E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: Qeveria më shpërfillëse ndaj halleve të njerëzve

Valentina Leskaj, kryetare e grupit kuvendar të PS-së

Valentina Leskaj kritikoi mbrëmë në seancën plenare të Kuvendit politikat e qeverisë ndaj shtresave në nevojë dhe se ka lënë në harresë bujqësinë.

Valentina Leskaj kritikoi mbrëmë në seancën plenare të Kuvendit politikat e qeverisë ndaj shtresave në nevojë dhe se ka lënë në harresë bujqësinë. “Kjo qeveri do të mbahet mend si qeveria më shpërfillëse ndaj halleve të njerëzve”, - u shpreh dje kryetarja e grupit parlamentar të PS-së. Ajo shtoi se gjendja ekonomike dhe sociale në fshat është përkeqësuar dhe ka nevojë për ndërhyrje emergjente. Leskaj nënvizoi se kjo është qeveria më indiferente ndaj problemeve të popullit. Numri një i socialistëve në Kuvend, referuar problemeve në disa komuna të Elbasanit, nënvizoi se gjendja është mjaft serioze, për shkak të varfërisë që përjeton 58 për qind e popullsisë në Shirgjan, Shushicë, Gjeran, Gjinar e Zavalinë. Ajo shtoi se fermerët nuk mund të mbjellin dot tokat e tyre pasi, çmimi i farërave është dyfishuar, ku është rritur 70-90 për qind çmimi i punimeve mekanike. Po ashtu ndikon rritja e çmimit të karburantit, kostos së transportit dhe mungesës së tregjeve. “Kjo ka bërë që prodhimet bujqësore të dalin me kosto të barabartë ose më të lartë se ajo e tregut, pa llogaritur krahun e punës, i cili është totalisht i zhvlerësuar. Kjo është si në kohën e kooperativave, kur njerëzit punonin për një filxhan qumësht e një misërnike, kur puna e njeriut s’kishte asnjë vlerë. Qeveria përpara se të mendojë për masa shtrënguese për mospunimin e tokës nga fermerët, duhet të mendojë për masa nxitëse për mbjelljen e saj”, - deklaroi Valentina Leskaj. Sipas saj, toka është një pasuri kombëtare dhe duhet trajtuar si e tillë, por një fermer nuk mund të mbjellë, kur kostoja e mbjelljes është më e lartë se ajo e shitjes, apo e asaj që ai mund të blejë në treg për nevojat e tij. Liderja e socialistëve në Kuvend rikujtoi paralajmërimin e PS-së gjatë miratimit të buxhetit, se tokat do të mbeten djerrë dhe kjo në fakt po ndodh. Ajo theksoi se buxheti për mbështetjen e fermerëve është shumë larg standardeve të vendeve të rajonit, aq më tepër atyre të zhvilluara. “Sot shpenzimet e buxhetit për frymë në bujqësi janë 10 herë më të ulëta sesa BE-ja jep për grupin e 25 vendeve të saj, pa përfshirë këtu atë që investojnë vetë këto shtete, edhe pse atje punojnë vetëm 5.5 për qind e forcës së punës. Kroacia jep në buxhet katër herë më shumë se Shqipëria për bujqësinë dhe Serbia 3 herë më shumë, edhe pse atje punojnë respektivisht 8 dhe 25 për qind e forcës së punës”, - theksoi Valentina Leskaj. Udhëheqësja e ligjvënësve socialistë i bëri thirrje qeverisë të ndërhyjë urgjentisht për të përmirësuar situatën. Ajo gjithashtu vuri theksin tek problemet që kanë të bëjnë me shërbimet në fshat. Leskaj rikujtoi premtimin e qeverisë për shërbime dhe shërbesa, që sot mund të thuhet pa frikë se ekzekutivi ka dështuar në mbajtjen e tij. Liderja socialiste vuri theksin tek problemet lidhur me shërbimin e gjendjes civile. “Natyrisht, për qeveritarët që nuk kanë punë me gjendjen civile, sepse iu vijnë shërbimet në zyrë, kjo mund të duket gjë e vogël, por për ata banorë të komunave që iu është hequr gjendja civile nga qendra, është problem shumë i madh. Për komunën e Zavalinës së qarkut të Elbasanit, shërbimi i gjendjes civile është çuar në komunën Gjinar. Ata që e kanë bërë këtë ndarje, nuk e dinë që nga qendra e Zavalinës deri në Gjinar duhen orë të tëra me makinë dhe për disa fshatra deri në 12 orë në këmbë për të marrë një certifikatë”, - nënvizoi ajo. Leskaj theksoi se këtë problem e kanë edhe shumë komuna të tjera, që duhet të bëjnë 80, madje edhe 120 km për të marrë një certifikatë. Sipas saj, njerëzit duhet të shpenzojnë deri tri herë më shumë lekë dhe kohë nga sa më parë për të marrë një certifikatë. Më shumë se padituri, Leskaj e cilësoi si një papërgjegjshmëri dhe mungesë respekti për banorët e këtyre zonave qëndrimin e ekzekutivit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›