisë më të madhe opozitare, lidhur me ndryshimet që do të duhet t’i bëhen Kodit të ri Zgjedhor. E ndërsa në PS po punohet, kundërshtarët demokratë që kanë një detyrim edhe më madhor, pasi janë në qeverisje, ende nuk janë shprehur lidhur me të. Ndërsa socialistët duken optimistë se gjithçka do të përfundojë brenda korrikut, pra këtij sesioni parlamentar, “të vegjlit” janë mosbesues. “Vazhdoj të besoj, që çështja e kryerjes së reformës zgjedhore në aspektin e saj ligjor do të përfundojë brenda muajit korrik. Ne besojmë që kjo është e ndërlidhur edhe me dy çështje të tjera, siç është ajo e prodhimit të kartave dhe e regjistrit themeltar”, - shprehet sekretari i Çështjeve Zgjedhore në PS, Kastriot Islami, që padyshim i kujton edhe ekzekutivit të mos harrojë dy premtimet kryesore, pa të cilat standardet nuk do të mund të garantoheshin. Më tej, ish-ministri i Jashtëm, Kastriot Islami, vë theksin tek fakti se ky proces lidhet drejtpërdrejt me aspiratat integruese. “Gjithë ky proces që lidhet drejtpërdrejt me zgjedhjet e lira e të ndershme, që konsiderohet demokraci parlamentare, lidhet edhe me dy procese të rëndësishme, siç është ai i integrimit në NATO dhe firmosjen e MSA-së”, - tha ai. Por, ndonëse Islami duket optimist për kryerjen e reformës brenda korrikut, për kreun e PDS-së, Paskal Milon, kjo nuk ka për të ndodhur. “Ne për sa kohë që jemi të përjashtuar, jemi të shqetësuar për çka po ndodh, por s’kemi asnjë lloj përgjegjësie. Jemi të përjashtuar në këtë proces, ashtu siç u përjashtuam për ndryshime kushtetuese. Nuk besoj se kodi do të bëhet brenda muajit korrik. Ata po përpunojnë skema e nuk do ta mbyllin deri atëherë. Patjetër që vonesa e mëtejshme rrezikon standardet dhe integrimin në NATO e BE”, - tha Milo. Ky i fundit jep “alarmin”, se integrimi në NATO e BE po rrezikohet, falë Kodit të ri Zgjedhor. Sikundër thuhet më lartë, socialistët kanë ngritur tashmë grupin e juristëve që po punon për të përpiluar formën ligjore të kodit të ri, por në kampin tjetër askush nuk po ndihet. Që para se të vinin në pushtet, kryeministri aktual, Sali Berisha, premtonte zgjedhje të lira e të ndershme. Për të majtët, premtimet nuk po mbahen, pasi përjashto ndryshimet kushtetuese, që lidhen me sistemin zgjedhor, si për kodin, ashtu edhe për detyrimet e ekzekutivit, kartat e identitetit, regjistrin themeltar e pasaportat biometrike, ende nuk ka asgjë në vijë. Në të shkuarën, historia e debateve të gjata të zgjidhjes së gabuar në minutat e fundit, ka kushtuar jo pak në proceset integruese, ku vetëm në 2008-ën, më së fundi, u mor ftesa për t’u bërë pjesë e NATO-s. Pikërisht zgjedhjet e lira e të ndershme të standardeve ndërkombëtare që kanë munguar deri më sot, kanë bërë që ende Shqipëria të jetë larg standardeve të tjera të vendeve të NATO-s dhe BE-së. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›