Leskaj: Shërbimi Civil kontrollohet totalisht nga qeveria
Kryetarja e Komisionit të Shërbimit Civil, Mimoza Hysenaj, ka paraqitur dje në Kuvend, raportin e punës së këtij institucioni të pavarur për vitin 2007. Kryetarja e KSHC-së ka informuar deputetët në seancë plenare veprimtarinë e këtij organi, gjatë vitit 2007, në përmbushje të misionit të tij për garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të nëpunësve civilë. Duke u ndalur te trajtimi i ankesave të nëpunësve civilë për vitin 2007, raporti thekson se në këtë periudhë ka ardhur një numër i konsiderueshëm ankesash nga nëpunës të niveleve të ndryshme të administratës, të cilat në pjesën më të madhe kanë të bëjnë me pasojat e reformës së nisur në administratë, qëllimi i së cilës është rritja e efektivitetit në punë dhe ulja e shpenzimeve në buxhetin e shtetit. Sipas këtij raporti, për vitin 2007 pranë këtij institucioni janë paraqitur 380 ankesa për shkarkime të padrejta nga puna, nga të cilat KSHC ka shqyrtuar 353 prej tyre. Gjithashtu, raporti konstaton se "nga ana e drejtuesve të institucioneve është treguar më tepës kujdes për sa i përket respektimit të ligjit të nëpunësit civil". Por raporti i paraqitur nga kryetarja e Shërbimit Civil është kundërshtuar nga opozita, e cila ka shprehur pakënaqësitë e saj në lidhje me punën e bërë gjatë këtij viti. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, është shprehur se Komisioni i Shërbimit civil ka dështuar të jetë një institucion në shërbim të ligjit dhe kjo kryesisht jo për faj të vetë komisionit, po për faj të përdoruesve politikë të tij, shumicës qeverisëse. Leskaj theksoi se ky institucion është në pozitë të vështirë edhe për shkak se i lejoi vetes të përdorej nga politika. Duke u ndalur te spastrimet në administratë të bërë pas ardhjes së PD-së në pushtet, Leskaj është shprehur se janë përdorur të gjitha mënyrat duke larguar nga puna specialistët dhe njerëz të kualifikuar. "Komisioni i Shërbimit Civil, ka humbur besueshmërinë si institucion i pavarur dhe për këtë mjafton t‘u referohesh të dhënave që vetë ky institucion ka paraqitur në raportin e tij", është shprehur Leskaj. Të njëjtën linjë mendimi me Leskajn, ka ndarë edhe deputeti tjetër i PS-së, Bashkim Fino. Pasi ka renditur një sërë arsyesh të cilat vërtetojnë punën e dobët të Shërbimit Civil, Fino është ndalur te çështja më e debatuar, ajo e spastrimit të administratës. "Për sa i përket ristrukturimit ose shkurtimit të vendeve të punës, sidomos në ministritë që përmenden në raport, del qartë se ato janë bërë për të krijuar vende për militantët e mazhorancës së sotme dhe më e keqja pa zbatuar as formalisht disa kërkesa që kërkon ligji, siç janë ndryshimi i objektivave, ndryshimi i përshkrimit të vendit të punës, funksioneve etj.", është shprehur Fino.