E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasje në gjueti

Eskpertiza e vdekjes se nje te riu i cili mori tri saçme pas koke te cilat i shkaktuan vdekjen. Deshmia e se motres

LIBRAZHD - Ndoshta nuk ishte aksidentale vdekja e 22-vjeçari Teki Albraimi dy ditë më parë, në pyllin e Malit të Mezicës, nga tre vëllezërit Alcani, bashkëfshatarë të tij. Në të vërtetë, sipas policisë së Librazhdit, versioni zyrtar i ngjarjes do të bëhet publik vetëm pas deponimeve të motrës së viktimës, e pranishme në vendngjarje, ndërkohë që pas ekspertizës mjeko-ligjore të trupit të të riut, bëhet e ditur se ai gjeti vdekjen si pasojë e tri saçmave të marra pas koke. Tre vëllezërit: Skënder, Xhevahir dhe Bilal Alcani, banues në fshatin Nezhë të komunës Orenjë në Librazhd, kishin dalë për gjueti në vendin e quajtur Mali i Mezicës, 38 km larg qytetit, ashtu sikurse edhe viktima me të motrën. Sipas të dhënave të para, vëllezërit Alcani ishin duke ngrënë bukë, kur befas dëgjuan një zhurmë të frikshme në drejtim të tyre. Të alarmuar se po sulmoheshin nga ndonjë egërsirë, tre vëllezërit dëshmuan se qëlluan me armë gjahu në drejtim të zhurmës. Por në vend të ariut, plumbat shkuan në trupin e bashkëfshatarit të tyre, Teki Albraimi, i cili ndodhej bashkë me motrën, që fatmirësisht nuk u prek nga asnjë saçme. Pavarësisht ndihmës së dhënë, 22-vjeçari ndërroi jetë si pasojë e goditjes fatale nga tri saçme pas kokës. Kufoma u dërgua në fshat, ndërkohë që vetë autorët e ngjarjes lajmëruan policinë. Nëndrejtori i policisë së qarkut Elbasan, Ardian Çipa, u shpreh se “vëllezërit Alcani janë arrestuar në flagrancë dhe ndaj tyre është ngritur akuza e vrasjes. Më pas do të jetë grupi hetimor dhe ekspertët që do të zbardhin të vërtetën”. Njëkohësisht, edhe armët që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale do t’i nënshtrohen ekspertimit dhe verifikimeve. “Nëse ato rezultojnë pa leje, ndaj autorëve do të shtohet edhe akuza e armëmbajtjes pa leje”, tha Çipa. Megjithatë, deklarimet e së motrës së viktimës pritet të jenë vendimtare në zbardhjen e së vërtetës. Para hetuesve janë ngritur enigmat e para, të cilat mund të sjellin të papritura në ditët në vazhdim. Problem për banorët e zonave rurale të Librazhdit janë armët pa leje, sidomos armët e gjahut, të cilat shpesh janë bërë burim fatkeqësish. Duke marrë shkas nga kjo ngjarje, policia bëri të ditur se në ditët në vazhdim do të ushtrojë kontrolle në shtëpitë e të dyshuarve për armëmbajtje pa leje. M. Kalaja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›