E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta, ftesë Ramës: “Të takohemi për të garantuar zgjedhje të lira”

Kreu i LSI-së fton në takim Ramën për të rishikuar Kodin Zgjedhor. Meta: “Takimi, shumë i rëndësishëm për standardet në zgjedhjet e ardhshme

Shaban Sulçe
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka shpallur dje publikisht se do t’i kërkojë një takim liderit të PS-së, Edi Rama. Duke e konsideruar kthimin e Kodit Zgjedhor nga ana e presidentit si shans për përmirësim të procesit, Meta tha se do të kërkonte takim me Ramën, pikërisht për të diskutuar rreth mundësisë së korrigjimit të atyre pikave të Kodit, të cilat nuk garantojnë standardet demokratike për procesin e ardhshëm zgjedhor. Sipas Metës, ky është momenti i duhur që PS-ja dhe LSI-ja të gjejë gjuhën e përbashkët për të përmirësuar Kodin e ri Zgjedhor. Këtë deklaratë kreu i LSI-së e bëri dje gjatë takimit të zhvilluar me anëtarët e Lëvizjes Rinore për Integrim në qytetin e Burrelit.

Faktori ndërkombëtar

Kreu i LSI-së vlerësoi reagimet e shprehura nga faktori ndërkombëtar në lidhje me shqetësimin e LSI-së dhe forcave të tjera politike për rrezikun që i kanoset zgjedhjeve të lira nga Kodi i ri Zgjedhor. Meta shprehu keqardhjen për faktin se pengesa kryesore për përfaqësimin e LSI-së me komisionerë ka qenë pikërisht kryetari i PS-së, Edi Rama. “Ju e dini se ne i kemi bërë të gjitha përpjekjet tona, pikërisht që vendi të shkojë në zgjedhje të ndershme dhe të lira. Dhe mua më vjen shumë keq kur takohem edhe me përfaqësues të Bashkimit Europian dhe me shumë personalitete ndërkombëtare, të cilët më thonë që ne, zoti Meta, kemi folur me kryeministrin Berisha për këtë çështje, sepse i kuptojmë shqetësimet tuaja. Ne kemi folur dhe me ministrin e Jashtëm, zotin Basha, por jemi në një pozicion të vështirë, sepse edhe kryeministri Berisha, edhe ministri i Jashtëm Basha, na thonë se shqetësimet që ngre LSI-ja janë të drejta dhe se LSI-ja, si forca e tretë politike që është në vend, duhet të jetë e përfaqësuar në procesin e administrimit të zgjedhjeve, me të drejta të plota, pasi kjo është një e drejtë që i takon, dhe së dyti sepse ne nuk duam që të kontestohen zgjedhjet. Por, Berisha dhe Basha kanë deklaruar se ne nuk kemi çfarë t’i bëjmë kryetarit të PS-së, zotit Rama, sepse ai na thotë nuk e votojmë Kodin në rast se LSI-ja nuk mbetet pa komisioner në procesin e administrimit”, - tha Meta.

Takimi
Duke vlerësuar kthimin e Kodit nga ana e presidentit Topi, Meta tha se do të përpiqej të shfrytëzonte kohën në dispozicion për të hyrë në negociata me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, për të rishikuar Kodin. Kreu i LSI-së tha se ky takim do të jetë shumë i rëndësishëm për të evituar tensionin përpara dhe gjatë zgjedhjeve si dhe për të garantuar standarde ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. “Unë do të bëja një sforco tjetër, meqenëse ka ende kohë për t’u bërë rishikimi i Kodit, në emër të evitimit të tensionit përpara zgjedhjeve dhe gjatë zgjedhjeve, në emër të garantimit të standardeve ndërkombëtare për realizimin e këtyre zgjedhjeve të ndershme, të lira dhe të barabarta, do t’i jap edhe një mundësi zotit Rama që të reflektojë, duke i kërkuar atij për t’u takuar dhe për t’i ndarë nga afër edhe një herë këto principe me të”, tha Meta.

Votat

Meta tha se pavarësisht nga përgjigjja e Ramës, ftesa për takim është një shprehje e përpjekjeve civile dhe të emancipuara për të mbrojtur zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kryetari i LSI-së garantoi të gjithë anëtarët e LSI-së se në zgjedhjet e ardhshme, edhe me këtë Kod, askush nuk do të guxojë të grabis dhe të vjedhë votat e Lëvizjes Socialiste për Integrim. ”Besoj se ju jeni dakord që ne si forcë tepër civile dhe e emancipuar të bëjmë përpjekjen tonë, pavarësisht se cili do të jetë reagimi i tyre. Sepse nuk bëhet fjalë për të mbrojtur thjesht votat e LSI-së. Të jeni të sigurt ju që nuk ka çfarë t’u bëjë njeri votave të LSI-së. Por nuk duhet që vendi të shkojë në zgjedhje me një kod zgjedhor diskriminues, me një kod zgjedhor të padrejtë, me një kod zgjedhor të pandershëm, sepse është një minus dhe do të jetë një minus shumë i madh për vendin dhe për perspektivën e procesit integrues në Shqipëri. Sepse jam i bindur se këta qindra të rinj e të reja në Mat, në Dibër e në të gjithë Shqipërinë, jo vetëm që dinë t’u dalin për zot votave të tyre dhe të LSI-së, por dinë t’u dalin për zot votave të çdo shqiptari”.

7 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›