E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskaj: “PS-ja, gati për bashkimin dhe koalicionin e madh”



Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste ka përshëndetur vendimin politik të Partisë Demokracia Sociale për t’iu bashkuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare koalicionit të drejtuar nga Partia Socialiste. “Së pari, unë dëshiroj të them, se mënyra se si u prit nga salla, mënyra se si u prit nga të rinjtë shpallja nga kryetari i PDS-së, nga z. Milo, e pjesëmarrjes në koalicion të Partisë Demokracia Sociale me Partinë Socialiste, tregon etjen, dëshirën që shqiptarët, të rinjtë, kanë për t'u bashkuar, që do të thotë se vendimin që kanë marrë strukturat vendimmarrëse të PDS-së është një vendim që mbështetet nga anëtarët e tyre, nga rinia. Besoj se ky koalicion përputhet me atë filozofi që Partia Socialiste ka shpallur me kohë, e cila ka bërë thirrje dhe kontributin për një bashkim të madh, që është kontributi i të gjithë qytetarëve, që është bashkimi i të gjitha forcave politike progresiste, që kërkojnë ndryshimin e Shqipërisë, bashkimi i të gjithë atyre që janë të angazhuar për të shpëtuar vendin nga problemet e mëdha që ka sot Shqipëria, për të shpëtuar vendin nga varfëria, korrupsioni, që besoj se janë etiketat më të dukshme të qeverisë së sotme”, - tha Leskaj. E pyetur nga gazetarët nëse do të ketë një ftesë për bashkim nga ana e PS-së në drejtim të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Leskaj deklaroi: “Unë besoj se PS-ja e ka bërë të qartë që në fillim ftesën kur ka shpallur bashkimin e madh, në radhë të parë me qytetarët. Unë besoj se forcat politike duhet të përmbushin qëllimet e qytetarëve. Partia Socialiste e ka shpallur me kohë dëshirën për bashkëpunim dhe për t'iu bashkuar një koalicioni të madh, që u shërben qytetarëve dhe jo partive politike apo interesave të veçanta të individëve”.

7 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›